2016-09-20 16:49:00

Kardinali Parolin: kolombianët të lirë e të ndërgjegjshëm në favor të procesit të paqes


Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, do të jetë i pranishëm në firmën e marrëveshjes së paqes ndërmjet qeverisë kolombiane e luftëtarëve të Farc, “në respektimin më të lartë të autonomisë së institucioneve”, e “ do t’i kërkojë Zotit ta ndriçojë popullin e Kolombisë, i cili duke vepruar sipas ndërgjegjes e në lirinë më të madhe, me përgjegjësi dhe mirë i dokumentuar, të di të marrë vendime për të mirën e përbashkët të vendit, kaq i dashur për Papën Françesku”. Kështu pohojnë në një deklaratë të përbashkët Nunciatura apostolike në Kolombi dhe Konferenca ipeshkëvnore kolombiane.

Kardinali Parolin e pranoi ftesën e qeverisë për të kryesuar, më 26 shtatorin e ardhshëm në Cartgena de Indias në Kolombi, liturgjinë që do të paraprijë ceremonisë së firmës së paqes, “për tu lutur për harmoninë dhe pajtimin e popullit të këtij Kombi fisnik, me rrënjë të thella katolike e kaq shumë i vlerësuar nga komuniteti ndërkombëtar, që është duke ndërtuar një shoqëri paqësore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.