2016-09-04 14:06:00

“Është shenjte Tereza, por do të vijojmë ta quajmë Nënë”


Formula e Shenjtërimit të Lumes Terezë të Kalkutës

Për nderimin e së Shenjtnueshmes Trini,

për lartimin e fesë katolike

dhe thellimin  e jetës së krishterë,

me autoritetin e Zotit tonë, Jezu Krishtit,

të Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal  e Tonin,

Pasi reflektuam gjatë,

kërkuam shumë herë ndihmën hyjnore

 e dëgjuam mendimin e shumë prej vëllezërve tanë në Ipeshkvni.

e deklarojmë dhe e quajmë Shenjte

Të Lumen Terezë të Kalkutës

Dhe e shkruajmë në Librin e Shenjtorëve,

duke vendosur që Ajo të nderohet nga Kisha universale

me devocion ndërmjet shenjtorëve.

Në shenjtërimin e Nënë Terezës, “murgeshës së të fundmëve” Papa Françesku e nxiti Kishën t’ua shtrijë dorën refugjatëve e të burgosurve”. Më se 120 mijë besimtarë në Meshën, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, pjesëmarrës në një nga çastet më të rëndësishme të Jubileut të Mëshirës.

Papa i njohu, kështu, meritat Motrës së vogël, e cila ngriti zërin aq, sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, që t’i pranonin fajet përballë krimit të varfërisë së krijuar prej tyre. Dora e saj shtrëngoi mijëra duar, që shtriheshin për të kërkuar ndihmë. E kudo shtrihet një dorë, që kërkon ndihmë për t’u ngritur përsëri në këmbë, atje duhet të jetë edhe prania jonë e prania e Kishës, që mbështet e jep shpresë! – kujtoi Ati i Shenjtë Bergoglio - duke shtuar jashtë tekstit fjalët, që e prekën aq turmën, sa ta ndërpriste me duartrokitje të fuqishme:

"Mendoj se ndoshta do ta kemi pakëz vështirë ta quajmë Shën Tereza. Shenjtëria e saj është aq pranë nesh, aq e dhembshur dhe e frytshme, sa, vetvetiu do të vijojmë ta quajmë Nënë Tereza!"

Këto, fjalët e Papës, që e ka bërë mëshirën program të papnisë së Tij e që në vijim  të homelisë kujtoi: “Gjatë gjithë jetës së saj, Nënë Tereza,  qe bujare e shpërndarëse  e mëshirës hyjnore, gjithnjë e gatshme për të gjithë”, mikpritëse e mbrojtëse e jetës njerëzore, jetës së braktisur e  të flakur tutje.  U angazhua në mbrojtje të jetës, duke theksuar vazhdimisht se ‘kush nuk ka lindur akoma, është më i ligshti, më i vogli, më i mjeri’. U përkul  mbi njerëzit e lodhur e të këputur nga jeta, që vdisnin  buzë rrugëve, duke ua njohur dinjitetin, që ua kishte dhuruar vetë Zoti”. Fjalë, këto, që tingëllojnë si manifest i Vitit Shentj të Mëshirës.

Nënë Tereza e Kalkutës, motra e të vegjëlve, është shenjtore! Papa e shqiptoi formulën e shenjtërimit dhe e shkroi në librin e shenjtorëve  rregulltaren shqiptare, në shekull Ganxhe Anjeze Bojaxhiu (1910-1997).   Bergoglio e lexoi formulën në latinisht e menjëherë pas shpërtheu një duartrokitje e stuhishme në radhët e besimtarëve, që e ndoqën kështu edhe vendosjen e relikeve të Shenjtes së re, të cilat u kemuan nga diakoni:

“Mëshira për të ishte “kripë” që i jepte shije çdo vepre, ishte “dritë”, që ndriçonte errësirën e njerëzve, të cilët nuk kishin më as lot për të qarë mbi varfërinë e tyre, mbi vuajtjen e tyre”- saktësoi Françesku, dhe vijoi: “Misioni i saj në rrethinat e qyteteve e në periferitë ekzistenciale, mbetet, në ditët tona, dëshmi që flet vetë për afërsinë e Zotit pranë të varfërve më të varfër”.

E sot Papa ua dorëzoi këtë figurë simbolike gruaje e rregulltareje mbarë botës së vullnetariatit; le të jetë Ajo model shenjtërie për të! Kjo veprimtare e palodhur e mëshirës na ndihmoftë ta kuptojmë gjithnjë më mirë se i vetmi kriter i veprimtarisë është dashuria pa shpërblim, e lirë nga çdo ideologji e nga çdo lidhje, që u përket të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race, feje. Kështu Papa, i shoqëruar nga duartrokitjet e mijëra të pranishmëve, në një Shesh që sot skuqte nga Flamujtë Kuq e Zi, pranë e pranë të cilëve, ato blu e verdh të Kosovës, që valëviteshin kudo.  E Papa  bashkëremtonte i rrethuar nga 70 kardinaj, 400 ipeshkvij, 1700 meshtarë. Të pranishëm edhe shumë përfaqësues të feve të tjera. Nga Shqipëria dhe Kosova, disa përfaqësues të bashkësisë myslimane si dhe Kryegjyshi botëror i Bektashinjve  .

