2016-09-15 15:36:00

Papa ipeshkvit të Rouen: atë Hamel është i lum


Pas kremtimit të Meshës me Papën, për shpirtin e atë Jacques Hamel, kremtuar dje në mëngjes në shtëpinë e Shën Martës në Vatikan, ipeshkvi i dioqezës së Rouen, imzot Dominique Lebrun, foli, së bashku me një motër të meshtarit francez, në një konferencë për gazetarë, mbajtur në Sallën e Shtypit të Vatikanit.

Papa e deshi fotografinë e atë Jacque Hamel mbi altar gjatë kremtimit të Meshës, tha ipeshkvi i Rouen, imzot Lebrun. Ipeshkvi tregon se, vërtetë, murgeshat dhe çifti, që ndodhën më 26 korrik në kremtimin e Meshës kur u vra atë Hamel, nuk patën mundësi të vinin në Romë për arsye shëndetësore, por kanë pasur mundësinë ta ndiqnin Kremtimin Eukaristik të Papës përmes mediave:

“Desha t’u sjell atyre ndonjë kujtim, e kështu u tregova fotografinë dhe desha të kërkoja të firmoshej nga Ati i Shenjtë për t’ua sjell pastaj murgeshave. Ndërsa Papa më tha menjëherë: ‘Ta vëmë mbi altar’. E kjo më preku. Më vonë na përshëndeti shumë përzemërsisht e vëllazërisht. Në mbarim të Meshës, pasi përshëndeti të gjithë, ndërsa po firmoste fotografinë e atë Hamel, më tha: ‘Po ti mund ta vendosësh këtë fotografi në Kishë, sepse ai tani është i lum. E nëse ndokush të thotë se nuk ke të drejtë, thuaj se Papa të ka dhënë lejen’”.

Në konferencën e shtypit, ipeshkvi francez, duke u përgjigjur në një pyetje, shpjegoi se në vend ekziston frika pas atentateve, por tani ka shumë më tepër njerëz që shkojnë në Meshë:

“Frika ekziston, patjetër. Para një jave pata një mbledhje me vikarët e dioqezës e të gjithë më thanë se përherë ka pasur ndonjë telefonatë:’ A ka akoma Meshë? A mund të shkojmë? Nuk ka rrezik?’. Pyetje të kësaj natyre. Mirëpo ka shumë më tepër njerëz në Meshë! Ky fakt më bënë të reflektoj shumë mbi fjalët e Jezusit, që Gjon Pali II ka ripohuar shpesh: ‘Mos keni frikë’”.

Në konferencën e shtypit e mori fjalën edhe njëra prej motrave të atë Hamel, Rosine, e cila mbi fjalët e Papa Françeskut shqiptuar gjatë homelisë (së djeshme) – “është djallëzore të vrasësh në emër të Zotit” – tha “Dy vrastarët kanë vrarë në emër të një Zoti që nuk është as Zoti i islamit e as i krishterimit”.

Ndërsa sot, pranë Kishës së Shën Bartolomeut, në ishullin Tiberina në Romë, u kremtua një tjetër Meshë në përkujtim të atë Jacques, në të cilën morën pjesë përfaqësues të dioqezës franceze Rouen, së bashku me ipeshkvin Lebrun. E ‘libri i uratëve të ditës’ ‘breviarum’ që i përkiste priftit të vrarë, iu dhurua Bazilikës së shën Bartolomeut, ku ruhet së bashku me reliket tjera të martirëve bashkëkohor.








All the contents on this site are copyrighted ©.