2016-09-06 09:00:00

“Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”: transeksuali tek murgeshat e dashurisë


Vijojmë të shfletojmë librin e kardinalit Angelo Comastri “Njoha një shenjtore”, kushtuar Nënë Terezës.

Dua të tregoj, shkruan kardinali Comastri, si Shtëpitë e Nënë Terezës janë vërtet të hapura për të gjitha llojet e varfërive: edhe ato më poshtërueset e më të turpshmet.

Në Shtëpitë e Nënë Terezës, tashmë të përhapura kudo në botë, Zoti mësyn shpesh e papritur në zemrat e njerëzve që s’t’i pret mendja. José Luis Gonzàlez-Balado na njeh me një vdekje të mrekullueshme pas një jete të dëshpëruar…të një transeksuali të mjerë. Kjo ngjarje ndodh në Shtëpinë e Misionareve të Dashurisë në Madrid.

Ja tregimi: “Ishte vjeshta e vitit 1998. Po atë ditë kur u varros Secondino, një burrë që vdiq nga Sida në moshën 73-vjeçare, dhoma dhe shtrati ku u shua u zunë menjëherë nga një i ri me ngjyrë, nga një vend i Amerikës Latine, i sëmurë me kancer dhe me Sidë.

Në Spanjë nuk kishte asnjë të afërt, mik apo të njohur, që mund të interesohej për të. Kishte vetëm një motër në Brazil, nga e cila ishte shkëputur e nuk kishte më kontakte, që kur kishte ardhur në Spanjë, para pesë vjetësh. Nuk kishte marrë asnjë lloj sakramenti, as pagëzimin. Pas një katekizmi të shkurtër, në ato çaste në zgrip të jetës, mori vesh se mund t’i merrte Sakramentet e deshi të pagëzohej, të krezmohej e të merrte kungimin e parë para se të vdiste.

Murgeshat, të cilat në asnjë rast e në asnjë mënyrë nuk i kishin nxitur njerëzit drejt një vendimi të tillë, u ndjenë të lumtura që po kënaqnin… dëshirën e tij të parafundit. Kështu, personi në fjalë mori pagëzimin dhe krezmimin (këtë të fundit nga vikari ipeshkvnor i zonës, i habitur se po e mbarshtonte Sakramentin në ato rrethana). Para krezmimit, mori kungimin e parë. Me kërkesën e tij, mori edhe vojimin e të sëmurëve.

Të dielën, kur tashmë s’kishte më forca e kur dukeshin simptomat e para të agonisë, shprehu dëshirën – që në këtë rast, mund ta quajmë vërtet të fundit, megjithëse e fundit fare qe një tjetër, pavarësisht se e nënkuptuar – pra, shprehu dëshirën që të pranohej në qiell nga ai Jezus, për të cilin kishte marrë lajme më të sigurta e më të shumta në ditët e fundit të jetës.

Kur e pyetën nëse dëshironte që kushtet shëndetësore të tij t’i komunikoheshin ndokujt, tregoi për motrën e vetme, e cila, për disa kohë e në një farë mënyre, i kishte zëvendësuar nënën. Herën e fundit që kishte folur me të, e motra jetonte në Rio-de-Zhanejro. Kishte adresën dhe numrin e telefonit të pesë vjetëve më parë, kur pati vendosur të ‘kërkonte fatin’ në vendin, ku do të gjente sëmundjen dhe vdekjen. Siç e thamë, sëmundje dyfish vdekjeprurëse, kanceri dhe Sida. Nga një fotografi, të cilën ia kishte treguar atyre, që e asistuan në ditët e fundit të jetës - fotografi në të cilën dukej i veshur si grua - mbeti përshtypja, por jo siguria, se kishte jetuar si transeksual në botën e argëtimeve të natës. Gjetja e së motrës me telefon rezultoi e vështirë, përveçse e kushtueshme. Por eprorja e qendrës asistenciale e dha lejen. Për të plotësuar atë dëshirë të fundme nuk duhej pyetur për shpenzimet.

Ata që e asistonin, duke u nisur nga murgesha që drejtonte repartin e burrave, nuk i kursyen përpjekjet për të telefonuar në numrin, që u kishte dhënë i sëmuri. Provuan disa herë. Përgjigjej dikush, që nuk merrej vesh.

Më në fund, u përgjigj zotëruesi i numrit të telefonit, i cili ishte dikush, që s’kishte të bënte aspak me të motrën e pacientit. Përpjekja e dytë ishte përfshirja e ambasadës së Brazilit. Por edhe kështu, qe e pamundur gjetja e së motrës të të sëmurit.

Ata që e asistonin patën përshtypjen se dëshira për ta dëgjuar për herë të fundit zërin e së motrës kishte kontribuar t’ia zgjaste paksa rezistencën para vdekjes. Por erdhi edhe çasti kur forcat reshtën. ‘E ndjej se po vdes!’, pëshpëriti në një gjuhë pak braziliane, pak kastiljane. ‘Do të më kishte pëlqyer t’i thosha lamtumirë motrës’. Agonia e tij u bë disi më e qetë nga premtimi se misionarja e dashurisë, që e asistonte, do të bënte ç’ishte e mundur për ta gjetur të motrën e për t’i shprehur vullnetin e tij, edhe sikur ai të vdiste më parë.

Në çastet e fundit (flasim për vjeshtën e 1998-ës), të pranishmit ishin katër: misionarja e dashurisë, përgjegjëse për repartin e vogël, dhe tre vullnetarë, dy vajza e një djalë. Të katërt deshën të thoshin Rruzaren. Nganjëherë, burri në agoni lëvizte buzët ngadalë, duke shoqëruar lutjen, tregon njëra nga vullnetaret. E shihte me ëmbëlsi fuguren e Zojës përballë, varur në murin e dhomës. Sapo mbaroi Rruzarja, tha me një fill zëri: ‘Po shkoj në qiell!’ Qenë fjalët e fundit të kuptueshme. Në minutat e mëpasme, tashmë i pavetëdijshëm, i flisnin vetëm sytë. E përshëndetën një e nga një, duke i përkëdhelur dorën. E fundit qe murgesha. Edhe ajo zgjati me ëmbëlsi dorën drejt tij. E ai i mori edhe tjetrën, me një mirësjellje, që besoj se ishte sidomos mirënjohje. E pastaj, mbylli sytë.

Vullnetarja anonime tregonte se kishte parë të vdisnin rreth 200 vetë para brazilianit me ngjyrë, por kishte përshtypjen se askush tjetër nuk kishte vdekur kaq i paqtuar” (J.L. Gonzàlez-Balado, “Nënë Tereza. Kujtim dhe mesazh, fq. 88-91).

Dashuria duket e dobët, e brishtë, e megjithatë, i shpërthen të gjitha dyert!

E jo vetëm kaq. Në Qiell ka vend edhe për transeksualët. Nëse pendohen e kërkojnë falje, përqafimi i Zotit është gjithnjë gati t’i presë për t’u dhënë sërish dinjitet.








All the contents on this site are copyrighted ©.