2016-09-09 14:51:00

Shpallet programi i udhëtimit të Papës në Suedi


Salla e Shtypit të Vatikanit ka publikuar sot programin e udhëtimit apostolik të Papës në Suedi, me rastin e përkujtimit të përbashkët luterano-katolik të Reformës. Papa Françesku do të niset në mëngjesin e 31 tetorit drejt Malmo-s, ku në aeroportin ndërkombëtar të qytetin do të mbahet ceremonia e pritjes zyrtare rreth orës 11.00.

Gjithnjë ditën e 31 tetorit, Papa do t’i bëjë një vizitë familjes mbretërore në Lund. Pastaj, në Katedralen luterane do të kremtohet një Lutje ekumenike e përbashkët, në vijim në stadiumin e Malmo-s do të mbahet një takim publik me delegacionet ekumenike. Një ditë pas, Papa Françesku do të kremtojë Meshën me komunitetin katolik suedez, gjithnjë në Malmo, e kështu do të kthehet në Romë, ku pritet të mbërrijë rreth orës 15.30.

Katolikë e luteranë: lutje falënderimi, pendese e dëshmie të përbashkët.

Kremtimet e përbashkëta të Federatës Luterane Botërore dhe Kishës Katolike Romake – nënvizonte një deklaratë e përbashkët e 1 qershorit të kaluar – , synojnë të nxjerrin në pah 50 vjet bashkëpunimi e dialogu ekumenik, si edhe dëshminë e përbashkët të krishterë, duke kërkuar falje për ndarjen ndërmjet dy traditave.

Katedralja e Lundit, vijonte nota 1 qershorit të kaluar, do të jetë vendi, ku do të zhvillohet lutja e përbashkët, bazuar në udhëzuesin liturgjik katoliko-luteran, publikuar kohë më parë, me titull “Lutja e Përbashkët”. Ai e ka bazën në dokumentin “Nga konflikti tek bashkimi”. Ndërkaq, stadiumi i Malmo-s do të jetë skenari, ku do të zhvillohen të gjitha veprimtaritë kushtuar dëshmisë së përbashkët të katolikëve dhe të luteranëve në botë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.