2016-09-16 19:30:00

Shenjtorët e javës 18-25 shtator


E diel 18 shtator, Kisha katolike kremton të Dielën e 25-të gjatë vitit, e gjithnjë më 18 shtator, kalendari përkujton edhe shën Jozefin nga Kopertino, shën Arianën. Këtë të diele kremtohet Jubileu i Katekistëve. Përmes Ungjillit të kësaj së diele, Jezusi na mëson si duhet të përdorim pasurinë materiale. Kush është rob i pasurisë nuk mund të jetë besnik ndaj detyrave të veta të krishtera. Të mirat dhe pasuritë duhet të dimë t’i përdorim me urti, bujari, liri e shkëputje.

Të hënën më 19 shtator, kalendari kishtar përkujton shën Marjanin, shën Gjenarin, ipeshkëv i Beneventos e martir.
Liturgjia e ditës na tregon udhën për të fituar shpëtimin prej Zotit: të bëhemi nxënës të tij e ti dëgjojmë e zbatojmë mësimet e apostujve, të cilët na propozojnë ato udhëzime që Mësuesi Hyjnor ua ka besuar atyre.

Të martën më 20 shtator, kalendari përkujton shembullin e shenjtorëve Andrei Kim Taegon, meshtar e shokëve të tij, martirë koreanë. Liturgjia e ditës na kujton se gjithçka kemi, mund të bëhet mjet shëlbimi ose pengesë në rrugën tonë drejt mbretërisë qiellore e se dashuria jonë për Zotin duket në gjërat e vogla, të përditshme.

Të mërkurën më 21 shtator, kalendari kujton festën e shën Mateut, apostull e ungjilltar. Liturgjia e ditës na kujton se ndjekja e Zotit përjashton çdo kompromis. Në se pranon ta ndjekësh Krishtin, duhet të heqësh dorë nga gjithçka tjetër. E atëherë do të vërejmë me gëzim se që në këtë jetë realiteti ynë nis të ndryshojë e zemra nis të na rrahë me ritmin e Zemrës së Zotit.

Të enjten më 22 shtator, kalendari përkujton shën Mauricion me shokë, ushtarë e martirë. Liturgjia e kësaj dite na kujton se Zoti e do popullin e vet, se i prin drejt së vërtetës, drejt takimit me Hyjin Atë. Zoti zgjedh në histori figura të veçanta për t’i dhënë mesazhe të fuqishme popullit të vet.

Të premten më 23 shtator, kalendari përkujton shën Piun nga Pietralçina, meshtar kapuçin e shën Linin, papë. Liturgjia e ditës na kujton se edhe sot, si në kohët e largëta, ftohemi të hapim mendjen e zemrën, për t’i bërë vend fjalës së Zotit që shëlbon.

Të shtunën më 24 shtator, kalendari kishtar përkujton festën e të së Lumes Mari Virgjër nga Merçede. Përmes liturgjisë së kësaj dite Jezusi na kërkon t’i pastrojmë zemrat, për të zhdukur prej tyre çdo gjë që na pengon në ecjen drejt Tij. Duke u çliruar nga barrët e panevojshme, mund t’i lartojmë më lehtësisht sytë drejt qiellit e ta ndjejmë veten shumë më të lirë.

Të dielën e ardhshme më 25 shtator, Kisha do të kremtojë të dielën e 26-të gjatë vitit kishtar e po më 25 shtator bie përkujtimi i shën Firminit, ipeshkëv i Amiensit e martir. Liturgjia e kësaj dite përmes shëmbëlltyrës së Lazrit të varfër na ilustron rëndësinë e kësaj së vërtete: se jeta e njeriut përfundon me një shpërblim, pra çmim ose me një dënim.








All the contents on this site are copyrighted ©.