2016-09-08 14:24:00

Françesku: fetë të mos heshtin para shkeljes së të drejtave


Besimtari mbron jetën dhe Gjithësinë e krijuar nga Zoti, prandaj nuk mund të rrijë duarkryq kur të drejtat njerëzore shkelen paturpësisht. Kështu u tha Papa Françesku sot paradite, pjesëmarrësve të Takimit të parë me titull “Amerika në dialog. Shtëpia jonë e përbashkët”. Ati i Shenjtë uroi që fetë të bashkëpunojnë ngushtë në këtë drejtim. Simpoziumi filloi dje në Auditorin Agostinianum, i promovuar nga Organizata e Shteteve Amerikane dhe nga Instituti i Dialogut Ndërfetar të Buenos Airesit, në bashkëpunim me Këshillin Papnor për Dialogun Ndërfetar. Rreth 200 vetë morën pjesë në audiencën me Papën, në Sallën e Koncistorit, në Vatikan.

Besimtarët, këshilloi Papa, duhet ta mbrojnë jetën në të gjitha etapat e saj, duke filluar me integritetin fizik e deri tek liritë themelore. Për këtë, u kërkoi të bashkëpunojnë jo vetëm ndërmjet tyre, pavarësisht nga feja, por edhe me jo besimtarët, me të gjithë njerëzit vullnetmirë, për të cilët plagë të shoqërisë si uria, mjerimi, lufta, kriza ambientale, ajo e familjes e sidomos, mungesa e shpresës, kërkojnë shërim të menjëhershëm:

“Bota e sotme vuan e ka nevojë për ndihmën tonë të përbashkët, po na e kërkon këtë. … Fatkeqësisht, vërejmë me dhimbje se nganjëherë, emri i fesë përdoret për të kryer mizori, si terrorizmi. Është e nevojshme t’i dënojmë bashkërisht e qartë këto veprime të neveritshme dhe të distancohemi nga të gjithë ata, që përpiqen të helmojnë shpirtrat”.

Do të ishte gjë e bukur, përfundoi Papa Françesku, të lëmë për brezat e ardhshëm, një botë më të mirë se kjo e sotmja. Për këtë, duhet ndërtuar një botë më njerëzore, ku “ të gjithë të jemi të nevojshëm”.








All the contents on this site are copyrighted ©.