2016-09-19 16:10:00

Imzot Rrok Gjonlleshaj: ipeshkëv sipas zemrës së Krishtit.


Ipeshkvi, si Bari i grigjës së Zotit, duhet të jetë përherë pranë njerëzve, pranë familjeve për t’u transmetuar mëshirën e Zotit. Kështu u tha mes tjerash Papa Françesku ipeshkvijve të rinj, të premten e kaluar, me rastin e kursit të formimit të tyre, mbajtur në Vatikan.  

Në audiencë me Papën, në Sallën Klementine në Vatikan,  ndër ipeshkvijtë e rinj, ishte edhe kryeipeshkvi i ri i Tivarit, imzot Rrok Gjonlleshaj, i cili në mikrofonin e Radio Vatikanit flet për takimin me Atin e Shenjtë Françesku, për misionin që e pret si bari i Kishës dioqezane të Tivarit në Mal të Zi, ta dëgjojmë imzot Rrokun....

"Misioni i ipeshkvijve, posaçërisht i barinjve të rinj", sipas Papës Françesku, "është ta zbatojnë mëshirën e Zotit  në veprimtarinë e tyre baritore, në marrëdhëniet e tyre të përditshme me njerëzit, me familjet, me meshtarët, me rregulltarë e seminarisët. Kështu që në dioqezat ku shërbejnë ipeshkvijtë, të mbretërojë harmonia vëllazërore, shenjtëria, e vërteta, përzemërsia, respekti dhe kujdesi plot dashuri".  

“Mëshira e Zotit nuk ju lë ta humbni rrugën”, prandaj, Papa i këshilloi ipeshkvijtë, “mos lini gjë pa provuar për të arritur tek besimtarët e për t’i kthyer në grigjën e Hyjit. Rruga për këtë është udha e dashurisë në çdo Kishë. Mendoni për transmetimin e njohurive, por edhe të vlerave, mendoni për analfabetizmin e emocioneve, për thirrjet meshtarake, për shoshitjen në familje, për udhët e paqes mes njerëzve e feve: gjithçka e kërkon një fillim e pastaj një drejtim, një udhëheqje, duke përdorur këmbënguljen, durimin e vendosmërinë, të cilat e dallojnë bariun e mirë nga mercenari”.

“Mëshira e Zotit, vërejti Papa, i duhet dhuruar kësaj bote të etur për të, njerëzve të etur për të, por pa u përpjekur të vendosim vetveten në qendër të vëmendjes”, por përherë Atë, Krishtin”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.