2016-09-03 12:05:00

Papa nesër shenjtëron Nënë Terezën, revolucionaren e dashurisë


Nesër, në orën 10.30, Papa do të kryesojë, në Sheshin e Shën Pjetrit, Meshën e Shenjtërimit të Nënë Terezës së Kalkutës. Kremtimi radhitet në kuadrin e Jubileut të veprimtarëve dhe vullnetarëve të Mëshirës. Dje, në një telegram, me nënshkrimin e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, dërguar atë Bernardo Cervellera-s, me rastin e një simpoziumi kushtuar nga AsiaNews Shenjtores shqiptare, organizuar në Romë, pranë Universitetit Papnor Urbanian, Papa e quajti Nënë Terezën “dëshmitare e zgjedhur e dashurisë dhe e vëmendjes bujare për të varfërit e të fundmit”.

Uroj që shembulli i saj - pohon më tej Papa - të ndihmojë për ta çuar gjithnjë më shumë Krishtin në qendër të jetës e ‘për ta jetuar bujarisht Ungjillin e Tij, përmes ushtrimit të vazhdueshëm të veprave të mëshirës, për të qenë ndërtues të një ardhmërie më të mirë, të ndriçuar nga drita e së Vërtetës. Françesku na nxit t’i ngjasim Shenjtores shqiptare, për të vënë në jetë “Revolucionin e dhembshurisë”, nisur nga Jezu Krishti me dashurinë dhe parapëlqimin e më të vegjëlve.

E gjatë Meshës së shenjtërimit besimtarët do të luten për të varfërit dhe të fundmit e tokës, e edhe për të krishterët që, duke ndjekur shembullin e  Nënë Terezës, të vihen në lëvizje nga dashuria veprimtare. Në gjuhën bengali do të thuhet një lutje për qeveritë e parlamentet, që të mbrojnë jetën dhe dinjitetin e çdo njeriu, duke promovuar paqen e drejtësinë. Në gjuhën kineze do t’i lartohet Zotit lutja për të krishterët e persekutuar, që Ai i Lumi t’i ngushëllojë me praninë e Tij, t’u prijë në natën e errët e të bëjë që të lindë për ta dielli i drejtësisë.

Së fundi, në gjuhën e Shën Terezës, në shqip, lutja që Zoti t’i mbushë  barinj e besimtarë me Shpirtin e vet, për ta shuar etjen e Jezusit në vëllezërit.

E Shenjtorja e re na përsërit thirrjen e Krishtit: “Ji ti drita ime!” e na porosit: “Tani ju takon ju ta rrezatoni dritën e Krishtit! Ju takon ju ta mbani gjallë zjarrin, që ndeza në botë! Nëse dëshironi t’u pëlqeni të gjithëve, luftoni  e vdisni për të gjithë!"








All the contents on this site are copyrighted ©.