2016-09-19 13:09:00

Papa: çdo mafie është e errët, mos ta mbulojmë dritën e Zotit


Ta ruajmë dritën e fesë e ta çojmë përpara, të mos lejojmë të mbulohet. Ky këshilli i Papës, sot gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Papa bëri thirrje të ruhemi nga një varg sjelljesh që rrezikojnë ta shuajnë dritën që kemi marrë prej Zotit: nga zilia deri te grindja, nga sendërgjimi kundër të afërmit, kundër mikut deri te kthimi tek e mira. Të trillosh keq, tha Papa, “është mafioze”. “Çdo mafie – qortoi Ati Shenjtë – është e errët”.

Ta lëmë dritën e fesë të dalë jashtë, të dalë në pah, të bëjmë që ajo të shndrisë para njerëzve. Papa Françesku mori shkas nga fragmenti i Ungjillit të sotëm, marrë nga Luka 8,16-18, për t’u ndalur mbi dritën e fesë dhe mbi rreziqet që kanosen për ta fikur.“ Të ruash dritën – tha Papa – do të thotë të ruash diçka që na është dhënë si dhuratë e nëse ne jemi të ndritshëm, jemi plot dritë në këtë kuptim: jemi të ndërgjegjshëm se kemi marrë dhuratën e dritës në ditën e Pagëzimit”. Papa Bergoglio kujtoi pastaj se “në shekujt e parë të Kishës”, si “edhe në disa Kisha lindore” akoma sot “Pagëzimi quhet ‘Ndriçim”.

Kjo dritë, vërejti Papa, “nuk duhet mbuluar”. “Nëse ti e mbulon këtë dritë”, vërtetë, “bëhesh i vaktë a thjesht” një “i krishterë sa për emër”. Drita e fesë, tha akoma Ati Shenjtë, “është dritë e vërtetë, dritë që na jep Jezusi në Pagëzim”, “nuk është dritë artificiale, nuk është dritë e falsifikuar. Është dritë e butë, e qetë që nuk fiket më”. Papa Françesku u ndal pastaj mbi një varg sjelljesh që rrezikojnë ta fshehin këtë dritë, duke kujtuar këshillat që Jezusi Zot na ofron pikërisht që kjo dritë të mos errësohet. Para së gjithash, këshilloi, “të mos e refuzojmë atë që ka nevojë e është në ngushticë”:

Kurrë mos ta shtymë për një herë tjetër: e mira...e mira nuk toleron ftohtësinë: e mira është sot, e nëse nuk e bënë sot, nesër nuk do të jetë më. Mos e fsheh të mirën për nesër: kjo, siç pohon leximi i Meshës nga Libri i Fjalëve të Urta, ‘shko eja përsëri, do ta jap nesër’ e mbulon jashtëzakonisht dritën; e pastaj është edhe padrejtësi... Një tjetër mënyrë – janë këshillat, këto, për mos e mbuluar dritën, është: mos trillo, mos sendërgjo keq kundër të afërmit tënd derisa ai banon plot besim te ti. Po sa herë njerëzit kanë besim në një person a në një tjetër e ky sendërgjon prapa shpine për ta shkatërruar, për ta njollosur, për të bërë që të dështojë... Është kjo një pjesë e vogël e mafies që të gjithë ne e kemi në dorë! ‘Mirëpo, unë i përkas atij....’: po kjo është mafioze, të përfitosh nga besimi tjetrit.... E kjo e mbulon dritën. Të bënë të errët. Çdo mafie është e errët!”.

Në vazhdim të homelisë Papa vuri theksin mbi tundimet e prirjen që kemi për t’u grindur gjithmonë me dikë, për kënaqësinë e përçarjes që provojmë edhe me atë që nuk ka bërë “asgjë të keqe”. “Gjithmonë– konstatoi – kërkojmë diçka të vogël për t’u grindur. Po dikur përçarja, të lodh: nuk mund të jetosh kështu gjatë. Është më mirë të lësh të kalojë, të falësh”, “të bësh sikur nuk i sheh gjërat... mos u grindi vazhdimisht”:

Një tjetër këshill që u jep ky Atë bijve për të mos e mbuluar dritën, është: ‘Mos e lakmoni njeriun e dhunshëm e mos u pezmatoni për të gjitha sukseset e tij, sepse Zotit i neveritet çdo i padrejtë, ndërsa miqësia e tij – e Zotit – është për të drejtët”.  E sa herë edhe ne, disa, kemi gjelozi, kemi zili për ata që kanë gjëra, që kanë sukses, ose që janë të dhunshëm.. po ta përshkojmë pak historinë e të dhunshmëve, të pushtetshmëve... Mah, është kaq e thjeshtë: të njëjtët krimba që do të na hanë ne, do t’i hanë edhe ata; të njëjtë! Në mbarim të jetës do të jemi të gjithë të barabartë. Të kesh zili, ah! Pushtet, të kesh gjelozi...këto e mbulojnë dritën”.

Nga këtu, tha Papa, këshilli i Jezusit: “Jini bijë të dritës e jo bijë të errësirës: rojtarë të dritës që u është dhënë dhuratë ditën e Pagëzimit”. Akoma, “mos e fshihni nën shtrat”, por ruajeni dritën”. E për ta ruajtur dritën, ripohoi Papa, i kemi këto këshilla, për t’i zbatuar çdo ditë. “Nuk janë gjëra të çuditshme – nënvizoi Papa –  çdo ditë i shohim këto sende që e mbulojnë dritën”:

Shpirti Shenjt, të cilin të gjithë ne e kemi marrë në Pagëzim, na ndihmoftë të mos biem në këto zakone të këqija që e mbulojnë dritën, e na ndihmoftë ta çojmë përpara dritën e marr falas, atë dritë të Zotit që na bënë mirë: dritën e miqësisë, dritën e butësisë, dritën e fesë, dritën e shpresës, dritën e durimit, dritën e mirësisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.