2016-09-09 00:00:00

Kujtojmë më 9 shtator kryengritjen antikomuniste organizuar në Postribë


Kujtojmë sot  më 9 shtator kryengritjen antikomuniste organizuar në Postribë. Ishte pra, 9 shtatori i vitit 1946, që shënoi revoltën e parë antikomuniste e me përmasa të mëdha, pasi në të u përfshinë me armë në dorë burra të Postribës, Shkodrës, Gurit të Zi,  Rrethinave, Oblikës e më gjerë, e kështu u shtri në një kryengritje të vendosur shqiptare antikomuniste, e cilësuar si e para e këtij lloji në Shqipëri e në Evropë. Një pjesë e protagonistëve e asaj ngjarje historike dhanë jetën për Shqipërinë, të tjerë u burgosën, u internuan dhe u persekutuan përgjatë viteve të errëta e mizore të diktaturës komuniste ateiste.

Kryengritja e Postribës e 9 shtatorit 1946, qe e motivuar me ideale të forta e të shnejta dhe e organizuar. Që në fillim postribasit dhe jo vetëm ata ishin të vetëdijshëm se e ardhmja e tyre dhe e Atdheut nuk ishte diktatura e komunizmit. Ata e dinin se të drejtat më themelore të njeriut mohoheshin e shkeleshin, se prona nuk do te ishte më e tyre, e dinin se komunistët nuk e pranonin besimin fetar në Zotin, i cili u vërtetua me një përndjekje të tmerrshme dhe tortura të pashembullta, e kështu qytetarët sakrifikuan jetën e tyre dhe atë të familjeve.

Në kryengritje të Pastribës nuk morën pjesë vetëm një grusht njerëzish, as vetëm ata që u prekën nga komunizmi, por gjithë populli i zonës, duke shënuar kryengritjen e parë antikomuniste në Shqipëri

Kur përkujtojmë këtë ngjarje, vlerësojmë faktin se shqiptarët qenë gjithmonë qytetarë që kërkuan lirinë, qenë të parët që flijuan deri edhe jetën për liri dhe ofruan vërtet paguan një sakrificë të madhe me gjak, me jetë, me sulme e përndjekje që regjimi komunist i bëri Postribës, Shkodrës. Pastaj për ta mbajtur nën hijen e frikës dhe burgut të gjithë shoqërinë shqiptare, të gjithë qytetarët shqiptarë, kaluan një kalvar të tmerrshëm, një periudhë nën errësirë të plotë vlerash antinjerëzore, antishpirtërore, antimorale e antishqiptare.

S’ka dyshim se kryengritja e Postribës shënohet në historinë e shqiptarëve, si ngjarja me e madhe nga viti 1944 deri në vitin 1990. Kujtimi i përvjetorit të Kryengritjes Antikomuniste të Postribës është me shumë vlerë, është një rast i volitshëm për të hedhur dritë mbi ngjarjet e përgjakshme të diktaturës, për të nderuar antikomunistët dhe demokratët e parë, dhe për t’u treguar brezave të rinj të vërtetën mbi sakrificat që kanë bërë shqiptarët për liri.








All the contents on this site are copyrighted ©.