2016-09-03 17:04:00

KAPELA PAPNORE ME RITIN E SHENJTËRIMIT TË TEREZËS SË KALKUTËS


 KAPELA PAPNORE

E DIELA XXIII E KOHËS SË ZAKONSHME

MESHA SHENJTE

E KREMTUAR NGA ATI I SHENJTË

       FRANÇESKU

ME RITIN E SHENJTËRIMIT

TË  TEREZËS SË KALKUTËS

SHESHI I SHËN PJETRIT, 4 SHTATOR 2016

JETËSHKRIM I SË LUMES TEREZA E KALKUTËS

RREGULLTARE

Themeluese e Kongregatës së Misionareve të Bamirësisë

dhe Misionarëve të Bamirësisë

[Risultati immagini per Teresa di Calcutta]

TEREZA E KALKUTËS

(1910-1977)

E Lumja Tereza e Kalkutës, (në shekull Ganxhe Agnes Bojaxhiu) lindi në Shkup, më 26 gusht 1910. Ishte fëmija i pestë dhe i fundit i prindërve shqiptarë Kolë e Drande Bojaxhiu. U pagëzua një ditë më pas. Kungimin e parë e mori në moshën pesë vjeç e gjysëm. Që nga ky çast u mbush me dashuri për shpirtrat.

Më 1928, duke dashur të bëhet misionare, hyri në Kongregatën e Motrave të Loretos (IBVM) në Irlandë. Arriti në Indi në vitin 1929, bëri kushtet e përkohshme në maj 1931, kushtet e përjetshme, në maj 1937. Gjatë njëzet vjetëve, që qëndroi në Indi, duke iu kushtuar mësimdhënies, u dallua për bamirësi, zell, përkushtim e gëzim.

Më 10 shtator 1942 Jezusi e thirri “të heqë dorë nga gjithçka e t’i shërbejë në të varfërit më të varfër”. Në vitin 1948 mori lejën kishtare  për të filluar apostullimin në lagjet e varfëra të Kalkutës. Misionaret e Bamirësisë u lartuan në rangun e Kongregatës  të së drejtës papnore më 1 shkurt 1965. Karizma e veçantë e Kongregatës është të shuajë etjen e pashueshme të Jezusit për dashuri e për shpirtra, duke u përpjekur për shëlbimin e shenjtërimin e të varfërve më të varfër.

Për ta shtrirë misionin e saj të dashurisë, Nënë Tereza  themeloi edhe degën e Vëllezërve MD(1963), të Motrave Kundruese(1976), të Vëllezërve Kundrues(1979) e të Etërve Misionarë të Dashurisë(1984), si dhe Shoqatën e Bashkëpunëtorëve, të Bashkëpunëtorëve të Vuajtur dhe Lëvizjen e Korpit të Krishtit për meshtarë. Kur vdiq, më 5 shtator 1997, Kongregata numëromte 3842 motra, me mision në 594 shtëpi, në 120 kombe.

Pavarësisht nga errësira e dhimbshme shpirtërore, që iu desh të provojë, Nënë Tereza shkoi kudo, me zell të pashoq, si Maria në episodin e  Vizitës tek Shën Elizabeta, për të rrezatuar dashurinë e Krishtit në mbarë botën, duke u bërë, kështu, ikonë e dashurisë së ëmbël e përdëllyese të Zotit për të gjithë, posaçërisht për të padashurit, të padëshiruarit, të lënët pas dore. Nga qielli vijon të ndezë dritën, për ata që jetojnë në errësirë, këtu, mbi tokë!

II

KREMTIMI EUKARISTIK

ME RITIN E SHENJTËRIMIT

Riti i Hyrjes

Himni i Vitit Shenjt të Mëshirës

Të mëshirshëm, si Ati

E falënderojmë Atin, sepse është i mirë,

Botën me dije e krijoi.

I prin popullit të tij në histori

I fal e i pret krahë haptë bijtë e tij.

Refren:  Të mëshirshëm, si Ati

E falënderojmë Birin, drita e popujve,

Na deshi me zemër njeriu,

Nga ai marrim, Atij i dhurohemi,

E zemra hapet për kë ka uri.

I kërkojmë Shpirtit të shtatë dhuratat shenjt

Burim i çdo të mire,  lehtësim plot ëmbëlsi,

Prej Tij të ngushëlluar, edhe ne ngushëllojmë

Dashuria shpreson e gjithçka e duron.

 

I kërkojmë paqe Hyjit të çdo paqeje,

Toka pret Ungjillin e Mbretërisë.

Hir e gëzim kujt do edhe fal

Do të jenë të reja qielli e toka.

 

Plot mëshirë, si Ati

Variant i stilizuar

Ta falënderojmë Hyjin, Atë i mirë

E krijoi botën përplot me urti,

Të bijtë i fal, krahë hapur i pret,

E popullit të Tij i prin në histori.

Refren: Plot mëshirë, si Ati

Ta falënderojmë Birin, dritë e njerëzisë

Na deshi me zemër njeriu të vërtetë.

Vetveten na e fali, vetveten ia falim

E zemrën ia hapim kujt vuan në jetë.

 

I kërkojmë Shpirtit, shtatë të shenjtat dhanti,

Burim i çdo së mire, lehtësim për kë lëngon,

Prej tij të ngushëlluar, të japim ngushëllim:

Shpreson dashuria, gjithçka e duron.

 

Zotit të paqes, ne paqe i kërkojmë,

E presim Ungjillin e Mbretërisë ndër ne.

Hir edhe gëzim njeriut që do e fal

Nën qiellin e ri e në tokën e re.

Antifona e Hyrjes

(E kënduar) Ti je i drejtë, o Zot,

e të drejta janë të gjitha gjykimet e tua;

vepro me shërbëtorin tënd, sipas dashurisë sate!

