2016-09-04 13:45:00

Papa: deklarojmë dhe e quajmë Shenjte të Lumen Terezë të Kalkutës


Në kremtimin e kanonizimit të “Nënës të të varfëve” Papa Françesku e ftoi Kishën t’i ndihmojë të varfrit, refugjatët e të burgosurit, sipas shembullit të Shën Nënë Terezës.

Gjatë ritit të kanonizimit, momenti më i rëndësishëm e domethënës ishte kërkesa, që Prefekti i Kongregatës së Vatikanit për Çështjen e Shenjtorëve, Angelo Amato, i shoqëruar Postulatori, shkoi te Papa Françesku dhe i kërkoi ta shkruajë Të  lumen Nënë Terezë në Librin e Shenjtorëve e kështu të lutet nga të gjithë të krishterët, dhe shpallja, Formula e Shenjtërimit, shqiptuar nga Papa.

Kështu, në fillim të Meshës, Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve e paraqi shkurtimisht jetëshkrimin e Nënë Terezës së Kalkutës.

“Murgesha e përvuajtur, së cilës turma të panumërta njerëzish i drejtoheshin duke e quajtur përzemërsisht “Nënë Terezë”, është e Lumja, të cilën po ia paraqesim sot Shenjtërisë Suaj, në mënyrë që, me shenjtërimin e dëshiruar, mbarë bota të mund ta kundrojë, duke i kërkuar ndërmjetësim e duke i përngjarë  në veprimtarinë bamirëse.

Në jetën e saj, duke ndjekur shembullin e Krishtit, Samaritanit të Mirë, ajo diti të bëhet e afërme me çdo nevojtar, që takonte, duke ndarë vuajtjet me ata, që jetonin në periferitë e skajshme të shoqërisë e duke e dëshmuar dashurinë e pafundme të Zotit për popullin e vet.

Po paraqes, tha kardinali Amato, përmbledhtas çastet kryesore të jetës së saj:

E Lumja Terezë e Kalkutës (në shekull Agnes Gonxha Bojaxhiu), lindi më 26 gusht 1910, në Shkup, në një familje shqiptare. Gjatë adoleshencës,  mori pjesë gjallërisht në veprimtaritë e famullisë, duke dëshiruar gjithnjë më shumë t’i dhurohej krejtësisht Zotit. Si u largua nga shtëpia atërore, u pranua si dëshirtare (postulante) në Kuvendin e Virgjërës Mari të Motrave të Loretos, në Rathfarnam (Dublin).

E dërguar në Indi, në Darjeeling, si kreu noviciatin, bëri kushtet rregulltare  dhe mori emrin Tereza. E caktuar në detyrën e mësueses, kaloi shtatëmbëdhjetë vjet pranë Saint Mary’s Bengali Medium School, në Kalkutë.

Ndërsa udhëtonte me tren nga Kalkuta në Darjeeling, e Lumja ndjeu thirrjen mbi thirrje, me intuitën për t’i dhënë jetë një instituti rregulltar, për të “shuar etjen e Jezusit mbi kryq për dashurinë e shpirtrave, duke punuar për shëlbimin dhe shenjtërimin e të varfërve më të varfër”.

Themeloi, kështu, Kongregatën e Motrave Misionare të Bamirësisë e, më pas, shtoi edhe Kongregatën e Vëllezërve Misionarë të Bamirësisë, organizata laikale  dhe Lëvizjen e hapur për priftërinj dioqezanë.

Nënë Tereza nuk e kursei kurrë veten, duke iu kushtuar plotësisht kumtimit të Ungjillit, përmes veprimtarive të panumërta të bamirësisë e të ndihmës ndaj të varfërve, pa asnjë dallim shtrese shoqërore, feje, etnie. Në themel të të gjitha nismave, Ajo vinte ditë për ditë kremtimin e Meshës Shenjte, adhurimin eukaristik, lutjen e shpirtin e dashurisë universale, që e nxiste ta shikonte Jezusin e  t’i shërbente në të varfrit.

Dëshmia e saj heroike ungjillore ngjalli admirimin e autoriteteve më të larta të Kishës e të botës laike. Në vitin 1979 iu dorëzua edhe Çmimi Nobel për Paqen.

E shkrirë fizikisht, por gjithnjë e fortë shpirtërisht, u shua në paqe, në Kalkutë, më 5 shtator 1997, e rrethuar nga një famë e pafundme, e  fuqishme, e njëzëshme shenjtërie.

Pastaj Ati i Shenjtë Françesku u lutë: Pranoji, po të lutemi, o Zot, lutjet e popullit tënd, e na e jep hirin që, çka po kryejmë me shërbimin tonë, të dalë e pëlqyeshme para teje e të ndihmojë për rritjen e  Kishës sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

E më pas, momenti vendimtar ishte  Formula e Shenjtërimit të Nënë Terezës Ganxhe Bojaxhiut, shqiptuar nga Papa Françesku:

Për nderimin e së Shenjtnueshmes Trini,

për lartimin e fesë katolike

dhe thellimin  e jetës së krishterë,

me autoritetin e Zotit tonë, Jezu Krishtit,

të Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal  e Tonin,

Pasi reflektuam gjatë,

kërkuam shumë herë ndihmën hyjnore

 e dëgjuam mendimin e shumë prej vëllezërve tanë në Ipeshkvni.

e deklarojmë dhe e quajmë Shenjte

Të Lumen Terezë të Kalkutës

Dhe e shkruajmë në Librin e Shenjtorëve,

duke vendosur që Ajo të nderohet nga Kisha universale

me devocion ndërmjet shenjtorëve.

Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt. Amen!

Pas kësaj, pranë altarit, në Sheshin e Vatikanit, u vendosën reliket e Shenjtores së Re, Shën Nënë Terezës, për t’u nderuar nga të pranishmit.








All the contents on this site are copyrighted ©.