2016-09-16 15:06:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”: valixhja e dashurisë


Kujtimet e kardinalit Angelo Comastri për Nënë Terezën, të cilën e ka njohur personalisht, po na shoqërojnë këto ditë, gjatë shfletimit të librit “Njoha një shenjtore”. Sot, takimi i fundit i kardinalit me shenjtoren shqiptare të dashurisë së krishterë.

         E pashë Nënë Terezën për herë të fundit, më 22 maj 1997: Nëna ishte e lodhur, merrte frymë me vështirësi dhe kuptohej se ishte pranë nisjes për Qiell.

         Nëna më tha: “Vij nga Nju Jorku e do të ndalem disa ditë në Romë për të vizituar murgeshat e mia e të varfërit e mi, pastaj, më duhet të shkoj në Dublin, ku ndjekim shumë alkoolistë, më pas, duhet të shkoj në Londër, ku u çojmë pak dashuri të varfërve, që flenë poshtë urave të Tamixhit, pastaj…, pastaj…, pastaj…!”

         Qe e natyrshme nga ana ime të reagoja, duke thënë: “O nënë, po kjo është marrëzi! Nuk mund ta përballoni këtë lodhje kaq të madhe: as një vajzë e re nuk mund të rezistojë me një ritëm të tillë”.

         Nëna më dëgjoi e heshti për disa çaste. Pastaj, më vështroi me ëmbëlsi të jashtëzakonshme e më tha: “O ipeshkvi im i dashur, jeta është një e vetme: nuk është si sandalet, për të cilat kam një palë rezervë. Jeta është një e vetme e unë duhet ta kaloj të gjithën, duke mbjellur dashuri, deri në frymën e fundit. Mos harro se kur të vdesim, do të marrim me vete vetëm valixhen e dashurisë”.

         Unë e dëgjoja e s’kisha guxim ta kundërshtoja: vërtet, arsyetimi i Nënës ishte pa të meta: ndiqte përsosurisht logjikën e dashurisë! Që është logjika e drejtë. Në fund, e mbylli: “Do të marrim me vete vetëm valixhen e dashurisë: mbushe, sa ke kohë akoma!”

         Këto fjalë më jehojnë në shpirt çdo mëngjes, kur zgjohem nga gjumi e, çdo mbrëmje, kur e përfundoj ditën: “A kam futur gjë në valixhen e dashurisë? Nëse nuk kam shtënë asgjë, e kam humbur kot ditën”.








All the contents on this site are copyrighted ©.