2016-09-12 11:36:00

Më 12 shtator Kisha kremton festën e Emrit të Marisë Virgjër


Më 12 shtator kalendari Kishtar katolike kremton festën e Emrit të Zojës Mari. Në festën e sotme kushtuar “Emrit të Marisë” avokate e njerëzve pranë Zotit, urojmë të gjitha gratë që quhen Mari, duke kujtuar në mënyrë të veçantë, nënat dhe motrat tona, që mbajnë këtë emër.

Kujtojmë se festa kushtuar Emrit të shenjtë të Virgjërës Mari u kremtua për herë të parë, me lejen e Romës, në Kuenka të Spanjës në vitin 1513. E ndërprerë nga Shën Piu V, nisi të kremtohej përsëri nën papninë e Sikstit V e më pas u shtri edhe në mbretërinë e Napolit e në Milano. Më 12 shtator 1683, kur Gjon Sobieski me polakët e vet fitoi mbi hordhitë turke që kishin rrethuar Vjenën, duke kërcënuar krishterimin, i Lumi Inoçenci XI, për t’i shprehur mirënjohjen e thellë Zotit, e shtriu festën në mbarë Kishën universale dhe e caktoi festimin të dielën para Tetëditshës së Krishtlindjes. Papa Shën Piu X e shënoi në Kalendar më 12 shtator, kur vijon të kremtohet edhe sot.

Në historinë ka pasur shumë shpjegime ekzegjezistike për kuptimin e emrit Mari. Një prej tyre e shpjegon me fjalën ‘hidhërim’. Këtë shpjegim e japin disa Rabinë, të cilët e nxjerrin emrin Miryam nga rrënja MRR, që në hebraishte do të thotë “të jesh i hidhur”. Sipas tyre shpjegohet kështu nga Maria, motra e Moisiut, që u quajt me këtë emër, sepse kur lindi, Faraoni nisi ta bëjë gjithnjë më të hidhur jetën e hebrenjve.
Edhe ne, të krishterët, mund ta pranojmë këtë shpjegim, duke pasur parasysh hidhërimin e thellë që përballoi Virgjëra Mari në rrugën e Kryqit për shëlbimin tonë.

Shpjegime të tjera janë: “Mësuese e Zonjë e detit”, nga hebraishtja Moreh (Zonjë) dhe Yam (det), gjithnjë lidhur me Marinë, motrën e Moisiut, që ishte mësuese e grave hebreje kur kalonin Detin e Kuq. Virgjëra Mari është Mësuese e Zonjë e detit të këtij shekulli, të cilin na bën ta kapërcejmë duke na shoqëruar drejt qiellit. “Ndriçuese, Yll i detit”, nga parashtesa hebraike emërore M + Or (dritë) + Yam (det). “Shi stinor” – nga hebraishtja Moreh – shiu i parë i stinës. Maria konsiderohet si ajo që resh nga qielli një shi hiresh. “Lartësi” nga hebraishtja Marom – Lartësi qiellore. Tek Shën Luka gjejmë shprehjen “Na ka vizituar një diell që lind “nga lart” e kjo fjalë “Nga lart” është shpjeguar “nga Maria”.

Cila është më e drejta nga të gjitha këto hamendje? Ndoshta Provania hyjnore na la në dyshim, që në emrin e Marisë të gjejmë njëkohësisht të gjitha kuptimet që na shtjellon analogjia e fesë .








All the contents on this site are copyrighted ©.