2016-09-05 12:46:00

Kardinali Parolin: sekreti i Nënë Terezës ishte ta shikonte Jezusin ndër të tjerët


U rikthyem sot në Sheshin e Shën Pjetrit, të shumënumërt, plot me gëzim, që ta falënderojmë Zotin për dhuratën e shenjtërimit të Nënë Terezës së Kalkutës, Shën Terezës së Kalkutës.

Sa shumë arsye kemi për të qenë thellësisht mirënjohës ndaj Zotit! E falënderojmë për dëshminë heroike të fesë së shenjtorëve, me të cilën Ai e bën gjithnjë pjellore Kishën e na dhuron ne, bijve të Tij, një shenjë të sigurt të dashurisë së vet (Cfr Prefazio dei Santi II)

E falënderojmë posaçërisht sepse na dha Nënë Terezën e Kalkutës, që me lutjen e saj të pandërprerë, burim veprash të mëdha të mëshirës trupore e shpirtërore, qe pasqyrë e pastër e dashurisë së Zotit e shembull i shkëlqyer i shërbimit ndaj të afërmit, posaçërisht ndaj njerëzve të varfër, të lënë pas dore, të braktisur: pasqyrë e shembull, nga i cili mund të nxjerrim mësime të çmuara e nxitje për të jetuar si dishepuj të mirë të Zotit, për të hequr dorë nga mefshtësia e nga kotësitë e për ta lënë veten në dorë të Krishtit, që të na kallë flakë me zjarrin e dashurisë së Tij: “Dashuria e Krishtit nuk na lë të qetë! Dashuria e Tij na nxit” (2 Kor 5,14).

Nënë Terezës i pëlqente ta quante veten “laps në duart e Zotit”. Po sa poema bamirësie, dhembshurie, ngushëllimi e gëzimi diti të shkruajë ky laps i vogël! Poema dashurie e dhembshurie për të varfërit më të varfër, të cilëve ua kushtoi gjithë jetën.

Ajo na e kujton kështu perceptimin e “thirrjes në thirrje” që pati në shtator 1946, ndërsa ishte për udhë drejt Ushtrimeve Shpirtërore: “Hapa sytë për të parë mjerimet dhe e kuptova me fund thelbin e thirrjes sime”.

Ndjeva se Zoti më kërkonte të hiqja dorë nga jeta e qetë në kongregatën time rregulltare e të dilja në rrugë për t’u shërbyer të varfërve. Ishte urdhër! Nuk ishte këshillë, ftesë, as propozim (Cit. në Renzo Allegri, Nënë Tereza më ka thënë, Ancora, bot. Milano, 2010)

Nënë Tereza hapi sytë për të parë vuajtjen, e rroku me një shikim mëshire, e gjithë qenia e saj u thirr e u trand nga ky takim, i cili - në një fare mënyre – ia shporoi zemrën, sipas shembullit të Jezusit, të prekur nga vuajtja e krijesës njerëzore, që është e paaftë për t’u ngritur në këmbë.

E si mund të mos i lexojmë në dritën e jetës së saj, fjalët që Papa Françesku na i drejtoi në Bulën e shpalljes së Jubileut  të Mëshirës, kur shkroi: “Nuk duhet të pushtohemi nga indiferenca, që poshtëron, nga e rëndomta, që ta përgjum shpirtin e të pengon të zbulosh risitë, nga cinizmi, që rrënon. T’i hapim sytë tanë për të parë mjerimet e botës, plagët e shumë vëllezërve e motrave, të cilëve u mohohet dinjiteti, e të nxitemi për ta dëgjuar britmën e tyre për ndihmë. Duart tona t’i shtrëgojnë duart e tyre e t’i afrojmë pranë vetes, që ta ndjejnë ngrohtësinë e pranisë sonë, të miqësisë, të vëllazërisë (MV n.15).

Po, cili është “sekreti” i Nënë Terezës? Nuk është sigurisht sekret, sepse sapo e shpallëm  me zë të lartë në Ungjill: “Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua’(Mt 25,40).