 

Ati i Shenjtë: Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt

R/ Amen.

Ati i Shenjtë: Paqja qoftë me ju!
R/ Edhe me shpirtin tënd!

Eja, Ti, o Shpirt Krijues*

O Shpirt Shejt, deh zbrit mbi ne,
E prej qiellit derdh mbi dhe
Rrezet tua plot me dritë.
Eja, o Atë, për nevojtarë,
Eja, ti n'dhanti bujar,
Eja, ti që mendjet shndritë.
Ti n'ngushtica ngushëllim bjen,
Ti ndër zemra si mik vjen,
T'lodhunt n'jetë rishtas forcon.
N' mundë e djersë ti je pushim,
N'vapë e luftë ti je freskim,
Lot ti terë, zemrat ngushllon.
Dritë hyjnore, plot shejtni,
Shndritnaj mendjet e n'dashuni
Kalle flakë ke n'ty shpreson.
Ku s'je ti gjithçka dështon,
N'natyrë t'njerit gja s'qëndron
Që t'jetë shejte, si ti don.
Njollat hiq, dangat pastro,
N'shpirtnet tonë hiret rigo,
Varrët e mëkatit na i shëro.
Çka asht t'brisht kandshëm lako,
Çka asht t'ftohtë me flakë rretho,
Çka asht t'shtrembtë ambël drejto.
Epna ne që n'ty besojmë,
Epna ne që n'ty shpresojmë,
Shtatë dhantitë që aq dishirojmë.
Mundin tonë ti na e shpërble,
N'mëkat me vdekë ti mos na le,
Ban me ty n'amshim t'lumnojmë.

Peticioni:

Atë i Shenjtë,

Kisha Shenjte Amë

Kërkon nga Shenjtëria Juaj,

ta shkruajë

Të lumen Nënë Tereza të Kalkutës

Në Librin  e Shenjtorëve e kështu të thirret nga gjithë të krishterët.

 

Kardinali Angelo Amato SDB, Prefekt i Kongregatës së Çështjeve të Shenjtorëve, i shoqëruar nga Postulatori, shkon tek Ati i Shenjtë dhe i kërkon të vazhdojë me Shenjtërimin e së Lumes Terezë të Kalkutës:

Atë i Shenjtë, Kisha Shenjte Amë

Kërkon nga Shenjtëria Juaj,

ta shkruajë Të lumen Nënë Terezë të Kalkutës

Në Librin  e Shenjtorëve e kështu të lutet nga gjithë të krishterët.

Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve paraqet shkurtimisht jetëshkrimin e Nënë Terezës së Kalkutës.

“Murgesha e pëvuajtur, së cilës turma të panumërta njerëzish i drejtoheshin duke e quajtur përzemërsisht “Nënë Terezë”, është e Lumja, të cilën po ia paraqesim sot Shenjtërisë Suaj, në mënyrë që, me shenjtërimin e dëshiruar, mbarë bota të mund ta kundrojë, duke i kërkuar ndërmjetësim e duke i përngjarë  në veprimtarinë bamirëse.

Në jetën e saj, duke ndjekur shembullin e Krishtit, Samaritanit të Mirë, ajo diti të bëhet e afërme me çdo nevojtar, që takonte, duke ndarë vuajtjet me ata, që jetonin në periferitë e skajshme të shoqërisë e duke e dëshmuar dashurinë e pafundme të Zotit për popullin e vet.

Po paraqes përmbledhtas çastet kryesore të jetës së saj:

E Lumja Terezë e Kalkutës (në shekull Agnes Gonxha Bojaxhiu), lindi më 26 gusht 1910, në Shkup, në një familje shqiptare. Gjatë adoleshencës,  mori pjesë gjallërisht në veprimtaritë e famullisë, duke dëshiruar gjithnjë më shumë t’i dhurohej krejtësisht Zotit. Si u largua nga shtëpia atërore, u pranua si dëshirtare në Kuvendin e Virgjërës Mari të Motrave të Loretos, në Rathfarnam (Dublin).

E dërguar në Indi, në Darjeeling, si kreu noviciatin, bëri kushtet rregulltare  dhe mori emrin Tereza. E caktuar në detyrën e mesueses, kaloi shtatëmbëdhjetë vjet pranë Saint Mary’s Bengali Medium School, në Kalkutë.

Ndërsa udhëtonte me tren nga Kalkuta në Darjeeling, e Lumja ndjeu thirrjen mbi thirrje, me intuitën për t’i dhënë jetë një instituti rregulltar, për të “shuar etjen e Jezusit mbi kryq për dashurinë e shpirtrave, duke punuar për shëlbimin dhe shenjtërimin e të varfërve më të varfër”.

Themeloi, kështu, kongregatën e Motrave Misionare të Bamirësisë e, më pas, shtoi edhe Kongregatën e Vëllezërve Misionarë të Bamirësisë, organizata laikale  dhe Lëvizjen e hapur për priftërinj dioqezanë.

Nënë Tereza nuk e kursei kurrë veten, duke iu kushtuar plotësisht kumtimit të Ungjillit, përmes veprimtarive të panumërta të bamirësisë e të ndihmës ndaj të varfërve, pa asnjë dallim shtrese shoqërore, feje, etnie. Në themel të të gjitha nismave, Ajo vinte ditë për ditë kremtimin e Meshës Shenjte, adhurimin eukaristik, lutjen e shpirtin e dashurisë universale, që e nxiste ta shikonte Jezusin e  t’i shërbente në të varfërit.

Dëshmia e saj heroike ungjillore ngjalli admirimin e autoriteteve më të larta të Kishës e të botës laike. Në vitin 1979 iu dorëzua edhe Çmimi Nobel për Paqen.

