2016-09-08 12:38:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”: Ricciardetto


Në librin e tij “Njoha një shenjtore”, kardinali Angelo Comastri i kushton një kapitull të tërë dy gazetarëve, të cilët edhe pse ateistë, u mahnitën nga vepra e Nënë Terezës. Njërit prej tyre, takimi me shenjten shqiptare ia ndryshoi krejtësisht jetën. Por sot do të flasim për tjetrin, për Ricciardetto-n, gazetar italian.

         Ricciardetto është pseudonimi i Augusto Guerriero (1893-1981), i cili ka qenë gazetar i famshëm e shkrimtar akut e therës. Me fenë pati marrëdhënie të vështira, të shqeta, plot mundime.

         Në revistën e njohur “Epoka” (Epoca) ai pati hapur për një kohë të gjatë me lexuesit, një dialog 360 gradësh, por, sillu e pështillu, tema e fesë dilte në pah vazhdimisht: ishte tortura e vërtetë e gazetarit Augusto Guerriero.

         Në numrin 537 të “Epokës” botohet letra e një të riu, të sëmurë me tuberkuloz, që e ndjen se po i afrohet vdekja dhe me shpirt i drejtohet Ricciardetto-s.

         I shkruan: “Nëse do të kisha ngushëllimin e fesë, mund të strehohesha në të e në të do ta dorëzoja domosdoshmërisht veten. Por, fatkeqësisht, fenë e kam humbur prej kohësh. Prandaj, nuk e kam atë siguri, që u jep mundësinë të tjerëve të ndahen qetësisht me këtë jetë. E për këtë arsye, po ju drejtohem juve. E admiroj qetësinë tuaj dhe ju kam zili. Jam i sigurtë se një letër nga ju do të më lehtësonte”.

         Ricciardetto, që deklarohej jo besimtar, përgjigjet kështu: “E për ç’mund t’ju shërbejë një letër nga unë? Unë nuk shkruaj tjetër, veçse për politikë; e ç’mund t’ju shërbejë që unë t’ju shkruaj për politikë? Juve duhet t’ju flas për gjëra të tjera e unë nuk shkruaj kurrë për ato gjërat e tjera, nuk i mendoj, e pikërisht për të mos i menduar, shkruaj për politikë e për ngjarje, të cilat, në fund të fundit, nuk kanë aspak rëndësi për mua. Kështu, arrij ta harroj vetveten dhe mjerimin tim. E ky është edhe problemi im: të gjej mënyrën për të harruar vetveten dhe mjerimin tim”.

        Nga kjo përgjigje e qartë dhe e ndershme kuptohet se Ricciardetto ndodhej në mjegullnajë, por kërkonte një dritë, që nuk arrinte ta gjente.

         Në numrin 1043, gjithnjë të revistës “Epoka”, një lexuese, e cila e quan veten katolike dhe praktikante, ankohet se përgjigjet e Ricciardetto-s i kanë shkaktuar krizë shpirtërore të fejuarit, Albertit. I shkruan: “I dashur Ricciardetto, tani ky djalë po e humb fenë – i shkreti Albert! – e në këtë pikë, nëse është i sinqertë me mua, nuk e çoi vetëm jeta, ndoshta e bukur, sigurisht e ashpër, e njeriut të detit, të cilën e ka zgjedhur vetë, por që shpejt, e bëri të humbë të gjitha iluzionet. Ishin edhe disa nga artikujt tuaj – me tekstet e këshilluara prej jush – që kontribuan në lëkundjen e fesë së këtij të riu.

         Sigurisht që s’mund t’ju them, siç bëjnë disa të tjerë, të hiqni dorë nga këto diskutime. Ato mund t’u interesojnë shumë si atyre, që vazhdojnë të besojnë në Zot, si atyre që ndodhen në kampin tjetër. Por: e ata, që ndodhen në mes? E të brishtët? Më thoni çmendoni për këta ju, i dashur Ricciardetto? Sa Albertë ka, që mbi bazën e një këshille tuajën, zhyten e do të zhyten në shkrimet e Loisy-t, të Renan-it… e mjaft, në mënyrë që para tyre, tekstet e katekizmit gati të harruar të fëmijërisë e ajo pak fe, që mësohet njëfarësoj nëpër shkolla, të duken diçka e mjeruar? E aq duhet. Ja një thesar i hedhur, sepse nuk kuptohet mirë.

         Edhe juve që nuk besoni në Zot, a nuk ju duket gjë e trishtë të shohësh një të ri, që e humb fenë? Unë nuk e di, por mendoj se duhet të jetë një përvojë e hidhur, që të lë një boshllëk të madh brenda vetes.

         A e dini ç’më thoshte ky djalë?...

         Më thoshte sa ju admironte për stilin tuaj të papërsëritshëm, për atë përshtypjen e bisedës së drejtpërdrejtë, që shkrimet tuaja në revistën “Epoka” më lënë edhe mua, ashtu si atij. Ndërsa shumë priftërinj flasin e predikojnë kaq keq!

