2016-09-19 13:13:00

Filloi në Asizi takimi ndërfetar për paqen. Në të 5 shqiptarë


Mund ta ruajmë paqen dhe ta mbrojmë planetin vetëm me kulturën e dialogut. Kështu foli në Asizi, Patriarku ekumenik i Kostandinopojës, Shenjtëria e Tij, Bartolomeu I, para asamblesë, me të cilën filloi dje Takimi Ndërkombëtar “Etje për paqen: fetë e kulturat në dialog”.

Në takimin ndërfetar marrin pjesë 511 krerë nga nëntë fe të ndryshme të globit, 12 mijë shtegtarë, mendimtarë dhe intelektualë të shumtë të botës së kulturës - edhe jo besimtarë – pesë vetë çmime Nobel për paqen: katolikja veriirlandeze Mairead Maguire, aktivistja kundër minave antinjeri Jody Williams, simbolet e pranverës arabe Tawakkul Karman, Hassine Abassi dhe Amer Meherzi. Nesër, më 20 shtator, mbërrin Papa Françesku.

Patriarku i Kostandinopojës përshëndeti nxehtësisht Bashkësinë e Shën Egjidit, e cila së bashku me dioqezën e Asizit dhe me Familjet Françeskane, organizuan këto ditë lutjeje për paqen, sipas frymës së themeluesit të Takimit të Asizit, shën Gjon Palit II, i cili e dëshiroi me zjarr këtë takim, tashmë 30 vjet më parë. Dialogu, sipas Patriarkut Bartolomeu I, është e vetmja udhë për paqen, por kërkon një ndryshim të thellë të brendshëm, që më pas rrezatohet në botën përreth, deri sa bëhet global.

E për këtë ndryshim zemrash foli edhe kryeipeshkvi i Rouenit, imzot Dominique Lebrun, i cili iu lut Zotit, që me ndërmjetësimin e Shën Françeskut dhe të atë Jacques Hamel, meshtarit të vrarë nga terroristët islamikë në kishë më 26 korrikun e kaluar, t’u japë të gjithëve hirin e faljes. “Nuk është kaq e vështirë të falësh dy vrasës – nënvizoi ipeshkvi – por ata, që fshihen pas tyre, ata që i inkurajuan dhe i miratuan, kjo po, është shumë e vështirë”. Martirizimi i atë Jacques Hamel nuk duhet përdorur si flamur në luftë, por si dhurata e një meshtari, që e flijoi jetën për Krishtin, duke kujtuar se “Zoti nuk e ka dërguar Birin e vet në botë për ta gjykuar atë, por që bota të shpëtojë përmes Tij”.

Në Takim marrin pjesë edhe shqiptarë. Nga ana katolike, don Ernest Troshani, i mbijetuar nga komunizmi, mund të dëshmojë pikërisht këtë vlerë të martirizimit të krishterë. Foli sot pasdite, në një panel kushtuar martirizimit. Bashkë me të, marrin pjesë me kumtesa në Takimin e Asizit, edhe mitropoliti ortodoks Andon Merdani; ministri i Punëve Sociale dhe i Rinisë, Blendi Klosi; kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj; e zv.rektori i Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”, Tritan Shehu. Në skenën e Teatrit Lyrick, qendër e Takimit të Asizit, një pemë ulliri sheh nga mozaiku i ngjyrave dhe i popujve të përfaqësuesve të feve të botës.  








All the contents on this site are copyrighted ©.