E shkrirë fizikisht, por gjithnjë e fortë shpirtërisht, u shua në paqe, në Kalkutë, më 5 shtator 1997, e rrethuar nga një famë e pafundme, e  fuqishme, e njëzëshme shenjtërie.

Litanitë e shenjtorëve:

Vëllezër të shumëdashur,

t’ia lartojmë lutjet tona Hyjit, Atit të gjithëpushtetshëm nëpër Krishtin Jezus, që me ndërmjetësimin e Virgjërës Mari dhe të gjithë shenjtorëve, ta mbështesë me hirin e saj këtë, që po e kryejmë solemnisht.

 Litanitë.

Shenjtja Mari, Nëna e Tënzot    R/ Lutu për ne!

Shenjti Mikel

Engjët e Shenjtë të Zotit             R/ Lutuni për ne!

Shën Gjon Pagëzuesi…  

Shenjti Jozef  

Shenjti Pjetër

Shenjti Pal

Shenjti Andre

Shenjti Jakob

Shenjti Gjon

Shenjti Tomë

Shenjti Filip

Shenjti Bartolome

Shenjti Mate

Shenjti Simon

Shenjti Tade

Shenjti Judë

Shenjti Mati

Shenjti Martin

Shenjtja Maria Magdalena

Shenjti Shtjefën

Shenjti Injac i Antiokisë

Shenjti Laurent

Shenjtet Perpetua e Felicita

Shenjtja Anjeze

Shenjti Gregor

Shenjti Agostin

Shenjti Athanas

Shenjti Bazil

Shenjti Martin

Shenjti Benedikt

Shenjtorët Françesk e Domenik

Shenjti Françesk Saveri

Shenjti Gjon Maria Vianney

Shenjtja Katerina e Sienës

Shenjtja Terezë e Krishtit

Të gjithë Shenjtorët burra e gra, Shenjtorë të Zotit

Në mëshirën tënde  -  na shpëto, o Zot

Nga çdo e keqe

Nga çdo mëkat

Nga vdekja e amshuar

Nëpër mishërimin tënd

Nëpër, vdekjen e ngjalljen tënde

Nëpër dhuratën e Shpirtit Shenjt

Ne, mëkatarët, po të lutemi: - dëgjona, o Zot!

Bir i Hyjit të gjallë…

O Krisht dëgjoje lutjen tonë!

O Krisht, pranoje lutjen tonë!

Ati i Shenjtë: Pranoji, po të lutemi, o Zot, lutjet e popullit tënd, e na e jep hirin që, çka po kryejmë me shërbimin tonë, të dalë e pëlqyeshme para teje e të ndihmojë për rritjen e  Kishës sate.

                                                             Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Formula e Shenjtërimit

Për nderimin e së Shenjtnueshmes Trini,

për lartimin e fesë katolike

dhe thellimin  e jetës së krishterë,

me autoritetin e Zotit tonë, Jezu Krishtit,

të Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal  e Tonin,

Pasi reflektuam gjatë,

kërkuam shumë herë ndihmën hyjnore

 e dëgjuam mendimin e shumë prej vëllezërve tanë në Ipeshkvni.

e deklarojmë dhe e quajmë Shenjte

Të Lumen Terezë të Kalkutës

Dhe e shkruajmë në Librin e Shenjtorëve,

duke vendosur që Ajo të nderohet nga Kisha universale

me devocion ndërmjet shenjtorëve.

Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt

R/ Amen!

Vendosen pranë elterit reliket e Shenjtores së Re.

Diakoni kemon reliket

Iubilate Deo

Ps. 32,1.3.18-19.21-22

Galdoni, o të drejtë, në Zotin,

të drejtëve hije u ka lavdi.

Këndoni Zotit një këngë të re;

me harpë dhjetëkordash atij këndoni.  

 

Ja, syri i Zotit rri hapur mbi atë që e dron,

mbi atë që në mirësinë e Tij shpreson,

për ta çliruar nga vdekja,

e për ta ushqyer në kohë të zisë. 

 

 Shpirti ynë me afsh pret Zotin,

ai është ndihma jonë e mburoja jonë;

Vetëm në të na gëzohet zemra e shkretë,

sepse në Zotin shpresat kemi mbështetë.

 

Kardinali Prefekt  dhe Postulatori, falënderojnë Atin e Shenjtë:

Atë i Shenjtë,

Në emër të Kishës Shenjte ju falënderojmë nxehtësisht për deklaratën e bërë nga Shenjtëria Juaj dhe kërkojmë përvujtërisht të vendosni që të  hartohet  Letra Apostolike lidhur me Shentjërimin e Nënë Terezës.

 

Ati i Shenjtë: - E dekretojmë!

Këndohet “Gloria”:

Lavdi i qoftë Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë. 
Ne po të lëvdojmë, po të bekojmë,
po të adhurojmë, po të madhërojmë,
po të falenderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj, Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse ti vetëm je Shenjti, ti vetëm Zoti, ti vetëm gjithë i Larti,
o Jezu Krisht, së bashku me Shpirtin Shenjt:
në lumturinë e Hyjit Atë.  Amen.
 
Koleta:
 
Ati i Shenjtë:
Të lutemi:
O Atë, ti që na dhurove Shëlbuesin e Shpirtin Shenjt, shikoi me mirësi bijtë e tu në shpirt, që të gjithë besimtarëve në Krishtin t’u jepet liria e vërtetë e trashëgimi i amshuar.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që jeton e mbretëron së bashku me Ty, në bashkim me Shpirtin Shentj, për të gjithë shekujt e shekujve!
 