Nënë Tereza zbuloi në të varfërit fytyrën e Krishtit, që u bë i varfër për ne, për të na pasuruar me varfërinë e Tij (krh 2Kor 8,9). Ajo u bë shenjë  e mëshirës së ndritshme.  Dhe iu përgjigj dashurisë së tij të pacak, me një dashuri po aq të pacak për të varfërit. “Dashuria e Krishtit nuk na lë rehat” Dashuria e Krishtit na nxit, the Love of Christ impels us (2 Kor. 5,14)

Ajo u bë shenjë e mëshirës së ndritshme - “Mëshira për të ishte ‘kripë’ që i jepte shije çdo vepre, ishte ‘dritë’, që ndriçonte errësirën e njerëzve, të cilët nuk kishin më as lot për të qarë mbi varfërinë e tyre, mbi vuajtjen e tyre” - tha Ati i Shenjtë në homelinë e djeshme -  sepse u lëshua plotësisht në dorë të Krishtit, të cilin e adhuroi, e deshi e lavdëroi në Eukaristi, siç na e shpjegon ajo vetë: “Jetët tona duhet të ushqehen gjithnjë nga Eukaristia, mbasi, po të mos ishim të aftë ta shikojmë Krishtin nën dukjen e bukës, nuk do të ishte e mundur as ta zbulonim nën dukjen e përvuajtur të trupave të shkallmuar të të varfërve” (krh Tereza e Kalkutës “Dashuria që të shuan etjen”, fq 16).

Ajo e dinte mirë edhe se një nga format më zemërçjerrëse të varfërisë, është kur ndjehesh i padashur, i padëshiruar, i përbuzur. Formë e varfërisë, kjo, e pranishme edhe në vendet e në familjet më pak të varfëra, e edhe në njerëzit, që u përkasin kategorive që kanë mjete e mundësi, por që, megjithatë, vuajnë nga një zbraztësi e hatashme shpirtërore, sepse e humbasin kuptimin dhe drejtimin e jetës ose dërmohen dhunshëm prej humbjes së lidhjeve, të këputura nga vrazhdësia e vetmia, nga  ndjesia se  je i harruar prej të gjithëve, ose se nuk i duhesh më gjë askujt!

 Kjo e bëri t’i identifikonte fëmijët e palindur akoma, të cilëve u kërcënohej jeta, si “më të varfërit ndër të varfër”. Vërtet, seciliprej tyre varet, më shumë se çdo njeri tjetër, nga dashuria dhe nga kujdesi i së ëmës, si edhe nga mbrojtja e shoqërisë. I sapozëni në barkun e nënës nuk ka asgjë të vetën, çdo shpresë dhe nevojë e tij është në duart e të tjerëve. Mbart një projekt jete dhe ardhmërie e kërkon të pranohet e të mbrohet, për t’u bërë ai që është tashmë: njëri nga ne, të cilin Zoti e caktoi qysh prej amshimit për një mision të madh, “të dojë e të duhet”, siç i pëlqente të përsëriste shpesh Nënë Terezës.

         Prandaj, ajo e mbrojti me guxim jetën e palindur akoma, me atë çiltërsi fjalësh e vijimësi veprimesh, që janë sinjali më i shndritshëm i pranisë së Profetëve dhe i Shenjtorëve, të cilët nuk gjunjëzohen para askujt, veçse para të Gjithpushtetshmit, janë të lirë shpirtërisht, sepse njerëz me  zemër të fortë, që nuk përkulen para modave apo idhujve të çastit, por e shohin veten në pasqyrën e ndërgjegjes së shndritur nga dielli i Ungjillit.

         Në të zbulojmë binomin e lum e të pandashëm të ushtrimit heroik të dashurisë së krishterë dhe qartësisë në shpalljen e së vërtetës, shohim veprimtarinë e vazhdueshme, të ushqyer nga thellësia e kundrimit të Zotit, misterin e së mirës të kryer me përvujtëri e pa u lodhur, fryt i dashurisë, që “dhemb”.

