2016-09-09 11:44:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”: Muggeridge


Vijojmë të shfletojmë kapitullin IX të librit “Njoha një shenjtore”, të cilin kardinali Angelo Comastri ia kushton Nënë Terezës, shenjtes shqiptare të bamirësisë e të dashurisë së krishterë. Titullohet “Ricciardetto dhe Muggeridge: shpirtra të pështjelluar nga dashuria e jetuar me vërtetësi” e tregon për takimin e këtyre dy gazetarëve të njohur me Nënë Terezën. Dje folëm për Ricciardetto-n, gazetar italian.

Një histori e ngjashme me atë të Ricciardetto-s është ajo e Malcolm Muggeridge, gazetar i njohur dhe i vlerësuar i BBC-së. Në rini, Malcolm u josh nga miti komunist. Por, pasi vizitoi “parajsën…e ferrit” të Rusisë dhe të Ukrainës, në kohën e Stalinit, ndryshoi vendosmërisht mendje.

Shkoi në Kalkutë, në vitin 1969, me qëllimin e thjeshtë e të parrezikshëm për të xhiruar një film mbi jetën e Nënë Terezës dhe të motrave të saj, në Shtëpinë e Zemrës së Papërlyer, që disa evropianë, me pak përbuzje, e quanin “Shtëpia e grahmave të Kalkutës”.

Malcolm nuk besonte në Zot e kërkoi të filmonte jetën, që rridhte brenda dy dhomave të mëdha, ku priteshin përditë shumë të varfër, shumë të sëmurë e njerëz në prag të vdekjes. Ndodhi menjëherë diçka e pashpjegueshme. Ja tregimi i tij: “Pjesë e detyrave të murgeshave është të mbledhin rrugëve të Kalkutës njerëzit në prag të vdekjes dhe t’i çonin në një ndërtesë – ish-tempull kushtuar kultit të hyjneshës Kalì – dhuruar Nënë Terezës që, siç thotë ajo, të vdesin duke parë një fytyrë, që i do. Disa vdesin: të tjerë mbijetojnë dhe kurohen.

Kjo Shtëpi për njerëzit në mbarim të jetës ndriçohet shumë pak nga dritare të vogla në majë të mureve e kameramani ishte i bindur kur tha se të filmoje aty brenda ishte e pamundur. Kishim me vete një prozhektor shumë të vogël e ishte e paimagjinueshme ta ndriçonim si duhej lokalin brenda kohës, që kishim në dispozicion. Megjithatë, u vendos të filmohej. Si masë paraprake, operatori filmoi skena në oborrin e jashtëm, ku disa po rrinin të ulur në diell. Kur e lamë filmin, pjesa e filmuar brenda doli e mbështjellë me një dritë të bukur, veçanërisht të butë, ndërsa pjesa e filmuar jashtë dukej gri dhe e pështjelluar.

Si shpjegohet kjo? Operatori televiziv ka ngulur gjithnjë këmbë se teknikisht, rezultati i arritur ishte i pamundur. E për ta provuar pohimin e vet, në udhëtimin e tij të mëpasëm për një dokumentar në Lindjen e Mesme, përdori të njëjtin film, në po atë gjendje me dritë të dobët, me rezultate krejtësisht negative. Tani, ai nuk mund të japë asnjë shpjegim, por thjesht, ngre supet dhe pranon se atëherë, ashtu ndodhi. Unë jam absolutisht i bindur se ajo dritë, teknikisht e pashpjegueshme, është në të vërtetë “Kindly Light”, “Drita e Ëmbël” për të cilën flet Henry Newman në himnin e tij të famshëm e plot shije, që, siç më rezulton tani, është hequr nga librat moderne të këngëve fetare, sepse mbahet si tepër pesimist” (M. Mudgeridge, “Diçka e bukur për Zotin”, Shtëpia Botuese Paoline, Romë, 1978, faqe 39-40).

Por mrekullia e vërtetë qe një tjetër. Malcolm Mudgeridge shqyrtoi me kujdes ç’bëhej në dy dhomat e mëdha të fjetjes e pastaj, mori guximin t’i thoshte Nënë Terezës: “Nënë, këtu ka material të mjaftueshëm për ferrin në tokë. Këtu ka mjerim, këtu ka njerëz të ushqyer keq, këtu ka skeletë të mbuluar vetëm nga lëkura, këtu ka vdekje, e sheh në fytyrë… e megjithatë, këtu të gjithë buzëqeshin, këtu nuk ka dëshpërim, por gëzim jete. Pse o Nënë?”.

Nënë Tereza po i jepte të hante një gruaje të shkretë, të paushqyer e të sapomarrë nga rruga. U ndal për disa çaste, pa gazetarin dhe pastaj, iu përgjigj: “Këtu nuk ka ferr, këtu ka parajsë, sepse këtu ka dashuri!” E pastaj, me qetësi, vazhdoi t’i jepte të hajë gruas, që e mbante gojën të hapur si ajo e një fëmije, që pret qumështin e nënës.

Malcolm Mudgeridge mbeti pa fjalë. E meqë ishte intelektualisht i ndershëm, deshi të gërmonte më tej brenda misterit të asaj shenjtërie të pazakontë, andaj pyeti: “Po ku e gjeni forcën për të dashur, ku e gjeni forcën për të buzëqeshur… këtu?”

Nënë Tereza u tregua jashtëzakonisht e sinqertë dhe e sfidoi gazetarin, duke i thënë: “Ejani nesër, në orën 6 të mëngjesit, në portën e kuvendit tonë të vogël. Do ta kuptoni ku e gjejmë forcën për të dashur e për të buzëqeshur”.

Të nesërmen, i përpiktë, si anglez i vërtetë, Malcolm u gjend në portën e kuvendit të vogël.

Nënë Tereza, e përpiktë edhe ajo, e priti dhe e çoi në kapelën e vogël, pa stola për t’u ulur, ku një radhë murgeshash me sarin e grave që s’i llogariste kush, ishin përqendruar në lutje e prisnin kremtimin e meshës shenjte.

Malcolm Mudgeridge mori pjesë në heshtje e gjithçka iu duk e thjeshtë, e përvuajtur e, edhe pak e mistershme dhe e mërzitshme.

Pyeste veten: “Po ç’bëjnë këto murgesha? Me kë flasin? Çfarë marrin me atë hoste të vogël? A është e mundur që këtu të jetë i gjithë sekreti?”. Pasi përfundoi mesha, ndërsa Nënë Tereza me hap të shpejtë shkonte drejt të varfërve të saj, i tha gazetarit: “A e patë? Këtu qëndron i gjithë sekreti. Është Jezusi, që na i mbush zemrat me Dashurinë e Tij e ne, thjesht, shkojmë për t’ua dhuruar të varfërve, që takojmë rrugës”.

A e dini si përfundoi kjo histori? Gazetari indiferent, pas pak kohësh, kërkoi të merrte Pagëzimin dhe të bëhej katolik, me këtë motivacion të mrekullueshëm: “Dua të bëhem katolik për të marrë atë Eukaristi Shenjte, që shkakton në atë grua shenjte, atë mrekulli dashurie e gëzimi”.

E kështu ndodhi. Dashuria e jetuar e çoi Malcolm Mudgeridge në hrahët e Dashurisë së Gjallë, që është Krishti.

Pse kungimi ynë nuk sjell të njëjtin efekt? Të reflektojmë seriozisht për këtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.