2016-09-12 12:32:00

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: Zoti na do e fal gjithmonë


“Nuk ka mëkat në të cilin nuk kemi ra e nga i cili, me hirin e Zotit, nuk mund të çohemi e të ringjallemi; nuk ka njeri që s’mund të përmirësohet, nuk ka njeri të pashërueshëm”. Kështu pohoi mes tjerash – dje gjatë lutje së Engjëllit të Tënzot - Papa Françesku duke iu referuar Ungjillit të kësaj së diele dhe shtoi duke thënë se “Zoti e do gjithmonë të mirën tonë, Ai na do pambarimisht, edhe atëherë kur mëkatënojmë”.

Kapitulli 15-të i Ungjillit të Lukës, që konsiderohet – tha Papa – si “kapitull i mëshirës”, përmbledh tri shëmbëlltyra përmes të cilave Jezusi u përgjigjet thashethemeve dhe pakënaqësisë së skribëve e farisenjve. Në shëmbëlltyrën e parë Hyji paraqitet si një bari që le 99 delet “për të shkuar në kërkimin e asaj të humbur”. Në shëmbëlltyrën e dytë është krahasuar me “një grua që ka humbur një monedhë dhe atë e kërkon derisa nuk e gjen”. Në shëmbëlltyrën e tretë Zoti është imagjinuar si “një atë që e pret djalin që ishte larguar” nga shtëpia. Festa e Zotit për ata njerëz që kthehen tek Ai të penduar – tha Papa – përkon aq shumë me Vitin jubilar që po kremtojmë:

Me këto tri shëmbëlltyra, Jezus na paraqet fytyrën e vërtetë të një Zoti: një Ati me krahë të hapur, që trajton mëkatarët me butësi e dhembshuri. Është shëmbëlltyra më prekëse – mallëngjen të gjithë -, sepse tregon dashurinë e pakufishme të Zotit, dashurinë e atit që e shtrëngon fort, e përqafon të birin e rigjetur”.

Ajo që të prek më së shumti – pohoi Ati i Shenjtë Bergoglio – nuk është aq “historia e mjerë e një të riu që zhytet në degradim, por fjalët e tij vendimtare:

Dot të çohem e do të shkoj tek im atë” (Lk15,18). Udha e kthimit drejt shtëpisë është udha e shpresës dhe e jetës së re. Zoti pret gjithmonë të vihemi sërish në udhën e kthimit, na pret me durim, na sheh kur akoma jemi larg, na del me vrap në takim, na përqafon, na puth, na fal. Kështu është Zoti. Kështu është Ati ynë! E falja e tij e shlyen të kaluarën dhe na rilindë në dashuri. E harron të kaluarën: kjo është pafuqia e Zotit. Kur na përqafon e na fal, e humbë memorien, nuk ka memorie! E harron të kaluarën. Kur mëkatari konvertohet e lejon të gjendet nga Zoti, nuk e presin më qortimet e ashpërsitë, sepse Zoti shpëton, e pranon sërish në shtëpi me gëzim dhe bënë festë”.

Pastaj Papa Françesku u drejtoi të gjithëve një pyetje:

A keni menduar ndonjëherë se çdo herë kur i afrohemi rrëfyestores, në qiell ka gëzim e festë? A e keni menduar këtë? Është gjë e bukur!”.

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku kujtoi se dje në Karakanda, në Kazakistan, u shpall i lum Ladislau Bukowinski, prit e famullitar, i persekutuar për fenë e tij.

Në  jetën e tij – tha Ati i Shenjtë – ka dëshmuar përherë një dashuri të madhe për të varfrit e nevojtarët dhe dëshmia e tij na duket si një përmbledhje e veprave të mëshirshme shpirtërore e trupore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.