Leximi I
E Kush mund ta përfytyrojë atë që do Zoti?
Nga Libri i Urtisë (9,13-18)
E cili njeri mund ta dijë synimin e Hyjit?
Kush kujtohet se çka do Zoti?
Të druajtura janë mendimet e të vdekshmëve,
 e të dyshimta, parashikimet tona,
sepse trupi i shkatërrueshëm e mundon shpirtin,
e çadra tokësore e ndrydh mendimin.
Mezi i përfytyrojmë gjërat tokësore.
Madje deri sendet, që i kemi në dorë
Mezi i kuptojmë.
E kush, atëherë do të mund t’i shqyrtojë gjërat qiellore?
E kush do ta kish njohur vullnetin tënd,
po të mos e kishe dhuruar ti vetë urtinë?
E të mos kishe dërguar prej së larti
Shpirtin tënd Shenjt?
Vetëm kështu u drejtuan shtigjet
e atyre që ecin mbi tokë,
 e njerëzit mësuan ç’u pëlqen
e, falë urtisë, u shëlbuan!
 
  
Psalmi 89 (90)
Asambleja përsërit:

 Zot, ti ke qenë për ne strehim,

prej breznie në brezní.

 

Ti bën që njeriu të kthejë në pluhur,

e thua: “Kthehuni, o bijtë e njeriut!”.

Para syve të tu njëmijë motmote

janë si dita e djeshme që kaloi,

si rendi i atij që bën roje natën. 

 

 Ti i asgjëson, i zhytë në gjumë të vdekjes,

janë porsi bari që rritet shpejt,

në ag mungullon e lulëzon

në muzg pritet e thahet.

 

 Na mëso, o Zot, t’i njehim ditët tona,

e dijen e zemrës do të fitojmë.

 Ktheu  drejt nesh, o Zot, e deri kur më?

Të kesh dhimbje për shërbëtorët e tu. 

 

  Shpirtin tonë në ag me hirin tënd ti ngije;

 do të galdojmë e do të gëzohemi për tërë ditët tona.

 

Mbi ne qoftë mirësia e Zotit, Hyjit tonë:   

punën e duarve tona, në dobi tonë forcoje,

punën e duarve tona, deh! ti, o Zot, bekoje!

 

Leximi II

Nga Letra e Shën Palit Apostull drejtuar Filemonit (9b-10.12-17)

 Unë Pali, plak dhe tani edhe i burgosuri i Krishtit Jezus. 10 Po të lutem për

birin tim, të cilin e linda në pranga, për Onezimin, 11 që dikur s’kishte farë vlere për ty, por që tani është shumë i vlefshëm për ty dhe për mua. 12 Po ta dërgoj atë – loçkën e zemrës sime. 13 Desha ta ndal pranë meje që të më shërbejë në vendin tënd këtu në burg ku gjendem për shkak të Ungjillit, 14 por nuk desha të bëj asgjë pa pëlqimin tënd që, vepra e mirë të cilën do ta bësh, mos të të duket se e bëre përdhuni, por vullnetarisht. 15 Ndoshta pikërisht për këtë arsye qe ndarë prej teje për pak kohë që te ti të kthehej përgjithmonë, 16 jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, porsi vëlla i dashur, sidomos për mua dhe aq më tepër për ty, qoftë si njeri dhe qoftë si vëlla në Zotin.

17 Në qoftë se, pra, më mban për shok në fe, pranoje porsi mua! 18 Dhe në qoftë se të ka bërë ndonjë dëm ose të ka gjë borxh, më detyro mua për të gjitha.

                                                                                         Fjala e Zotit

                                                                                                Falënderojmë Hyjin!

 

Brohoritje për Ungjillin:

Bëj të shndrisë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd e m’i mëso urdhërimet tua!

 

Diakoni sjell solemnisht Librin e Ungjillit në amvonë:

Shkolla: Aleluja, Alelluja Aleluja!

Asambleja përsërit: Aleluja, Alelluja Aleluja!

Ungjilli

Kush nuk heq dorë nga të gjitha pasurië e veta, nuk mund të jetë dishepulli im!

Diakoni: Zoti qoftë me ju!

R/ E me shpirtin tënd!

Lexim nga Ungjilli sipas Lukës (14,25-33)

R/ Lumni të qoftë ty, o Zot:

Në atë kohë

25 një mori e madhe e popullit po bënte rrugë me të. Ai u kthye kah ata dhe u tha:

26 “Nëse ndokush vjen tek unë e do më tepër babain, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat, madje edhe jetën e vet se sa mua, nuk mund të jetë nxënësi im.

27 Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, nuk mund të jetë nxënësi im!

28 Cili prej jush, nëse mendon të ndërtojë kullën, nuk ulet më parë të llogarisë shpenzimet se a ka sa i duhen për ta kryer? 29 Që, kur t’i shtjerë themelet e të mos mund ta kryejë ‑ të mos fillojë ta vërë në lojë gjithkush ta shohë 30 duke thënë: ‘Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta kryejë!’ 31 Ose ‑ cili mbret, kur do të niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të pleqërojë a është i zoti me dhjetë mijë ushtarë t’i dalë përballë atij, që i vjen me njëzet mijë? 32 Nëse nuk mundet, çon delegacionin derisa ai është ende larg e kërkon qyshket për paqe.

33 Kështu, pra, secili prej jush që nuk i bie mohit tërë pasurisë së vet, nuk mund të jetë nxënësi im.

Fjala e Zotit

Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

 

Homelia e Papës Françesku

Shenjtërimi i Nënë Terezës

E Diel, 4 shtator 2016

“E kush mund ta përfytyrojë se çka do Zoti? (Ur. 9,13). Kjo pyetje nga Libri i Urtisë, që e dëgjuam në leximin e parë, na e paraqet jetën tonë si mister, çelësin e shpjegimit të të cilit nuk e kemi ne. Protagonistët e historisë janë gjithnjë dy: Zoti në njerën anë, njeriu, në tjetrën. Detyra jonë është ta perceptojmë  thirrjen e Zotit e, më pas, ta pranojmë vullnetin e tij. Por, për ta pranuar pa ngurrim, duhet të pyesim: Cili është vullneti i Zotit në jetën time?

