2016-09-13 12:01:00

Papa: ta mundim indiferencën, të krijojmë kulturën e takimit


Të punojmë për të krijuar një kulturë të vërtetë takimi, që të fitojë mbi kulturën e indiferencës. Ky, pohimi qendror i Papës Françesku, në homelinë e meshës së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë vuri theksin në takimin e Zotit me popullin e vet dhe këshilloi të heqim dorë nga zakoni i keq për të mos e dëgjuar tjetrin, që nganjëherë, zë vend edhe në familje.

Fjala e Zotit, e cila përshkruan ngjalljen e djalit të vetëm të vejushës së Nainit, na bën sot të reflektojmë mbi takimin, nënvizoi Papa. Shpesh, njerëzve u kryqëzohen udhët, por nuk takohen. Secili mendon vetëm për vete, sheh por nuk vështron, dëgjon po nuk ua vë veshin fjalëve:

“Takimi është tjetër gjë, është ai që kumton sot Ungjilli: një takim ndërmjet një burri e një gruaje, ndërmjet një biri të vetëm të gjallë e një biri të vetëm të vdekur; ndërmjet një turme të lumtur, sepse kishte takuar Jezusin dhe e ndiqte, e një grupi njerëzish, që duke qarë, shoqëronin atë grua, që dilte nga porta e qytetit; takimi ndërmjet portës së daljes e portës së hyrjes. Oborri. Takim, që na bën të reflektojmë mbi mënyrën si rrimë bashkë”.

Takimi me Jezusin kthen dinjitetin e humbur

Në Ungjill, vijoi Ati i Shenjtë, lexojmë se Zoti ndjeu dhembshuri të madhe. Kjo lloj dhembshurie nuk është e njëjtë me atë, që ndjejmë, kur kalojmë rrugës, shohim dikë përtokë e themi: “Sa keq!” Jezusi nuk kalon pa u ndalur, por i afrohet gruas, e takon vërtet e pastaj, bën mrekulli. Shihen qartë frytet e takimit. Çdo takim, theksoi Papa Françesku, duhet t’i rivendosë gjërat dhe njerëzit në vendin e tyre:

“Ne jemi mësuar me kulturën e indiferencës e duhet të punojmë e të kërkojmë hirin për të krijuar kulturën e takimit, të këtij takimi të frytshëm, të këtij takimi, që i kthen çdo njeriu dinjitetin e vet si bir i Hyjit, dinjitetin e të gjallëve. Jemi mësuar me indiferencën kur shohim fatkeqësitë e kësaj bote, ose gjërat e vogla: ‘Mëkat, të shkretët njerëz, sa vuajnë’ e pastaj, kalojmë përtej. Por nëse nuk shoh – e nuk mjafton të shohësh, duhet të vështrosh mirë – nëse nuk ndalem, nuk prek me dorë, nuk flas, nuk takohem vërtet e nuk mund të ndihmoj në krijimin e kulturës së takimit”.

Të mësohemi t’i dëgjojmë të tjerët

Të gjithë kemi nevojë për takimin me Jezu Krishtin. Kisha ka nevojë të takohet me Zotin, ndërsa pret kthimin e Tij. E ky takim duhet të fillojë në familje:

“Në tryezë, në familje, sa herë hamë, duke parë televizor apo duke shkruar mesazhe në celular. Çdo njeri [në atë tryezë] është indiferent ndaj atij takimi. Kështu, edhe në bërthamën e shoqërisë, që është familja, nuk ka takim. Na ndihmoftë Zoti të punojmë për kulturën e takimit, thjesht, ashtu siç bëri Jezusi. Jo vetëm të shohim: të vështrojmë mirë. Jo vetëm të dëgjojmë: t’i hapim mirë veshët. Jo vetëm t’i hasim njerëzit në rrugë: të ndalemi. Jo vetëm të themi ‘sa keq, të shkretët’, por të lëvizim me dhembshuri. E pastaj të afrohemi, të prekim me dorë e të themi në gjuhën, që secili e përdor në ato çaste, në gjuhën e zemrës: ‘Mos qaj’ e të japim të paktën një pikëz jete”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.