2016-09-11 09:00:00

Shëlbimi, në qendër të audiencës jubilare të Papës Françesku


Papa Françesku mbajti dje audiencën e përgjithshme jubilare në Vatikan, pas asaj të së shtunës së kaluar kushtuar Nënë Terezës. Zakonisht këto audienca mbahen një herë në muaj, por shenjtërimi i Misionares shqiptare të Dashurisë, të cilin Ati i Shenjtë e konsideroi ngjarje të Jubileut të Mëshirës, e nxiti të mbante për besimtarët pikërisht atë audiencë kushtuar një nëne të mëshirës si Ganxhe Bojaxhija.

Ndërsa dje, Papa Françesku përqendrua në fjalën “Shëlbim”, pra në shpëtimin, që iu dhurua të gjithë njerëzve, me flijimin e Birit të Zotit, Jezu Krishtit, siç nënvizohet në Letrën e parë të Pjetrit, që citoi Ati i Shenjtë. “Duket – analizoi Bergoglio gjendjen aktuale të botës – se njeriu i sotëm nuk do të mendojë se çlirohet e shpëtohet nga ndërhyrja e Zotit; vërtet, ka iluzionin se është liria e vet forca për të fituar gjithçka. Por në të vërtetë, nuk është kështu”.

Sa skllavëri të reja krijohen në botë, në emër të lirisë së rreme. Kemi nevojë, theksoi Papa Françesku, që Zoti të na çlirojë nga çdo formë indiference, egoizmi dhe vetëbesimi të tepruar. Natyrisht, komentoi Ati i Shenjtë, jeta na vë në provë, por në këto çaste ftohemi ta hedhim vështrimin kah Jezusi i kryqëzuar, që vuan për ne e me ne. Ai është prova e sigurtë se Zoti nuk na braktis. Mund të zbulojmë shenja të kujdesit të Tij përditë. “Sa më shumë jemi në nevojë – theksoi Papa – aq më shumë vështrimi i Hyjit mbushet me mëshirë. Ai ndjen dhembshuri plot mëshirë për ne, sepse i njeh dobësitë tona”.

Në audiencë morën pjesë edhe të rinjtë e fëmijët e Veprimit Katolik Italian, të cilët pasdite, u mblodhën në Sallën Pali VI në Vatikan, në dialog me sekretarin e përgjithshëm të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, imzot Nunzio Galantino.








All the contents on this site are copyrighted ©.