         Vendoseni njërin nga këta Albertët e rinj ndërmjet një shkrimi tuajin e një predikimi të tillë, që unë, pas dy minutash, preferoj të mos e dëgjoj… Kush nuk do t’ju jepte të drejtë, i dashur Ricciardetto? E natyrisht, por ky është problemi. Kush ka të drejtë? Me simpati e me shumë stimë…”

         Përgjigjja e Ricciardetto-s për vajzën e fejuar të fut në mendime. Thotë kështu: “Keni të drejtë. Sa herë jam betuar të mos shkruaj më për fenë, pikërisht për arsyet, që përmendni edhe ju. Por pastaj, shkruaj prapë.

         Mungesa e fesë nuk është si mungesa e çdo lloj pasurie tjetër morale e materiale. Për mua është dramë, një dramë e brendshme dhe e dhimbshme, që më ka ndodhur në prag të vdekjes, kur shpirti nuk ka më forca të reagojë e të risohet. A e dini se nganjëherë, kur e mendoj këtë, mallëngjehem? Po, pikërisht kështu, mallëngjehem e qaj për veten e për mjerimin tim. Por sa prej atyre, që predikojnë Fenë, e ndjejnë Fenë, ashtu siç e ndjej unë mungesën e Fesë?” Të bëjnë të mendosh këto fjalë, por ka edhe më.

         Në dhjetor 1973, Ricciardetto publikoi një libër me titull “Quaesivi et non iveni – Kërkova, por nuk gjeta”.

         Në hyrje shkruan: “Pavarësisht se interesat dhe studimet e mia u kushtohen gjithnjë politikës, shqetësimin për fatin tim, për fatin e të gjithëve, e mbaj gjithnjë në një qoshe të zemrës. Ç’do të ndodhë me mua? A kam të drejtë të jem ateist, pa ia kushtuar një pjesë të jetës sime studimit të problemit suprem? Ky është libri i një njeriu, i cili, pasi ka mbërritur në perëndim të jetës, e ka humbur paqen. Por ajo paqe, të cilën e gëzova për shumë e shumë vjet, ishte pavetëdije. Tani, nuk kam më paqe, por jam i vetëdijshëm për dramën time të brendshme”.

         Giovanni Pastorino, njeri me fe të flaktë, shkruan mbi “çështjen Ricciardetto”: “Në fund të fundit, Ricciardetto është tamam bir i shekullit tonë. Shekull, në gjendje të ndajë më katërsh një fije floku, por që ka harruar të pyesë kush është krijuesi i flokut. Zoti nuk është problem për t’u zgjidhur, është Njeri për t’u dashur. Një njeri, të cilit një grua e madhe si shën Tereza e Avilës i afrohej me dashuri të dridhshme. E që, pavarësisht nga të gjitha privilegjet e marra prej Tij, vazhdonte ta thërriste “Madhëria Juaj”. Për ta afruar Hyjin ekziston një rrugë tepër strikte: duhet “ta ulim hundën”. Nga ana tjetër, ata që e kanë ndjerë Zotin janë shenjtorët; duhet t’i pyesim edhe ata, të studiojmë jetën e tyre, të shqyrtojmë çfarë kanë bërë e pse e kanë bërë. Pse Ricciardetto nuk e bëri këtë?”

         E megjithatë, Ricciardetto e ndjeu praninë e Hyjit, e ndjeu ekzistencën e një horizonti të ndryshëm nga ai, që frekuentonte zakonisht, e ndjeu gjithë këtë kur u takua me Nënë Terezën e Kalkutës. Fjalët e tij, të cilat e rievokojnë takimin, janë gati një akt feje, ose, së paku, një deklaratë nostalgjie për fenë. Ja ç’thotë: “Nuk kam takuar kurrë ndonjë shenjt. Ky takim më mallëngjeu thellësisht. Nënë Tereza, në Indi, mban 46 mijë të gërbulur, shkolla dhe strehë për të rinjtë. Tani, ka hapur një shtëpi për të gërbulurit edhe në Jemen.

         ‘U japim pakëz dritë’ më tha. ‘Janë vëllezërit tanë. Lutuni për ta’. Ia putha dorën disa herë, atë dorë shenjte, që ka lehtësuar sa e sa vuajtje e dhimbje e nuk iu përgjigja, sepse mallëngjimi më pengonte të flisja. Ishte një engjëll, një engjëll i vërtetë bamirësie dhe feje, që më fliste, e në sytë e saj, shkëlqente drita e mesazhit të krishterë, të mesazhit të vërtetë të krishterë, që është dashuria. Unë e ndjeva gjithë kotësinë e botës, në të cilën jetoj, kotësinë e pasioneve, të luftrave, të ambicieve të saj. E pata ndjenjën therëse dhe të dhimbshme se kam jetuar kot. Sepse ka vetëm një ideal për të cilin ia vlen të jetosh: e ky është dashuria”.

         Sa të bukura janë këto fjalë! Kur ndokush e takonte, Nënë Tereza, edhe sikur të mos i thoshte asnjë fjalë, e bënte të turpërohej për egoizmin e vet: ky është një pushtet, që e kanë vetëm shenjtorët.








All the contents on this site are copyrighted ©.