         Për këtë, në fjalimin e mirënjohur për dorëzimin e Çmimit Nobel të Paqes në Oslo, më 11 dhjetor 1979, ajo tha: “Është shumë e rëndësishme për ne ta kuptojmë se dashuria, për të qenë e vërtetë, duhet të dhembë. I dhembi Jezusit kur na donte, i dhembi shumë”. E duke falenderuar bamirësit e pranishëm dhe ata të së ardhmes, tha: “Nuk dua të më jepni tepricat, dua të më jepni deri në dhimbje”.

         Për mendimin tim, këto fjalë janë si një prag, pas kapërcimit të të cilit hyjmë në errësirën e honit, që u dynd mbi jetën e shenjtes, në ato maja e në ato thellësi, që janë të vështira për t’u shqyrtuar, sepse përshkojnë nga afër mundimet e Krishtit, dhuratën e tij të dashurisë pa kushte dhe plagët e thella, nga të cilat iu desh të vuante.

   E pashqyrtueshme , pesha e Kryqit,  ashtu si pesha  “deri në dhimbje” e së mirës së bërë për dashuri të Zotit, për shkak të bezdisë që u shkakton të gjithë atyre, të cilët i kundërvihen, sepse krijesa të kufizuara nga mëkati e nga vdekja,  çmim që duhet ta paguajnë për të qenë  të shenjtë. 

         E është edhe – siç shihet nga letrat e shumta, që i shkroi atit të saj shpirtëror – “nata e errët e fesë”, në të cilën bashkëjetojnë dashuria përvëluese për Zotin e kryqëzuar dhe për vëllezërit nevojtarë për kujdes e për bukë, një fe e fortë dhe e pastër dhe – njëkohësisht – një ndjenjë e tmerrshme se Zoti është larg dhe hesht. Diçka e ngjashme me britmën e Jezu Krishtit në  kryq: “Zoti im, Zoti im, pse më ke braktisur?” (Mt 27,46).

         Një fjalë tjetër, nga shtatë të shqiptuarat nga Jezusi gjatë agonisë së tij në kryq, Ajo deshi të shkruhej në anglisht në çdo shtëpi të Kongregatës së saj, në anë të të Kryqëzuarit: “I thirst”, kam etje: etje për ujë të freskët e të kulluar, etje për shpirtra, për t’i ngushëlluar e për t’i shpëtuar nga shëmtimi i tyre e për t’i bërë të bukur e të pëlqyeshëm në sytë e Zotit; etje për Zotin, për praninë e tij të gjallë e shndritur. “Kam etje”: kjo është etja, që ia shkrumbonte fytin Nënë Terezës, kryqi dhe lartimi i saj, mundimet dhe lavdia e saj.

         Në këtë jetë, për të mirat që bëri, ajo mori Çmimin Nobel për Paqen dhe shumë çmime e mirënjohje, si edhe e pa të lulëzonte veprën e saj , sidomos në Kongregatat e Motrave Misionare të Dashurise dhe të Vëllezërve Misionarë të Dashurisë, që i themeloi për ta vijuar punën. Tashmë në Parriz, me Zojën, Nënë e Zotit dhe e të gjithë shenjtorëve, ajo merr një çmim shumë më të lartë, përgatitur për të që nga krijimi i botës, çmimin që ruhet për të drejtët, për të butët, të përvuajturit në shpirt, për ata që duke mirëpritur të varfërit, mirëpritën Krishtin.

         Kur Nënë Tereza kaloi nga kjo tokë në qiell, më 5 shtator 1997, për disa çaste të gjata Kalkuta mbeti krejtësisht pa drita. Ajo, në këtë tokë, ishte shenjë transparente, që tregonte qiellin. Në ditën e vdekjes së saj, Qielli deshi ta vulosë jetën e shenjtes dhe të na komunikojë se një dritë e re ishte ndezur sipër nesh. Tani, pas njohjes zyrtare të shenjtërisë së saj, shkëlqen edhe më shumë, edhe më gjallërisht. Kjo dritë, që është drita e pashuar e Ungjillit, vijoftë ta shndrisë shtegtimin tonë tokësor dhe shtigjet e kësaj bote të vështirë!

Shën Tereza e Kalkutës, lutu për ne!








All the contents on this site are copyrighted ©.