2016-09-04 11:06:00

Papa bekon kombet, që lidhen ngushtë me Nënë Terezën (tekst i plotë)


Papa Françesku, gjate lutjes se Engjëllit teTënzot, ne Sheshin e Shen Pjetrit ne Vatikan, sot me 4 shtator 2016: bekon kombet, që lidhen ngushtë me Nënë Terezën (tekst i plotë) 

Të dashur vëllezër e motra,

 Ndërsa po i afrohemi përfundimit të këtij kremtimi, dëshiroj t’ju përshëndes e t’ju falënderoj ju të gjithëve, që morët pjesë.

Në mënyrë të posaçme, Misionaret e Misionarët e Bamirësisë, familje shpirtërore e Nënë Terezës. Themeluesja juaj Shenjte ju ruajtët gjithnjë në udhën tuaj e ju nxjerrtë hirin të jeni përherë besnike ndaj Zotit, Kishës, të varfërve.

Me mirënjohje plot respekt përshëndes autoritetet e larta të pranishme, posaçërisht ata të vendeve, që lidhen në mënyrë të veçantë me figurën e Shenjtores së re, si dhe delegacionet zyrtare e shtegtarët e panumërt, ardhur nga këto vende, në këtë rrethanë të lumtur. Zoti i bekoftë Kombet tuaja!

E me dashuri ju përshëndes të gjithë ju, të dashur vullnetarë e veprimtarë të mëshirës. Ia besoj secilin nga ju mbrojtjes së Nënë Terezës: ajo ju mësoftë ta kundroni e ta adhuroni çdo ditë Krishtin e Kryqëzuar, për ta njohur e për t’i shërbyer në vëllezërit nevojtarë. E kërkojmë këtë hir edhe për të gjithë ata, që u bashkuan me ne përmes mediave, në  të katër anët e botës.

Në këtë çast dëshiroj t’i kujtoj të gjithë ata, që e shkrijnë jetën në shërbim  të vëllezërve, në rrethana të vështira e të rrezikshme. Mendoj posaçërisht për shumë Rregulltare, që e dhurojnë pa kursim jetën e tyre. Të lutemi posaçërisht për rregulltaren misionare spanjolle, motrën Izabela, që u vra dy ditë më parë në kryeqytetin e Haitit, vend i vënë në sprovë të rëndë, për të cilin uroj të  marrin fund këto akte dhune e të ketë më shumë siguri për të gjithë. Kujtojmë edhe motra të tjera që, kohët e fundit, pësuan dhunë në disa vende.

E bëjmë këtë, duke iu drejtuar në lutje Virgjërës Mari, Nënë dhe Mbretëreshë e gjithë shenjtorëve. 








All the contents on this site are copyrighted ©.