Në të njëjtin fragment të Librit të Urtisë, gjejmë edhe përgjigjen: “Vetëm kështu njerëzit mësuan çfarë të pëlqen”(v 18). Për ta vërtetuar thirrjen e Zotit, duhet të pyesim e të kuptojmë ç’i pëlqen Atij. Shpesh herë profetët kumtojnë ç’i pëlqen Zotit. Mesazhi i tyre përmblidhet mrekullisht në shprehjen: “Mëshirë dua, jo fli!”(Os.6,6); Mt 9,13). Zotit i pëlqen çdo vepër mëshire, sepse në vllain, që ndihmojmë, shikojmë fytyrën e Zotit, që nuk mund ta shikojë askush (cfr Gjn 1,18). Sa herë përkulemi mbi vëllezërit nevojtarë, i japim të hajë e të pijë vetë Jezusit: e veshim, e ndihmojmë, e vizitojmë Birin e Zotit (krh Mt 25,40).        

Jemi, prandaj, të thirrur ta jetojmë konkretisht, atë që themi në lutje e që e shpallim në fe. Nuk ka rrugë tjetër, përveç dashurisë së krishterë: gjithsa vihen në shërbim të vëllezërve, edhe pa e ditur, janë ata që e duan Zotin (khr 1 Gjn 3,16-18; Gc 2,14-18). Jeta e krishterë, gjithsesi, nuk është ndihmë e thjeshtë, që jepet në çastin e nevojës. Po të ishte kështu, do të qe sigurisht një ndjenjë solidariteti njerëzor, që sjell dobi të menjëhershme, por do të ishte shterpë, sepse pa rrënjë. Angazhimi që kërkon Zoti, përkundrazi, është ai i thirrjes për atë bamirësi, me të cilën çdo dishepull i Krishtit vë në shërbim jetën e vet, për t’u rritur çdo ditë në dashuri.

Dëgjuam në Ungjill se “një turmë e shumënumërt shkonte me Jezusin” (Lk 14,25), Sot, kjo “turmë e shumënumërt” përfaqësohet  nga bota e gjerë e vullnetariatit, që u mblodh tani këtu, me rastin e Jubileut të Mëshirës. Jeni ju, kjo turmë, që ndjek pas Mësuesin dhe e bën të dukshme dashurinë e Tij konkrete për çdo njeri. Po jua përsëris fjalët e Shën Palit Apostull: “Dashuria jote ka qenë për mua gëzim i madh dhe ngushëllim, sepse i ke përforcuar zërat e shenjtorëve”(Fm 7). Sa zemra ngushëllojnë vullnetarët! Sa duar ndihmojnë; sa lot terin; sa dashuri ka në shërbimin  e fshehur, të përvuajtur, pa pikën e interesit! Ky shërbim i lavdërueshëm i jep zë fesë e shpreh mëshirën e Atit, që bëhet i afërt me të gjithë nevojtarët.        

Ndjekja e Krishtit është angazhim serioz e njëkohësisht, i gëzueshëm; kërkon radikalitet e guxim për ta njohur Mësuesin Hyjnor në më të varfërin e për t’u vënë në shërbim të Tij. Prandaj vullentarët, që u shërbejnë të fundmëve e nevojtarëve për dashuri të Krishtit, nuk presin kurrfarë falënderimi, kurrfarë shpërblimi, por heqin dorë nga të gjitha këto, sepse kanë zbuluar dashurinë e vërtetë. Ashtu si Zoti erdhi tek unë e u përkul mbi mua në çastin e nevojës, ashtu edhe unë shkoj tek Ai e përkulem mbi ata, që e kanë humbur fenë ose jetojnë sikur të mos kishte Zot, mbi të rinjtë pa vlera e ideale, mbi familjet në krizë, mbi të sëmurët, mbi të burgosurit, mbi refugjatët, mbi emigrantët, mbi të ligshtit e të pambrojturit   në korp e në shpirt, mbi të miturit e të lënët në mëshirën e vetvetes, ashtu si mbi pleqtë e braktisur. Kudo shtrihet një dorë, që kërkon ndihmë për t’u ngritur përsëri në këmbë, atje duhet të jetë edhe prania jonë e prania e Kishës, që mbështet e jep shpresë!        

Nënë Tereza, në gjithë jetën e saj, qe bujare e shpërndarëse  e mëshirës hyjnore, duke qenë gjithnjë e gatshme për të gjithë, përmes mirëpritjes e mbrojtes së jetës njerëzore, jetës së braktisur e  të flakur tutje.  U angazhua në mbrojtje të jetës, duke theksuar vazhdimisht se “kush nuk ka lindur akoma, është më i ligshti, më i vogli, më i mjeri” e duke ua njohur dinjitetin, që ua jep vetë Zoti; e ngriti zërin aq, sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, që t’i pranonin fajet përballë krimit të varfërisë së krijuar prej tyre. Mëshira për të ishte “kripë” që i jepte shije çdo vepre, ishte “dritë”, që ndriçonte errësirën e njerëzve, të cilët nuk kishin më as lot për të qarë mbi varfërinë e tyre, mbi vuajtjen e tyre.

Misioni i saj në rrethinat e qyteteve e në periferitë ekzistenciale, mbetet, në ditët tona, dëshmi që flet vetë për afërsinë e Zotit pranë të varfërve më të varfër. Sot po ia dorëzoj këtë figurë simbolike gruaje e rregulltareje mbarë botës së vullnetariatit; le të jetë Ajo modeli juaj i shenjtërisë! Kjo veprimtare e palodhur e mëshirës na ndihmoftë ta kuptojmë gjithnjë më mirë se i vetmi kriter i veprimtarisë është dashuria pa shpërblim, e lirë nga çdo ideologji e nga çdo lidhje, që u përket të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race, feje. Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk e flas gjuhën e tyre, por mund t’u buzëqesh”. Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e saj e t’ua dhurojmë atyre, që takojmë në udhën tonë, posaçërisht njerëzve, që vuajnë. Do të hapim, kështu, horizontet e gëzimit e të shpresës për mbarë njerëzimin, që e ka humbur besimin e ka shumë nevojë për mirëkuptim e dhembshuri! 

