2016-09-14 12:35:00

Më 14 shtator Kisha kremton festën e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë.


Më 14 shtator Kisha katolike kremton festën e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë. Kjo festë që e ka zanafillën në Jerusalem, ku për herë të parë u kremtua më 14 shtator të vitit 335, me rastin e “Kryqit” mbi Golgotë, dhe atë të “Anàstasis”, do të thotë të Ringjalljes. Kjo festë kaloi në Perëndim, duke u nisura nga shekulli VII, e donte të përkujtonte rikuperimin e relikës së çmuar bërë nga perandori Erakliti në vitin 628.

Këtë ditë kujtohet edhe shugurimi i ndërtesave të ngritura nga Perandori Kostandini për të mbrojtur e për të nderuar viset ku Jezu Krishti përmbushi misterin e vet të Pashkëve, misterin e Vdekjes e të Ngjalljes. Kremtimi i sotëm shkon përtej të dhënave historike e atyre legjendare e merr një domethënie shpirtërore e fetare jashtëzakonisht të thellë e të lartë. Lavdërimi i Krishtit kalon përmes mundimeve të kryqit e antiteza vuajtje-glorifikim bëhet themelore për historinë e Shëlbimit: Krishti, mishëruar në realitetin e tij konkret njerëzor-hyjnor, i nënshtrohet vullnetarisht kushteve përvujtëruese të skllavit (kryq, nga latinishtja “crux”, do të thotë torturë, i rezervohej skllevërve) e vuajtja e tmerrshme shndërrohet në lavdi të përjetshme.

Shumë reflektime janë bërë e vijojnë të bëhen për misterin më të madh të fesë së krishterë, misterin e Krishtit të kryqëzuar, këndej mbi misterin e Kryqit të Shenjtë të Shëlbuesit të njerëzimit. Zoti në këtë botë nuk bën konkurrencë me format tokësore të pushtetit. Nuk u kundërvë përçarjeve, përçarje të reja. Jezusit në Kopshtin e Ullinjve Zoti nuk i çon dymbëdhjetë legjione engjëjsh për ta ndihmuar. Pushtetit të potershëm e prepotent të kësaj bote, Krishti i kundërvë pushtetin e çarmatosur të dashurisë, Ai vdes mbi Kryq e, megjithatë, krijon një gjë të re, hyjnore, e cila pastaj i kundërvihet padrejtësisë dhe ngre mbretërinë e Hyjit. Krishti hyri në botë me kryq. Kryqi është simboli i shpërblimit e i shëlbimit, por edhe paradigma e jetës të të krishterit.

Në ditën e festës së Ekzaltimit të Kryqit të Shenjtë të Krishtit, ne e shikojmë Kryqin si lavdi e simbol, si rrugë nëpër të cilën duhet ecur ditë për ditë, në përpjekjen për t’iu afruar lumnisë së qiellit, duke pasur gjithnjë parasysh fjalët e shën Palit drejtuar Galatasve: “Jam kryqëzuar me Krishtin e nuk jam më unë ai që jeton, por Krishti që jeton në mua”, dhe një tjetër pohim i Palit gjithnjë në Letrën drejtuar Galatasve: “Ne mburremi me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit: në të e kemi shpëtimin, jetën dhe ngjalljen tonë; në saje të tij kemi qenë shpëtuar e liruar”.

Prandaj, të krishterët krenohen me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, sepse Kryqi është më i fuqishëm e më i madh se të gjitha pushtetet e botës: është shenjë e fitores mbi vdekjen. Kryqi bëhet kështu lavdi. Zoti lumturohet pikërisht në çastin kur i Biri kryqëzohet. “Në kryq – shkruan Shën Leoni papë – është gjykata e Zotit, aty bëhet gjykimi i botës, zbulohet pushteti i të Kryqëzuarit”. Kryqi është gjykata më e madhe e botës, por edhe fillimi i pushtetit të Krishtit mbi botën dhe mbi historinë e njerëzimit. Kur të duket se gjithçka ka marrë fund, në të vërtetë gjithçka fillon. Me të drejtë liturgjia e festës Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë këndon në Meshë: “Është nder për ne të mburremi me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit sepse në të e kemi shëlbimin, jetën dhe ngjalljen tonë, në sajë të tij kemi qenë shëlbuar e liruar!”, dhe “Kryq i lavdishëm, në degët tua varej çmimi i lirisë sonë: bota u shëlbua përmes Kryqit. Të falem, o Kryq, i shuguruar nga Korpi i Krishtit; gjymtyrët e Tij mbi ty shkëlqejnë si gurë të çmuar”.

I madh është misteri që përkujtojmë sot, aftësia për të dhuruar vetveten në Kryq, mister i dashurisë, të cilin është tepër e vështirë ta kuptosh në të gjithë thellësinë e tij! Një gjë është plotësisht e qartë: “Kush merr pjesë në mundimet e Krishtit në Kryq, merr pjesë edhe në gëzimin e Tij”. Sa herë i lartojmë sytë nga Kryqi, kujtojmë Atë që pësoi për ne, që na shkëputi nga pushteti i terrinave, duke pranuar vdekjen, për të na bërë trashëgimtarë të jetës së pasosur.   








All the contents on this site are copyrighted ©.