2016-09-13 14:20:00

‘Etje për paqe’: tema e takimit ndërfetar ndërkombëtar në Assisi me praninë e Papës


‘Etje për Paqe. Fetë e Kulturat në dialog’: kjo është tema e takimit të 30-të ndërkombëtar ndërfetar, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha feve, jo vetëm të tre feve të mëdha monoteiste, organizuar nga Komuniteti i Shën Egjidit së bashku me Kuvendin françeskan në Assisi të Italisë nga data 18 deri më 20 shtator.

Presidenti i Komunitetit të Shën Egjidit, Marco Impagliazzo e zëdhënësi i Kuvendit të Shenjtë të Assisi-t, atë Enzo Fortunato, në paraqitjen e ngjarjes, në selinë e Radio Vatikanit, folën për idenë e një impenjimi shpirtëror e diplomatik, me të cilën është përgatitur ngjarja, ku do të marrin pjesë 511 përfaqësues fetarë prej 9 feve të ndryshme, laikë, besimtarë e ateistë; mase 470 liderë, ministra, ambasadorë e speaker do të jenë të pranishëm në asamblenë e përurimit; do të kenë 29 panele; 47 tv nga mbarë bota do të transmetojnë drejtpërdrejtë takimin dhe mase 600 gazetarë të akredituar do t’i përcjellin punimet.

Në takim, që do të përurohet në praninë e Presidentit të Italisë Mattarella – Papa Françesku do të shkojë në Assisi ditën e fundit më 20 tetor – do të transmetohet  fjala e Bartolomeut I Patrikut të Kostandinopojës, do të jenë të pranishëm prof. Anrea Riccardi, themelues i Komunitetit të Shën Egjidit, kryeipeshkvi francez imzot Dominique Lebrun, titullar i dioqezës së Rouen, ku është vra atë Hamel, filozofi ateist Zygmunt Bauman e shumë personalitete tjera nga mbarë bota.

Pas Lutjes për Paqen –  që do të mbahen në vende të ndryshme sipas besimit të feve të ndryshme – do të zhvillohet një procesion prej vendeve të lutjes që do të përfundojë në sheshin e ultë të Shën Françeskut, ku do të mbahet fjala e mbylljes nga Papa Françesku dhe leximi i Apelit për Paqen, të cilin fëmijët do t’ia dorëzojnë ambasadorëve të pranishëm në Assisi, para ndezjes së qirinjve dhe shkëmbimit të shenjës së paqes.








All the contents on this site are copyrighted ©.