2016-09-12 14:42:00

Zollner: Papa takohet me viktimat italiane të abuzimeve me të miturit


Konsolidohet impenjimi i Kishës në mbrojtje të të miturve kundër çdo forme abuzimi. Të shtunën, Papa Françesku u takua me dy viktima italiane të shpërdorimeve të anëtarëve të klerit. Ndërkaq, dje, përfunduan në Vatikan, punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, filluar më 5 shtator. Ndër temat e diskutuara: caktimi i një dite lutjeje për viktimat, realizimi i një udhërrëfyesi për Konferencat Ipeshkvnore dhe publikimi i tij në faqen e internetit të Komisionit. Gjatë asamblesë u nënvizua rëndësia e dokumentit papnor “Si nënë e dashur”, ku theksohet përgjegjësia e ipeshkvijve në impenjimin kishtar për edukimin. Në mikrofonin tonë, reflektimi i njërit prej anëtarëve të Komisionit, atë Hans Zollner:

Një nga përvojat e reflektimet ishte kjo: duhet të lëvizim në shumë nivele e në shumë fusha. Kësaj radhe folëm për linjat udhëheqëse të një modeli apo formati, që duam t’ia nënshtrojmë gjykimit të Atit të Shenjtë. Mund të jetë frymëzim për Konferencat Ipeshkvnore që të përmirësohen edhe më shumë, ose të punojnë në disa fusha, në të cilat nuk janë impenjuar aq sa duhet. Tema tjetër është ajo e lutjes, ajo e asistencës shpirtërore për viktimat, për ata që e duan këtë lloj ndihme e madje, e presin. Pasi ia dorëzuam propozimin disa muaj më parë, Ati i Shenjtë reagoi, duke kërkuar një ditë lutjeje për viktimat e abuzimeve. U është dërguar një letër Konferencave Ipeshkvnore, në mënyrë që të propozojnë një datë e një formë të përshtatshme për Kishën lokale. Gjatë kësaj jave, do të kemi mundësinë të takojmë ipeshkvijtë e sapoemëruar, si në tokat e misionit – pra, ata që bëjnë pjesë në Kongregatën për ungjillëzimin e popujve – ashtu edhe ata, që i përgjigjen Kongregatës për ipeshkvijtë. Kardinali O’Malley, viktima e abuzimeve Mary Collins dhe unë kemi mundësinë t’u japim atyre një mesazh të rëndësishëm.

Të shtunën, Papa Françesku është takuar me dy viktima të abuzimeve? Po ju si Komision?

Komisioni nuk është takuar me Atin e Shenjtë, por dy viktima italiane të abuzimeve janë takuar me Papën në kuadrin e audiencës jubilare të së shtunës. Gjatë takimit i dorëzuan edhe dy libra me tituj “Xhulia dhe ujku” dhe “Dua të ringjallem nga plagët e mia”. I pari flet për një të re, abuzuar nga një prift në Itali, i pari libër i këtij lloji në vend. Tjetri flet për gratë e shuguruara, me të cilat abuzojnë disa meshtarë. Papës i bëri shumë përshtypje, siç më thanë dy zonjat, dhe kërkoi ta ndjekë punën personalisht, siç ka ndodhur vazhdimisht gjatë këtyre viteve të fundit, si me Papën Françesku ashtu edhe me Benedektin XVI.








All the contents on this site are copyrighted ©.