2016-09-16 13:20:00

Papa: ta kuptojmë logjikën e krishterë të “së pasnesërmes”


Logjika e të krishterit është “logjika e të pasnersërmes”, që nuk ndalet në të sotmen, por sheh me besim drejt ringjalljes së korpit. Ky, thelbi i homelisë së Papës Françesku, gjatë meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës.

Logjika e “të pasnersërmes” është logjika e Krishtit të ringjallur

“Nëse Krishti nuk është ngjallur, as ne nuk do të jemi”, komentoi Ati i Shenjtë këtë pjesë nga Letra e parë e Shën Palit Apostull drejtuar korintasve, duke u ndalur në “logjikën e shëlbimit deri në fund”. Papa vuri në dukje se nganjëherë, kur themi Besojmën, pjesën e fundit të saj, ku flitet për ngjalljen e të vdekurve, e themi shpejt e shpejt, sepse kemi frikë ta mendojmë atë si të ardhme. Logjika e së kaluarës, nënvizoi, është më e thjeshtë, sepse më konkrete: edhe të sotmen e shohim, ndërsa për të ardhmen na duket sikur është më mirë të mos e mendojmë. Nuk është e lehtë të hyjmë në logjikën e së ardhmes:

“Logjika e së djeshmes është e lehtë. Logjika e së sotmes është e lehtë. Logjika e së nesërmes është e lehtë: të gjithë do të vdesim. Por logjika e të pasnesërmes është më e vështirë. Pikërisht këtë dëshiron të kumtojë Shën Pali sot: logjikën e së pasnesërmes. Si do të jetë? Si do të jetë ringjallja? Krishti u ngjall. Krishti u ngjall dhe është mëse e qartë se nuk u ringjall si fantazmë. Në pjesën ungjillore të Shën Lukës për ringjalljen thotë: ‘Më prekni me dorë’. Fantazma nuk ka mish, nuk ka kocka. ‘Më prekni. Më jepni për të ngrënë’. Logjika e të pasnesërmes është logjika, në të cilën merr pjesë korpi”.

Logjika e korpit të Krishtit nuk është thjesht shpirtërore

         Të gjithë pyesim, vijoi Papa, “si do të jetë qielli?”, pra, si do të jetë pas vdekjes, sepse të gjithë do të mbërrijmë aty një ditë. Por, nuk e kuptojmë mirë atë që thotë Shën Pali, mendojmë se do të jetë gjithçka shpirtërore, kemi frikë nga mishi e kockat. Të mos harrojmë, kujtoi Ati i Shenjtë, se kjo frikë ka sjellë herezinë e parë, të cilën e dënon Shën Gjoni Apostull, kur nënvizon: “Kush thotë se Fjala e Zotit nuk ka ardhur në korp, është i antikrishtit”:

         “Kemi frikë ta pranojmë e ta çojmë deri në rrjedhojat e fundit korpin e Krishtit. Është  më e lehtë një përshpirtëri me nuanca të llojllojshme, por është e vështirë të hysh në logjikën e korpit të Krishtit. E kjo është logjika e të pasnesërmes. Ne do të ringjallemi, ashtu siç u ngjall Krishti, edhe në trup”.

Të kërkojmë hirin që të besojmë në ringjalljen e korpit

         Besimi në ringjalljen e korpit, theksoi më tej Papa Françesku, përbën bazën më të fuqishme për të gjitha veprat e mëshirës, sepse ekziston një lidhje e pazgjidhshme dhe e vazhdueshme ndërmjet tyre. Zoti, përsëriti Ati i Shenjtë, “la ta shihnin e ta preknin dhe hëngri së bashku me dishepujt, pas ringjalljes”. E Shën Pali thotë se ashtu siç u shndërrua Krishti, do të shndërrohemi edhe ne. Kjo është logjika e së pasnesërmes, që mezi e kuptojmë, përfundoi Papa:

         “Është shenjë pjekurie kur e kuptojmë mirë logjikën e së kaluarës, është shenjë pjekurie kur dimë të lëvizim sipas logjikës të së tashmes, të së djeshmes e të së tashmes. Është shenjë pjekurie edhe kujdesi për të parë logjikën e së nesërmes, të së ardhmes. Por nevojitet hiri i madh i Shpirtit Shenjt për ta kuptuar logjikën e së pasnesërmes, pas shndërrimit, kur Zoti do të vijë e do të na marrë të gjithë të shndërruar mbi re, për të mbetur përgjithmonë me Të. T’ia kërkojmë Hyjit hirin që ta kemi këtë fe”.








All the contents on this site are copyrighted ©.