2016-09-07 14:46:00

Papa: jo, fesë ‘sipas dëshirës’! Zoti nuk është strehë psikologjike


Ekziston rreziku i një feje “sipas dëshirës” aq,  sa disa e përdorin emrin e Zotit deri për të përligjur dhunën; për disa të tjerë, Zoti është thjesht një strehë psikologjike; të tjerë akoma, e bëjnë fenë të papërshkueshme nga dashuria, që na shtyn drejt vëllezërve, duke e anuluar shtytjen misionare. Kështu u shpreh Papa në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në  Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e 25 mijë shtegtarëve, ardhur nga të katër anët e botës. Françesku kujtoi se Jezusi është mjet konkret i mëshirës së Atit.

Jo drejtësi, por mëshirë

Në qendër të vëmendjes në predikimin e Jezusit është, në radhë të parë, mëshira, jo drejtësia. Në audiencën e sotme të përgjithshme Papa i ftoi të gjithë të bëhen “artizanë të mëshirës”, si Shën Tereza e Kalkutës: Vetë Jezusi tregon se është  mjet konkret i mëshirës së Atit. Katekizmi i Papës u nis nga Ungjilli i shpallur. Shën Gjon Pagëzuesi i dërgon dishepujt e vet tek Jezusi, për ta pyetur nëse ishte vërtet ai Mesia. E Jezusi i përgjigjet me shenjat e kryera: ku shkel Ai, të verbërit rifitojnë dritën e syve, të vdekurit ngjallen, të varfërve u kumtohet Lajmi i Mirë. Gjoni nuk arrin ta kuptojë stilin e Jezusit: ishte në burg, vuante në errësirën e qelisë. E përgjigjja  që Jezusi u jep dishepujve të Gjon Pagëzuesit duket sikur nuk përkon me  pyetjen e Gjonit, i cili priste një gjykatës, për ta ngritur në këmbë Mbretërinë e Zotit.

Zoti i fton mëkatarët ta rigjejnë udhën e kthimit

Është ky, pra, mesazhi që merr Kisha prej këtij tregimi të jetës së Krishtit:

“Zoti nuk e dërgoi Birin e vet në botë për të zhdukur keqbërësit a për të dënuar mëkatarët. Jo! Atyre, përkundrazi, u drejtohet ftesa për t’u penduar, për të bërë kthesë, që duke parë shenjat e mirësisë hyjnore, të mund ta rigjejnë udhën e kthimit tek Ati. Gjon Pagëzuesi vinte në qendër të predikimit të tij drejtësinë, ndërsa Jezusi, mëshirën, sepse ai vetë është mëshira”

Dyshimet e pararendësit, e përshpejtojnë pakënaqësinë, që ngjall Krishti në vijim, me veprimet e tij. Prandaj Jezusi e përfundon përgjigjen, duke theksuar se  është i lum kush shikon në të shkakun e shkandullit.

Disa rrezikohen nga një fe e stisur sipas qejfit

Por, vërejti në vijim Papa, nëse pengesë për të besuar janë sidomos “veprimet e mëshirës së Jezusit”, kjo do të thotë se është krijuar një figurë e rreme për Mesinë. Të lum – shtoi - janë ata që, përballë fjalëve e gjesteve të Jezusit, i japin lumni Atit. Sepse ekziston edhe rreziku i një feje të stisur sipas qejfit të secilit, një feje që e mbyll Zotin në hapësirën e dëshirave të veta: po ky nuk është pendim i vërtetë - nënvizoi Françesku - madje e pengon Zotin të ndërhyjë në jetën tonë, ndërhyrje për të cilën kemi aq shumë nevojë:

“Të tjerë e shndërrojnë Zotin në një idhull të rremë; e përdorin emrin e Tij të shenjtë për të justifikuar interesat e tyre, madje arrijnë deri në atë pikë, sa të justfikojnë edhe urrejtjen e dhunën. Të tjerë akoma, e shikojnë Zotin si ‘strehë psikologjike’, ku mund të struken në çaste të vështira, me një fe të mbyllur në vetvete, të papërshkueshme nga forca e dashurisë përdëllyese të Jezusit, që të shtyn të shkosh drejt vëllezërve. Të tjerë e shikojnë Jezusin si Mësues të mirë, që jep mësime etike, si njëri ndërmjet shumë e shumë të tjerëve, për të cilët na flet historia. Është edhe ndokush tjetër, që ia zë frymën fesë me një lidhje pastërtisht intimiste me Jezusin, duke e asgjësuar atë shtytje misionare, që është e aftë për ta shndërruar botën e historinë.

“Ne të krishterët – nënvizoi Françesku – besojmë në Zotin Jezus e dëshira jonë është të rritemi përmes përvojës së gjallë të misterit të Tij të dashurisë”.

Para audiencës, si zakonisht, duke përshkuar në automobilin e tij të zbuluar Sheshin e Shën Pjetrit, Françesku u ndalua disa herë për të puthur e për të përqafuar disa fëmijë. Ndërsa në përfundim, duke u drejtuar përshëndetjen besimtarëve të kombeve e gjuhëve të ndryshme, i ftoi të bëhen “mjete të mëshirës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.