Heshtje për reflektim personal

Besojma (e kënduar)

“Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm, Krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe nuk shihen.
Edhe në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës, Hyji i vërtetë
prej Hyjit të vërtetë.
Të lindur, jo të krijuar, të njëgjëjtë me Atin:
Nëpërmjet të cilit u krijuan të gjitha sendet.
Ai për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë zbriti
prej qiellit.
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
Në kraharorin e Virgjërës Mari: e u bë njeri.
Dhe u kryqëzua për ne nën Poncin Pilat;
Pësoi dhe u varros,
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve,
e u ngrit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e Mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Edhe në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëbërës:
që rrjedh prej Atit dhe prej Birit.
Dhe së bashku me Atin dhe Birin adhurohet
dhe lavdërohet,
Që foli me anë të profetëve.
Edhe në një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike
dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
Dhe jetën e pasosur. Amen”.

Lutja universale apo e besimtarëve

Ati i Shenjtë:

         Të dashur vëllezër e motra, bij dhe bija, me mirënjohje ndaj Zotit për dëshminë e ndritshme të fesë së Shën Terezës së Kalkutës, le t’ia lartojmë Atij lutjet tona.

Këngëtari:

T’i lutemi Zotit

Asambleja:

O Zot, dëgjoje lutjen tonë

Diakoni:

Të lutemi për Kishën e shenjtë të Zotit

Lutje në heshtje

Shqip (motër M. Marieta misionare e Nënë Terezës)

Mbushe plot me Shpirtin tënd, o Zot: barinjtë e besimtarët ta ndjejnë dëshirën ta shuajnë, në vëllezërit, etjen e Jezusit.

Këngëtari:

T’i lutemi Zotit

Asambleja:

O Zot, dëgjoje lutjen tonë

Diakoni:

Të lutemi për të shugurarit

Frëngjisht

Jepu atyre o Zot, lirinë e zemrës: të lirë nga gjërat tokësore, të jetojnë gjithmonë të orientuar nga të mirat e qiellit.

Këngëtari:

T’i lutemi Zotit

Asambleja:

O Zot, dëgjoje lutjen tonë

Diakoni:

Të lutemi për qeveritë dhe për asambletë legjislative

Bengali

Udhëhiqi, o Zot, të zgjedhin të mirën e vërtetë të njeriut: të mbrojnë jetën dhe dinjitetin e çdo njeriu, të promovojnë drejtësinë dhe paqen.

Këngëtari:

T’i lutemi Zotit

Asambleja:

O Zot, dëgjoje lutjen tonë

Diakoni:

Të lutemi për të varfërit dhe të fundmit e kësaj bote

Portugalisht

         Dëgjoje, o Zot, britmën e tyre që lartohet deri tek Ti: sipas shembullit të shën Terezës, nxiti të krishterët për bamirësi e dashuri konkrete.

Këngëtari:

T’i lutemi Zotit

Asambleja:

O Zot, dëgjoje lutjen tonë

Diakoni:

Të lutemi për të krishterët e persekutuar

Lutje në heshtje

Kinezçe

         Ngushëlloji, o Zot, me praninë tënde: udhëhiqi në natën e errët e bëj të lindë për ta dielli yt i drejtësisë.

Këngëtari:

T’i lutemi Zotit

Asambleja:

O Zot, dëgjoje lutjen tonë

Ati i Shenjtë:

Ti vetëm, o Zot, e njeh të mirën tonë të vërtetë: plotësoji lutjet tona e bëj vullnetin tënd në ne. Për Krishtin, Zotin tonë.

Amen.

LITURGJIA EUKARISTIKE

Shkolla:

Ia lartova lutjen Zotit, Hyjit tim: dëgjoje, o Zoti ynë, lutjen e shërbëtorit tënd, dëftoje fytyrën mbi Shenjtëroren tënde.  të mbetur shkretë, pashë dashurinë tënde! O Zot, dëgjoje popullin tënd, sepse ai mban emrin tënd” (shih Dan 9,17-19).

Ati i Shenjtë:

Lutuni, o vëllezër e motra, që flia ime dhe e juaja të dalë e pëlqyeshme para Hyjit, Atit të gjithëpushtetshëm.

P. Zoti e pranoftë flinë prej duarve të tua, e ajo daltë për lavd e lumturi të emrit të tij, si edhe për dobi tonë dhe të mbarë Kishës së tij të shenjtë.

Lutje gjatë ofertave

O Zot, burim i mëshirës dhe i paqes së vërtetë, u lartoftë deri tek Ti, në kremtimin e këtij misteri adhurimi për madhështinë tënde e u përforcoftë besnikëria dhe mirëkuptimi ndërmjet bijve të tu.

Për Krishtin, Zotin tonë.

Prefacioni

Ati i Shenjtë:

Zoti qoftë me ju.

P: Dhe me shpirtin tënd.

T’i lartësojmë zemrat.

P: I kemi te Zoti.

Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P: Është punë e denjë dhe e drejtë.

