2016-09-09 00:00:00

Programi i vizitës së Papës në Asizi për lutjen kushtuar paqes


Salla e Shtypit e Vatikanit bëri të njohur programin e vizitës së Papës Françesku në Asizi, më 20 shtatorin e ardhshëm, për Ditën botërore të lutjes kushtuar Paqes me temë: “Etje për Paqen”. Fetë e Kulturat në dialog”.

Papa do të niset  më 20 shtator në orën 10.30, me helikopter nga Vatikani, për të arritur, një gjysëm ore më pas, në  fushën sportive “Migaghelli”, në Shën Marinë e Engjëjve. Më pas do të shkojë në Kuvendin e Shenjtë të Asizit, ku do të jenë Patriku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I; Kryeipeshkvi i Canterbury, Justin Welby; Patriku Siro-Ortodoks i Antiokisë, Efrem II; një përfaqësues i Hebraizmit dhe i Islamit si dhe Kreu më i lartë i Budizmit Tendai (Japoni). Të gjithë së bashku do të shkojnë në Kiostrin e Sitit IV, ku  do të jenë të pranishëm përfaqësuesit e Kishave dhe të feve botërore si dhe ipeshkvijtë e Umbrias, që Papa  do t’i përshëndesë veçanërisht.

Në orën 13.00 në mencën e Kuvendit të Shenjtë do të shtrohet dreka, në të cilën do të marrin pjesë edhe disa viktima të luftës. Kryetari i Bashkësisë së Shën Egjidit, Marco Impagliazzo, do të kujtojë 25-vjetorin e Patriarkatit të  Bartolomeut I. 

Në orën 15.15 Papa do të takohet me Patrikun Bartolomeu I, kryeipeshkvin Justin Welby, Patriarkun Efrem II dhe përfaqësuesit e Hebraizmit e të Islamit.

Në orën 16.00, në disa vende do të kremtohen çaste lutjeje për paqen. Të krishterët do të kremtojnë një lutje ekumenike në Bazilikën e poshtme të Shën Françeskut.

Në orën 17.15, si të ketë përfunduar lutja, në Sheshin para Bazilikës së poshtme, në praninë e të gjithë përfaqësuesve të feve të ndryshme, do të  zhvillohet ceremonia përfundimtare, ku do të lexohet një mesazh. Ndërsa pas fjalimit të Papës, do të lexohet thirrja për paqen, që do t’u dorëzohet fëmijëve të kombeve të ndryshme. Pason një çast heshtjeje për viktimat  e luftërave; pastaj, nënshkrimi i Thirrjes për Paqen, ndezja e dy shandanave dhe shkëmbimi i përshëndetjes së paqes.

Në orën 18.30 Papa Françesku do të përshëndetet me të pranishmit dhe do të shkojë në heliportin e Shën Marisë së Engjëjve.

Në orën 19.35, parashikohet arritja në Vatikan.  








All the contents on this site are copyrighted ©.