Në homelinë kushtuar Themelueses së Kongregatës së Misionareve dhe Misionarëve të Bamirësisë, Françesku vuri në dukje edhe çfarë është konkretisht bamirësia:

“Të gjithë ata, që vihen në shërbim të vëllezërve, edhe pa e ditur, janë ata që e duan Zotin (khr 1 Gjn 3,16-18; Gc 2,14-18). Jeta e krishterë, gjithsesi, nuk është ndihmë e thjeshtë, që jepet në çastin e nevojës. Po të ishte kështu, do të qe sigurisht një ndjenjë solidariteti njerëzor, që sjell dobi të menjëhershme, por do të ishte shterpë, sepse pa rrënjë” - kujtoi Françesku duke theksuar më pas, se “angazhimi që kërkon Zoti, përkundrazi, është ai i thirrjes për atë bamirësi, me të cilën çdo dishepull i Krishtit vë në shërbim jetën e vet, për t’u rritur çdo ditë në dashuri. Duke cituar Librin e Urtisë, Papa nënvizoi se na e paraqet jetën tonë si mister, çelësin e shpjegimit të të cilit nuk e kemi ne. Protagonistët e historisë janë gjithnjë dy: Zoti në njerën anë, njeriu, në tjetrën. Detyra jonë është ta perceptojmë  thirrjen e Zotit e, më pas, ta pranojmë vullnetin e tij. Por, për ta pranuar pa ngurrim, duhet të pyesim: Cili është vullneti i Zotit në jetën time? E për ta vërtetuar thirrjen e Zotit, duhet të pyesim e të kuptojmë ç’i pëlqen Atij.  Sa herë përkulemi mbi vëllezërit nevojtarë, i japim të hajë e të pijë vetë Jezusit: e veshim, e ndihmojmë, e vizitojmë Birin e Zotit (krh Mt 25,40).

Jemi të thirrur prandaj – shtoi Papa - ta jetojmë konkretisht, atë që themi në lutje e që e shpallim në fe. E, duke iu drejtuar botës së vullnetaritit, brohoriti:

“Sa duar ndihmojnë vullnetarët, sa lot terin; sa dashuri ka në shërbimin  e fshehur, të përvuajtur, pa pikën e interesit! Ky shërbim i lavdërueshëm i jep zë fesë e shpreh mëshirën e Atit, që bëhet i afërt me të gjithë nevojtarët”.

 E pikërisht për nevojtarët i ruajti sot Françesku vendet më të zgjedhura, para elterit papnor: ata qenë në krye të vendit në festën e shenjtërimit të Nënës së tyre në shpirt, e edhe në krye të gostisë së festës, që shtroi për ta Françesku në tremen e Sallës Pali VI, me bazë picat napolitane. Sipas një komunikate të Lëmoshtarisë Apostolike, në këtë gosti ishin të pranishëm më se 1500 vetë. Dreka u shtrua në Tremen e Sallës Pali VI, pas kremtimit të Meshës me ritin e Shenjtërimit të së Lumes Nënë Terezë.

Të ftuarit ishin të varfërit dhe nevojtarët, posaçërisht ata, që strehohen në bujtinat e Nënë Terezës, ardhur nga mbarë Italia: nga Milano, Bolonja, Firence, Napoli dhe nga të gjitha shtëpitë e Romës. Shtegtuan gjatë gjithë natës me autobusë për të marrë pjesë një herë në kremtimin e shenjtërimit, pastaj në drekë.

Gjatë drekës shërbyen  rreth 250 motra të Nënë Terezës, 50 vëllezër të Kongregatës mashkullore dhe vullnetarë të tjerë.

Piza u përgatit nga një piceri napolitane, me stafin e saj prej 20 vetësh.

Kështu, me këtë ceremoni madhështore, që u regjistrua me mjetet më moderne, Papa Bergoglio e shkroi Nënë Terezën në Librin e shenjtorëve të Kishës katolike, që mbarë bota të mund ta kundrojë.

Do ta marrin me vete, në kthim, qindra mijëra besimtarët, jehonën e paharrueshme të formulës së shentjërimit:

“…e deklarojmë dhe e quajmë Shenjte

Të Lumen Terezë të Kalkutës…

 duke vendosur që Ajo të nderohet nga Kisha universale

me devocion ndërmjet shenjtorëve….  

Nënë Tereza, motra e lagjeve të mjera të Kalkutës, sot është shenjte për mbarë Kishën katolike. Papa Françesku kryesoi Ritin e shenjtërimit në Sheshin e Shën Pjetrit, mbushur përplot. Më se 120 mijë besimtarë të pranishëm, ardhur nga mbarë bota, posaçërisht nga trevat shqiptare,   atdheu i Anjezes,  e nga India, trojet ku jetoi e ku pushon në paqe prej 19 vjetësh. Gazetarët e akredituar për ngjarjen e kalonin 600-tën. Ndërmjet tyre, 125 korrispondentë për faqet e internetit. Kjo dëshmon karakterin “social” të ngjarjes. Radio Vatikani e transmetoi kremtimin edhe në gjuhën shqipe, me zërin e meshtarëve shqiptarë dom David Gjugja, përgjegeës i Programit Shqip të Radio Vatikanit dhe dom Marian Paloka, famullitar i Fiezoles.  Qendra Televizive përdori kamerat e fjalës së fundit, në sa ishte lidhur me 120 ente televizive.

Nesër do të kremtohet festa e Shën Terezës së Kalkutës, me një Meshë në Sheshin e Shën Pjetrit, kryesuar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.








All the contents on this site are copyrighted ©.