2016-09-14 19:33:00

Papa, prelatëve argjentinas: të drejta, kriteret për të divorcuarit e rimartuar


Shoshitja dhe dashuria në veprimtarinë baritore në Kishë janë dy këshillat e Papës Françesku për meshtarët dhe besimtarët argjentinas. Ati i Shenjtë u dërgon një letër ipeshkvijve të rajonit të Buenos Ajresit, në përgjigje të një dokumenti të vetë prelatëve, ku përcaktohen kriteret e integrimit të të divorcuarve të martuar rishtas, sipas Nxitjes pas sinodale “Amoris Laetitia”.

“Një shembull i vërtetë shoqërimi për meshtarët” vëren Papa, duke ftuar të takohen të largëtit, pra, ata që janë larguar nga Kisha, e të fillohet “rruga e mikpritjes, e shoshitjes dhe e integrimit në bashkësinë kishtare”. Udhë, që jo gjithmonë përfundon me marrjen e Kungimit, siç nënvizohet nga ipeshkvijtë argjentinas, por sjell forma më të mira bashkëveprimi e pjesëmarrjeje në Kishë. Pra, jo çdo gjendje justifikon pjesëmarrjen në Sakramentet e Pajtimit e të Eukaristisë. Gjithsesi, Ati i Shenjtë u kërkon meshtarëve të dallojnë mirë rastet nga njëri-tjetri, si për shembull, divorcet e përsëritura apo mosrespektimin e vazhdueshëm të impenjimeve familjare, ose të qortojnë edhe ata që mburren me gjendjen e tyre jo të mirë bashkëshortore, pa e çuar nëpër mend se kjo nuk është aspak e krishterë.

Këto janë probleme, të cilat nëse nuk zgjidhen, e bëjnë veçanërisht shkandulluese marrjen e Sakramenteve, nënvizohet në dokument. Ipeshkvijtë argjentinas propozojnë edhe mënyra për të mos shkaktuar probleme në bashkësinë e krishterë, e cila mund të mos jetë e përgatitur për t’i pranuar të divorcuarit e rimartuar. Në ato raste, nëse shoshitja e gjendjes ka nxjerrë në pah se është e mundur pjesëmarrja në Sakramente, prelatët këshillojnë që Kungimi të jepet në mënyrë të rezervuar, ndërsa ndihmohet bashkësia të kuptojë frymën e integrimit në Kishë, gjithsesi, pa krijuar konfuzion përsa i përket pazgjidhshmërisë së martesës.








All the contents on this site are copyrighted ©.