2016-09-08 15:03:00

Papa, benedektinëve: manastiret, oaza të mëshirës së Zotit


Takimi i fundit i paradites për Papën Françesku qe ai me pjesëmarrësit e Kongresit ndërkombëtar të abatëve benedektinë, mbledhur në Romë. Ati i Shenjtë u kujtoi se manastiret apo kuvendet janë oaza përshpirtërie, ku bota vazhdon të gjejë mëshirën e Zotit.

Motoja, gjithnjë e vlefshme, e traditës benedektine “ora et labora” (lutu dhe puno), nënvizoi Papa, i edukon njerëzit të gjejnë ekuilibrin ndërmjet prirjes drejt Absolutes dhe impenjimit e përgjegjësive të përditshme. Kundrimi i fytyrës së Jezusit kthehet në shërbim për të tjerët:

“Duke u përpjekur, me hirin e Tënzot, të jetoni si njerëz të mëshirshëm në bashkësitë tuaja, ju kumtoni vëllazërimin ungjillor nga të gjitha kuvendet e shpërndara në çdo skaj të planetit; dhe e bëni këtë përmes asaj heshtjeje të ngarkuar me vepra, që e lë qartas të flasë Zotin në jetën e zhurmshme dhe të hutuar të botës”.

Klauzura e benedektinëve nuk është e shterpët, theksoi Papa, por është pasuri për njerëzimin e etur për Zotin. Përmes mikpritjes së tyre tipike, benedektinët janë në gjendje të prekin me dorë shpirtrat, që e kanë humbur rrugën e janë larguar nga Hyji, duke i ndihmuar të gjejnë vetveten. Ati i Shenjtë u tha rregulltarëve të mos shkurajohen nga zvogëlimi i numrit të thirrjeve apo nga plakja e disa bashkësive, por të themelojnë bashkësi të reja, edhe në vendet më të vështira:

“Shërbimi juaj për Kishën është shumë i çmuar. Edhe në kohën tonë ka nevojë për burra e gra, që nuk vënë asgjë para dashurisë së Krishtit (shih Rregulla e Shën Benediktit, 4,21; 72,11), që ushqehen përditë nga Fjala e Zotit dhe kremtojnë denjësisht liturgjinë shenjte, që punojnë me gëzim e zell, në harmoni me gjithësinë e krijuar prej Hyjit”.

Benedektinët qenë ata që shpëtuan kulturën evropiane, pjesa më e madhe e së cilës do të kishte humbur po të mos ishin kopistët benedektinë. Sot, ata janë 7 mijë në të gjithë botën, ndërsa murgeshat benedektine arrijnë dyfishin e këtij numri. Formohen në universitetet e tyre më se 160 mijë studentë, por ndër veprimtaritë kryesore të benedektinëve janë edhe mikpritja e emigrantëve në manastiret e tyre dhe dialogu ndërfetar, sidomos me budistët zen dhe me myslimanët.








All the contents on this site are copyrighted ©.