2016-09-03 18:39:00

Nënë Tereza. Papa: “Do të jetë shenjte. E meriton!”.


“Nesër do të kemi gëzimin ta shikojmë Nënë Terezën Shenjte!”. Janë fjalët plot entuziazëm që u tha Papa Françesku 40 mijë veprimtarëve të mëshirës, që mbushnin përplot Sheshin e Shën Pjetrit. Kjo dëshmi e mëshirës në kohët tona  i shtohet - vijoi Françesku  duke folur për Shenjtoren e të varfërve - aradheve të panumërta  të burrave e grave që, me shenjtërinë e tyre, e bënë të dukshme dashurinë e Krishtit. Ta ndjekim edhe ne shembullin e  tyre e të përpiqemi të jemi mjete të përvuajtura në dorë të Zotit, për të lehtësuar dhimbjen e pafundme të botës e për t’i dhënë gëzimin e shpresën e ringjalljes! Duke u shkëputur nga teksti zyrtar, nësa fliste për shenjtërimin e Nënë Terezës, Papa brohoriti: “E meriton!”. U jepte përgjigje, kështu, fushatave përgojuese, që nuk munguan në mediat, kundër saj e veprimtarisë së saj bamirëse, aq sa të krijohej përshtypja se ishte ngritur një farë gjykate  kundër motrës së përvujtë. Në të vërtetë, të mblidhje njerëz në prag të vdekjes, që dergjeshin rrugëve, për t’u dhuruar, në çastin e fundit të jetës, të paktën një ledhatim, nuk ishte veprimtari, që ndiqte protokollet e agjencive të OKB-së! Sulme, pra! Po disa nga sulmet gazetareske qenë me të vërtetë prozhmuese. Linda Polman, gazetare holandeze, në librin e saj “Industria e solidaritetit”  shkruante: “Në Indi fëmijët tmerrohen po t’u thuash: rri urtë, përndryshe vjen e të merr Nënë Tereza!”. “Në spitalet e saj njerëzit vdesin pa kujdesin e duhur mjekësor. Pavarësisht nga gjithë ato shuma parash, që  mblidhen nga lëmoshët”.

Këtyre padive të rreme iu përgjigj Gjon Pali II i cili, që më 2003, vetëm pesë vjet pas vdekjes, e deklaroi “të Lume”, duke e paraqitur si shembull  dashurie e shërbimi, që e kthen përmbys çdo logjikë njerëzore e duke  e quajtur një nga personalitetet më të spikatura të epokës sonë, grua të vogël, të dashuruar me Zotin, kasnece e përvuajtur e Ungjillit e bamirëse e palodhur e mbarë njerëzimit!

Kjo është Nënë Tereza, që nesër Papa Françesku do ta shpallë shenjte, duke iu përgjigjur kështu, edhe përgojuesve të tjerë, që ndoshta, mund të  dëshirojnë të vënë përsëri pikëpyetje mbi emrin e saj sa të thjeshtë, aq  madhështor, që e kapërcen çdo logjikë mediatike!

Papa e përfundoi fjalën drejtuar veprimtarëve të panumërt të mëshirës, që qenë mbledhur rreth tij si kurorë, duke u kërkuar një minut lutjeje të heshtur.








All the contents on this site are copyrighted ©.