2016-09-20 15:59:00

Asizi: Bota, një familje popujsh në paqe, kundër çdo dhune e lufte.


“Të fillojë një kohë e re, bota e globalizuar të bëhet një familje popujsh”, e “të frymëzuar nga shpirti i shën Françeskut të Asizit, të realizojmë takimin në dialog, të kundërshtojmë çdo formë dhune dhe abuzimi të fesë, që justifikon luftën e terrorizmin”: ky Apeli në mbyllje të takimit ndërfetar mbajtur në Asizi, në praninë e Papës Françesku së bashku me 500 liderë fetarë të botës.

Takimi u organizua nga Komuniteti kishtar i Shën Egjidit, dioqezat dhe qytetet e Umbria-s e nga Familjet Françeskane, mbi temën: “Etje për Paqen: fetë e kulturat në dialog”.

Pra dita e sotme në Asizi, qe një ditë historike, një ditë lutjeje drejtuar Zotit, nga krerët e përfaqësuesit e feve të botës, që t’i dhurojë paqen njerëzimit. Meetingu u mbajt me rastin 30-vjetorit të Takimit të Parë Botëror të Lutjes për Paqen, me nismën e Papës Gjon Palit II, e pjesëmarrjen e përfaqësuesve fetarë nga mbarë bota. Asizi bashkoi përfaqësuesit e feve dhe të shoqëris, për t’u takuar e pasur një qëndrim të vërtetë fetar e vëllazëror, larg hakmarrjes, dhunës, padrejtësisë, e përbuzjes së jetës së njeriut.

Papa Françesku mbërrini në Asizi në ora 11,30, ku u prit nga Françeskanët e Kuvendit të Asizit, nga personalitete tjera civile italiane e ndërkombëtare e një grup refugjatësh. Pastaj, për mëse një orë përshëndeti një nga një 510 liderët (fetarë e politikanë) të pranishëm në meetingun ndërfetar. Ati i Shenjtë përshëndeti individualisht Përfaqësuesit e Kishave dhe të Feve botërore, ipeshkvijtë e Umbria-s, një grup refugjatësh, e pjesëmarrësit tjerë të takimit “Etje për Paqen: fetë e kulturat në dialog”.  Drekën Papa Françesku e kaloi në Kuvendin e Françeskanëve me disa refugjatë.

Pasdite në ora 15.15 Papa Bergoglio takoi individualisht Patriarkun Ekumenik të Kostandinopojës, Shenjtërinë e Tij Bartolomeun I; Patriarkun Siro-Ortodoks të Antiokisë, Shenjtërinë e Tij Ignatius Aphrem II; Kryeipeshkvin e Kantërbërit e Primatin e Kishës së Anglisë, Hirësinë e Tij Justin Welby; sociologun e filozofin nga Polonia, Prof. Zygmut Bauman; Presidentin e Këshillit të Ulemave nga Indonezia, Prof. Din Syamsuddin; Rabinin e Madh  nga Izraeli, David Rosen, ish Krye Rabin i Irlandës.

Në vazhdim të programit, përfaqësuesit e Feve iu lutën Zotit për dhuratën e paqes, në vende të ndryshme . Në ora 16.00 u mbajt Lutja Ekumenike, lutja e të krishterëve për paqen, në Bazilikën e Ultë të Shën Françeskut. Gjatë lutjes u përmenden të gjithë vendet që janë në luftë. E për çdonjërin vend u ndez një qiri.

Pas përfundimit të lutjes të të krishterëve, Ati i Shenjtë Bergoglio mori pjesë në ceremoninë e mbylljes së meetingut, së bashku me Rabinin Abraham Skorka, Rektor i Seminarit Rabinik “Marshall T. Meyer, në Argjentinë, prof. Abbas Shuman, zëvendës-President i Universitetit Al-Azhar, Gijun Sugitani, Këshilltar Suprem ti Shkollës Budiste Tendai, në Japoni e shumë të tjerëve.

Pas fjalës së kryeipeshkvit të Asizit, imzot Sorrentino-s, fjalës së prof. Andrea Riccardi-t, Themeluesit të Komunitetit të Shën Egjidit, dëshmive tjera si ajo e Tamar Mikali-t, nga Siria, Patriarkut Bartolomeu I, prof. David Brodman, Rabinit të Izraelit e shumë tjerëve.

Dëshmitë u mbyllën me një minutë heshtje në përkujtim të viktimave të luftërave dhe të terrorizmit. E pastaj të pranishmëve u drejtoi fjalën e tij Papa Françesku, i cili mes tjerash theksoi:

Kemi ardhur në Asizi si shtegtarë në kërkim të paqes. Bartim në vete dhe vëmë para Zotit pritjet e ankthet e kaq shumë popujve e njerëzve. Kemi etje për paqen, kemi dëshirë ta dëshmojmë paqen, kemi sidomos nevojë të lutemi për paqen, sepse paqja është dhuratë e Zotit e na takon ne ta lusim, ta pranojmë e ta ndërtojmë çdo ditë me ndihmën e tij”.

Zoti na kërkon, na qorton  të përballemi me sëmundjen e madhe të kohës sonë: indiferencën. Është një virus që paralizon, na bënë të pandjeshëm, një virus që prek thelbin e vetë religjiozitetit, duke krijuar një paganizëm të ri tejet të trishtë: paganizmin e indiferencës”, theksoi Papa Françesku.

“Nuk mund të rrimë indiferentë. Bota sot ka etje të zjarrtë për paqen. Në shumë vende ekziston vuajtja për shkak të luftërave, shpesh të harruara, por gjithmonë shkaktojnë vuajtje e varfëri”.

“Ne  - nënvizoi Papa – nuk kemi armë. Besojmë në forcën e butë e të përvujtë të lutjes. Në këtë ditë, etja për paqen u bë lutje e thirrje drejtuar Hyjit, që të pushojnë luftërat, terrorizmi e dhuna”.

Takimi i Asizit u mbyll me leximin Apelit për Paqen 2016 firmosur nga liderët fetarë të botës.








All the contents on this site are copyrighted ©.