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyrë e jona dhe burim shëlbimi të falemi nderit gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Në saje të veprës së tij të mrekullueshme, të kryer në misterin e Pashkëve, jemi të çliruar prej mëkatit dhe prej zgjedhës së vdekjes e për ta pasur këtë hir: të quhemi rod i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull i fitores sate, për t’i shpallur gjithkund veprat e madhërishme të tuat, pasi ti na thirre prej territ, në dritën tënde të mrekullueshme.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj, me frone dhe zotërues, dhe me të gjithë aradhen e ushtrisë qiellore, po këndojmë himnin e lavdisë sate, duke thënë pa pushuar:

Sanctus (i kënduar)

Shenjt, shenjt, shenjt është Zoti, Hyji i gjithësisë. Qielli e toka janë plot me lavdinë tënde. Hosana në lartësitë qiellore. Bekuar qoftë Ai që vjen në emër të Zotit. Hosana në lartësitë qiellore.

Lutja Eukaristike III

Ati i Shenjtë:

Me të vërtetë je shenjt o Zot dhe është e drejtë të të lëvdojë çdo krijesë, sepse Ti, nëpër Birin tënd, Jezu Krishtin, Zotin tonë, e me veprën e fuqishme të Shpirtit Shenjt, i jep jetë dhe e shenjtëron gjithësinë e vazhdon ta bashkosh rreth vetes popullin që, nga lind dielli e deri ku perëndon, të kushtohet në nder të emrin tënd flia e panjollë.

Ati i Shenjtë dhe bashkëkremtuesit:

Prandaj, o Zot, po të lutemi me përvuajtëri: denjohu t’i shenjtërosh me fuqinë e të njëjtit Shpirt këto dhurata, që i sollëm për t’i kushtuar Ty, që të bëhen Korpi dhe Gjaku i Birit tënd, Zotit tonë, Jezu Krishtit, i cili na urdhëron t’i kremtojmë këto mistere.

Ai vetë, atë natë, në të cilën qe tradhtuar, mori bukën, t’u falenderua me lutjen e bekimit, e theu, ua dha nxënësve të vet dhe tha:

MERRNI E HANI TË GJITHË PREJ KËTIJ: KY ËSHTË KORPI IM QË DO TË FLIJOHET PËR JU.

Ati i Shenjtë ia dëfton popullit hosten e shuguruar dhe gjunjëzohet në adhurim

Po ashtu pasi u krye darka, mori edhe kelkun, t’u falenderuar me lutjen e bekimit, ua dha nxënësve të vet dhe tha:

MERRNI E PINI TË GJITHË PREJ TIJ: KY ËSHTË KELKU I GJAKUT TIM I BESËLIDHJES SË RE DHE TË AMSHUAR, QË DO TË DERDHET PËR JU E PËR TË GJITHË NJERËZIT NË SHPËRBLIM TË MËKATEVE.

BËNI KËTË NË PËRKUJTIMIN TIM.

Ati i Shenjtë ia dëfton popullit kelkun dhe gjunjëzohet në adhurim

Ati i Shenjtë:

Misteri i fesë.

Asambleja:

Kujtojmë vdekjen tënde, o Zot, shpallim ngjalljen tënde dhe presim ardhjen tënde më lumturi.

Ati i Shenjtë dhe bashkëkremtuesit:

Duke kremtuar, o Zot, përkujtimin e mundimeve shpërblimtare të Birit tënd, si edhe të ngjalljes së tij të madhërueshme dhe të ngjiturit e tij në qiell e duke pritur ardhjen e tij të dytë, po ta kushtojmë me falenderim këtë fli të gjallë e të shenjtë.

Po të lutemi, o Zot, shikoje me dashuri kushtin e Kishës sate dhe pranoje për fli, me të cilën deshe të pajtohesh me ne dhe bëj që ne, të cilët po ushqehemi me Korpin e me Gjakun e Birit tënd, të mbushur me Shpirtin Shenjt, të bëhemi në Krishtin një korp e një shpirt i vetëm.

Një nga kremtuesit:

Në sajë të tij u bëfshim dhurata jote e amshuar për të fituar lumturinë e Parrizit bashkë me të zgjedhurit e tu: me të Lumen Mari Virgjër, Nënën e Zotit, me Shën Jozefin, fatin e saj, me  shenjtërit apostuj të tu dhe me martirë të lumë, me shën Terezën dhe me gjithë shenjtërit, ndërmjetësia e të cilëve shpresojmë se gjithmonë do të na nxjerrë ndihmën tënde.

Një kremtues tjetër:

Po të lutemi, o Zot, që kjo fli e pajtimit tonë të vlejë për paqen e shëlbimin e mbarë botës. Forcoje në fe dhe dashuri Kishën tënde, udhëtare mbi tokë, bashkë me shërbëtorin tënd, Papën tonë Françesku, me urdhërin ipeshkvnor, me mbarë meshtarinë si edhe me popullin që ke shpërblyer.

Dëgjoji lutjet e familjes sate që, prej mirësisë sate, qëndron në praninë tënde. Afroji pranë vetes, o Atë i mëshirshëm, të gjithë bijtë e tu të shpërndarë nëpër botë. Pranoji me mëshirë pranë vetes në Mbretërinë tënde vëllezërit dhe motrat tona të vdekura edhe të gjithë të drejtët që, në paqe me Ty, kaluan nga kjo jetë, ku shpresojmë se edhe ne, bashkë me ta, do të gëzojmë përgjithmonë lumturinë tënde. Nëpër Krishtin, Zotin tonë, nëpër të Cilin i jep botës çdo të mirë.

Ati i Shenjtë dhe bashkëkremtuesit (e kënduar):

Nëpër Krishtin e me Krishtin dhe në Krishtin, Ty, o Atë, Hyj i gjithpushtetshëm, në bashkim me Shpirtin Shenjt të qoftë çdo nderim e lavdi për të gjithë shekujt e shekujve.

