2016-09-07 17:41:00

Një 25-vjetor që mbulon me heshtjen e njëmijë fjalëve, atë që mund të shprehet me një fjalë të vetme!


 Selia e Shenjtë dhe Shqipëria “kremtojnë” sot një jubile: 25-vjet marrëdhënie diplomatike.

Nuk mund të mos e kujtojmë rifillimin dhe vijimin e këtyre marrëdhënieve, rilidhur më 7 shtator 1991, në rang nunciature apostolike për Selinë e Shenjtë - e më 22 prill 1993, me ambasadorin për Republikën e Shqipërisë. 25-vjet më parë, pra. Vjet që nisën më 22 tetor 1991, kur u emërua nunci i parë apostolik, ipeshkvi indian, më pas kardinal, Ivan Dias, i cili i paraqiti letrat kredenciale Presidentit të Republikës, asokohe Sali Berisha, më 18 dhjetor 1991. Më pas emërohej edhe ambasadori i parë i Shqipërisë pranë Selisë Apostolike, profesor  Willy Kamsi, i cili ia paraqiti Letrat kredenciale Papës Gjon Pali II, më 22 prill 1993, pak para se të shtegtonte për në Shqipëri.

Lidhja ndërmjet Selisë Apostolike dhe Republikës së Shqipërisë u pasua nga dy vizita papnore: e Gjon Palit II (25 prill 1993) dhe e Françeskut (21 shtator 2014) që, duke vizituar trojet shqiptare, nderuan martirizimin e popullit e të Kishës në Shqipëri, gjatë diktaturës komuniste! Pa harruar se pas shenjtërimit të Nënë Terezës, më 5 nëntorin e ardhshëm do të lumnohen, me miratimin e Selisë së Shenjtë, 38 bij të kësaj toke të larë me gjak martirësh.

 Na duket, prandaj  e arsyeshme të kujtojmë si paraqiten sot, vetëm dy ditë pas nderimit që i bëri Selia e Shenjtë Bijës së madhe të popullit shqiptar, Shën Terezës, Ganxhe Bojaxhiut, këto marrëdhënie kaq të rëndësishme.

Sot, në 25-vjetorin e marrëdhënieve ndërmjet Selisë Apostolike dhe Republikës së Shqipërisë, Ambasada e Shqipërisë pranë Vatikanit, është pa ambasador, ndërsa Nunci apostolik i Vatikanit pranë Republikës së Shqipërisë, imzot Ramiro Moliner Ingles posa e ka përfunduar misionin e tij diplomatik  në Shqipëri (më 1 shtator 2016).

I fundmi Ambasador i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë ishte Shkëlqesia e Tij, Rrok Logu, i cili e përfundoi mandatin diplomatik, që kur s’mbahet mend, domethënë më 02. 11. 2013.

Besonim se kanali që Shqipëria e shumëvuajtur pati fatin ta rilidhë me Selinë Apostolike, duke pasur parasysh se Selia e Shenjtë nuk është vetëm Shteti i Qytetit të Vatikanit, do të zgjerohej aq, sa ta forconte edhe lidhjen e popullit shqiptar me mbarë botën perëndimore. Ndërsa ky kanal na duket më i ngushtuar se kurrë, në këtë përvjetor.

Pati thënë një burrë i urtë, i quajtur Saint-John Perse: “Diplomacia është art i aftë të mbulojë me heshtjen e njëmijë fjalëve, atë që mund të shprehet me një fjalë të vetme!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.