2016-09-12 12:00:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”: pa Zotin jemi tepër të varfër për të ndihmuar të varfërit


Kapitulli X i librit “Njoha një shenjtore”, që kardinali Angelo Comastri ia kushton Nënë Terezës, përshkruan takimet e vetë kardinalit me shenjten shqiptare të dashurisë. Pikërisht këtë kapitull fillojmë sot, në emisionin e 35-të të rubrikës sonë.

Hera e parë që takova Nënë Terezën, shkruan kardinali Comastri, u mahnita nga vështrimi i saj: më pa me ata sy të qashtër e depërtues. Pastaj, më pyeti: “Sa orë lutesh në ditë?”

Mbeta i habitur nga një pyetje e tillë e provova të mbrohesha, duke i thënë: “Nënë, prej jush pres të më flisni për bamirësinë, pres ftesën për të dashur më shumë të varfërit. Pse më pyesni sa orë lutem?”

Nënë Tereza më mori duart dhe i shtrëngoi në të sajat, si për të më transmetuar çfarë kishte në zemër; pastaj, në mirëbesim, më tha: “Biri im, pa Zotin jemi tepër të varfër për të ndihmuar të varfërit! Mbaje mend: unë jam vetëm një grua e varfër, që lutet. Duke u lutur, Zoti ma mbush zemrën me Dashurinë e Tij e kështu, mund t’i duan të varfërit. Duke u lutur!”

Nuk i kam harruar kurrë takimin dhe fjalët e saj: sekreti i Nënë Terezës qëndron i gjithi këtu. Jemi parë prapë edhe shumë herë të tjera (e fundit më 22 maj 1997: tre muaj para vdekjes), por çdo veprim e çdo vendim të Nënë Terezës i kam konsideruar gjithnjë mrekullisht koherentë me këtë bindje të fesë: “Duke u lutur, Zoti ma mbush zemrën me Dashurinë e Tij e kështu…”.








All the contents on this site are copyrighted ©.