Asambleja (e kënduar):

Amen

RITI I KUNGIMIT

Ati i Shenjtë:

Të nxitur nga urdhëri i Shëlbuesit, dhe sipas mësimit të tij hyjnor, marrim guxim të themi:

Ati i Shenjtë dhe asambleja (e kënduar):

Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote si në qiell ashtu në tokë. Bukën tonë të përditshme na e jep sot; na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë. E mos na le të biem në tundim, por na liro nga i keqi.

Ati i Shenjtë:

Na liro, po të lutemi, o Zot, prej të gjitha të këqiave, dhe, për mirësinë tënde, na jep paqen në ditët tona, e, në sajë të mëshirës sate, do të lirohemi përgjithmonë prej mëkatit e do të jemi të sigurt prej çdo turbullimi: duke pritur shpresën e lume: ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit.

Asambleja (e kënduar):

Ti, o Zot, je mbret, ti je i gjithëpushtetshëm, ti je i lumtur në amshim.

Ati i Shenjtë:

O Zot, Jezu Krisht, ti u ke thënë apostujve të tu: “Po ju lë paqen, po ju jap paqen time”, mos i shiko mëkatet tona, por fenë e Kishës sate; jepi asaj, sipas vullnesës sate, paqe dhe bashkim.

Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.

P: Amen.

Ati i Shenjtë:

Paqja e Zotit qoftë përherë me ju.

P: Dhe me shpirtin tënd.

Diakoni:

Jepjani njëri tjetrit shenjën e paqes.

Të gjithë shndërrojnë njëri me tjetrin shenjën e paqes.

Ati i Shenjtë thyen hosten e shuguruar

Agnus Dei

Shkolla e asambleja të alternuar:

O Qengji i Hyut, ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne.

O Qengji i Hyut, ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne.

O Qengji i Hyut, ti që shlyen mëkatet e botës, jepna paqen neve.

Ati i Shenjtë:

Qe Qengji i Hyjit, qe Ai që shlyen mëkatet e botës. Lum ata që janë të grishur në gostinë e Qengjit.

Ati i Shenjtë dhe asambleja:

O Zot, unë nuk jam i denjë që të marr pjesë në tryezën tënde, por thuaj një fjalë të vetme, e shpirti im do të shëlbohet.

Antifona e Kungimit

Shkolla e asambleja:

Bëni kushte dhe plotësojani Zotit, Hyjit tuaj,

të gjithë ju përreth tij jepni dhurata të Tmerrshmit,

Atij që ua merr frymën princave,

që është tmerr për mbretërit e tokës. (Ps 75,12-13)

Shkolla:

Nga qielli e jep vendimin gjykues;

Toka u trondit dhe heshti. (ps 75,9).

Je ti, o Zot, buka

Asambleja këndon “Je ti, o Zot, buka”

Të adhuroj me devocion

Asambleja këndon “Të adhuroj me devocion”

Na ke dhënë ushqim

Asambleja këndon “Na ke dhënë ushqim”

Heshtje për lutjen personale

Pas Kungimit

Ati i Shenjtë:

O Atë, ti që i ushqen dhe i rison besimtarët e tu në tryezën e fjalës dhe të bukës së jetës, për këto dhurata të Birit tënd, na ndihmo të ecim vazhdimisht përpara në fe, për t’u bërë pjestarë të jetës tëndë të amshuar.

Për Krishtin Zotin tonë, që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.

P: Amen

Riti i përfundimit

Allocutio

Engjëlli i Tënzot

Ati i Shenjtë:

Engjëlli i Zotit Engjëlli i Zotit iu fal Zojës Mari

P: e ajo u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt.

Të falemi Mri, hirplotë, Zoti me ty;

bekuar je mbi gjithë gratë, e i bekuar është fryti i barkut tyt, Jezus.

P: Shenjtja Mari, Nëna e Perëndisë, lutu për ne mëkatarët,

tani dhe në oren e vdekjes sonë. Ashtu qoftë.

Ja shërbëtorja e Hyjit.

P: U bëftë me mua si është fjala jote.

Të falemi Mari...

P: Shenjtja Mari…

E Fjala u bë njeri

P: E banoi ndër ne.

Të falemi Mari...

P: Shenjtja Mari…

Lutu për ne, o e shenjtja Nënë e Hyjit

P: Të bëhemi të denjë për premtimet e Jezu Krishtit.

Të lutemi

Hirin tënd, po të lutemi, o Zot, ndikoje në shpirtin tonë, që sikurse në lajmërimin e engjëllit na e zbulove mishërimin e Birit tënd, Jezu Krishtit, nëpër mundime e kryq të tij na udhëhiq në lavdinë e ringjalljes. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

P: Amen

Lavdi Atit, e Birit e Shpirtit Shenjt! 

P: Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen!

Për besimtarët e vdekur:

Jepua, o Zot, pushimin e pasosur.
P: Dhe u shndrittë drita e pambaruar.

Pushofshin në paqe!
P: Amen.

Bekimi përfundimtar

Ati i Shenjtë:

Zoti qoftë me ju.

P: Dhe me shpirtin tënd.

Qoftë bekuar emri i Zotit

P: Sot e përgjithmonë e jetës

Ndihma jonë është në emër të Zotit

P: Ai bëri qiellin e tokën

Ju bekoftë Hyji i gjithëpushtetshëm, Ati e Biri e Shpirti Shenjt.

P: Amen.

Përshëndetja

Diakoni:

Mesha u krye: shkoni në paqe.

P (e kënduar): Falenderojmë Hyjin

 

Besimtarët, që marrin pjesë në këtë kremtim liturgjik në Sheshin e Shën Pjetrit mund të marrin Ndjesën e Plotë në kushtet e zakonshme:

Të jenë të çliruar nga mëkati, edhe nga mëkatet e vogla
Të jenë rrëfyer
Të kenë marrë Kungimin eukaristik
Të luten sipas ndjeteve të Atit të Shenjtë.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.