2016-09-12 00:00:00

Sapë: Nënë Tereza lajmëtare e Mëshirës së Zotit


Dioqeza e Sapës, me rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezes, në shenjë falenderimi dhe mirënjohje ndaj figurës së bijës shqiptare që nderoi kombin tonë dhe mbarë botën, ndër aktivitetet e shumta qe ka organizuar gjatë kësaj jave, ishte edhe Konferenca me titull "Lajmëtare e Mëshirës së Hyjit", kushtuar jetës dhe veprës së Nënë Terezes, kushtuar Nobelistes së Paqes.  

Me ftesë të Administratorit Dioqezan të Sapës D. Simon Kulli, nderoi me praninë e tij Postulatori i Kanonizimit të Nënë Terezes, Atë Brian Kolodiejchuk, M.C.; Profesor, Anton Nikë Berisha, dhe Fra Gazmend Tinaj. D. Simon Kulli e cilësoi figurën e Nënë Terezes një figurë shumë komplekse, tejskajshmërisht e pasur, si Nanë Botërore, misionare dhe nobeliste e paqes, nënë e dashurisë dhe e mëshirës.

Në praninë e atuoritetit të lartë fetar, Kryetarit të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Arqipeshkvi i Shkodër-Pult, Imzot Angelo Massafra, autoriteteve civile, meshtarëve dhe motrave, relatorët mbajtën ligjëratat e tyre mbi keto tema: "Nata e errët", mbajtur nga Atë Brian; "Lutja është zëri i Zotit në thellësinë e zemrës” për të cilën foli Prof. Antoni, dhe e "E etur për të shuar etjen" me ligjërues fra Gazmendin.

Gjatë trajtimit të këtyre temave, në fokusin e tyre ligjëruesit trajtuan më ne detaje dëshminë e dashurisë ndaj Hyjit dhe pasurinë shpirtërore të Nanës Tereze, që edhe në thëniet dhe mendimet më të qenësishme të jetës dhe veprimit të saj dhënë para Anëtarëve të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, tha: “Jam vetëm një grua e varfër që lutet. Duke u lutur, Zoti më ka mbushur zemrën me dashuri dhe kështu kam mundur t’i dua të varfrit me dashurinë e Hyjit”

E ndërsa aktivitetet do të vazhdojnë edhe sot gjatë gjithë ditës, kujtojmë se Kremtimi Solemn i Meshës së Falenderimit do të jetë nesër me dt. 10. 09. 2016 - në orën 10.00 në Katedralen e parë në botë që i kushtohet Nënë Terezes në Vau-Dejës. Do të jetë një ngjarje madhështore dhe falenderuese ndaj Hyjit, për dhuratën e bërë në personin e Nanë Terezes, duke e ngritur atë në altarin e Shenjtërve. Priten të jenë pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria, si hierarkia e Kishës Katolike në Shqipëri, ashtu edhe autoritet e larta shtetërore, mbarë kleri katolik dhe të besimeve të tjera, ku të gjithë së bashku do të gëzojnë për bijën shqiptare që bëri emër me thirrjen kushtuar Zotit dhe shërbimit të saj misionar botëror. Mesha do të udhëhiqet nga Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Arqipeshkëvi i dioqezës Shkodër-Pult, Imzot Angelo Massafra.

Nga Vau-Dejës njoftoi Violeta Marashi








All the contents on this site are copyrighted ©.