

‘Etje për Paqe. Fetë e Kulturat në dialog’: kjo është tema e takimit të 30-të ndërkombëtar ndërfetar, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha feve, jo vetëm të tre feve të mëdha monoteiste, organizuar nga Komuniteti i Shën Egjidit së bashku me Kuvendin françeskan në Assisi të Italisë nga data 18 deri më 20 shtator.
Presidenti i Komunitetit të Shën Egjidit, Marco Impagliazzo e zëdhënësi i Kuvendit të Shenjtë të Assisi-t, atë Enzo Fortunato, në paraqitjen e ngjarjes, në selinë e Radio Vatikanit, folën për idenë e një impenjimi shpirtëror e diplomatik, me të cilën është përgatitur ngjarja, ku do të marrin pjesë 511 përfaqësues fetarë prej 9 feve të ndryshme, laikë, besimtarë e ateistë; mase 470 liderë, ministra, ambasadorë e speaker do të jenë të pranishëm në asamblenë e përurimit; do të kenë 29 panele; 47 tv nga mbarë bota do të transmetojnë drejtpërdrejtë takimin dhe mase 600 gazetarë të akredituar do t’i përcjellin punimet.
Në takim, që do të përurohet në praninë e Presidentit të Italisë Mattarella – Papa Françesku do të shkojë në Assisi ditën e fundit më 20 tetor – do të transmetohet fjala e Bartolomeut I Patrikut të Kostandinopojës, do të jenë të pranishëm prof. Anrea Riccardi, themelues i Komunitetit të Shën Egjidit, kryeipeshkvi francez imzot Dominique Lebrun, titullar i dioqezës së Rouen, ku është vra atë Hamel, filozofi ateist Zygmunt Bauman e shumë personalitete tjera nga mbarë bota.
Pas Lutjes për Paqen – që do të mbahen në vende të ndryshme sipas besimit të feve të ndryshme – do të zhvillohet një procesion prej vendeve të lutjes që do të përfundojë në sheshin e ultë të Shën Françeskut, ku do të mbahet fjala e mbylljes nga Papa Françesku dhe leximi i Apelit për Paqen, të cilin fëmijët do t’ia dorëzojnë ambasadorëve të pranishëm në Assisi, para ndezjes së qirinjve dhe shkëmbimit të shenjës së paqes.
| All the contents on this site are copyrighted ©. |