2016-09-02 16:39:00

Shenjtërimi Nënë Terezës gëzim për të varfërit dhe shqiptarët


Po afrohet çasti historik i gëzimit të madh për Kishën universale, për mbarë botën e të varfërve dhe për shqiptarët e të gjitha trojeve, Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, Ganxhe Bojaxhiu.

Në mikrofonin e Radio Vatikanit kemi kryeipeshvijtë e Tivarit të Malit të Zi, ordinarin Imzot Rrok Gjonlleshaj, ipeshkvin e nderit imzot Zef Gashi e priftin kosovar dom Lush Gjergji, që kanë ardhur në Vatikan për kanonizimin e Nënë Terezës, flasin për domethënien e kësaj ngjarje kulmore të Vitit Jubilar të Mëshirës, ti dëgjojmë .....

Derisa ishte gjallë, rregulltarja shqiptare e bamirësisë gëzonte admirimin e mbarë planetit, sepse nderonte gruan, që ia kishte mjekuar plagët, duke shkelur personalisht në të katër skajet e globit, me sandalet e vjetra e të konsumuara dhe me moton fuqinë e dashurisë për Zotin e për njeriun. Kudo shkoi, Nënë Tereza u përpoq të shuante etjen për dashuri te njerëzit më të varfër e të nëpërkëmbur nga shoqëria bashkëkohore.

“Nënë Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë, që lind nga kundrimi i përhershëm i Krishtit në kryq, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve e motrave më të varfër e më të braktisur të botës, pa dallim e pa përjashtim race, feje, kombësie apo përkatësie shoqërore.

Në fytyrat e të mjerëve, pa fytyrën e Zotit, pa fytyrën e Jezu Krishtit i cili, nga lartësia e fronit të dashurisë, Kryqit, vijoi të dihasë: “Kam etje!”. E Nënë Tereza iu përgjigj kësaj dihame, që dilte prej buzëve të shkrumbuara nga etja të Zotit, duka ia dhuruar vetveten njerëzve të varfër, të braktisurve, të vuajturve, të vetmuarve, atyre që vdisnin rrugëve.

Duke ecur, pa u lodhur kurrë, nëpër rrugët e botës, Nënë Tereza la gjurmë të pashlyeshme në historinë e shekullit kur jetoi: mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq, jetën dhe dinjitetin e të varfërve dhe të mënjanuarve, u dha atyre, që shtypeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga bota, vetëdijen se nuk ishin të tepërt, se ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit të gjithëpushtetshëm, plot dashuri e Mëshirë për të gjitha krijesat e veta.

Dëshmoi Ungjillin e dashurisë, që ushqehet me dhurimin pa asnjë kusht të vetvetes – deri në grahmën e fundit. Kështu do ta kujtojmë gjithmonë, duke iu lutur, tash e tutje si Shenjte, që të ndërmjetësojë për ne e njerëzimin mbarë pranë Hyjit Atë Qiellor.

Sot shembulli i shkëlqyer i shërbimit të saj bamirës është bërë burim frymëzimi për familjen e saj shpirtërore, Misionaret dhe Misionarët e Dashurisë, për popullin e Atdheun e saj, për Kishën  e mbarë njerëzimin”. Kështu është shprehur Papa Gjon Pali II, edhe ai Shenjt, që e lartoi në nderimet e altarit Nënë Terezën, më 19 tetor 2003, gjatë ceremonisë beatifikimit, në Vatikan. Nga altari, Shën Nënë Tereza na porosit: “duajeni njëri-tjetrin, ashtu si Zoti do secilin prej jush dhe lutuni...lutuni e silleni lutjen brenda familjes, sepse familjet që luten së bashku, qëndrojnë të bashkuara. E nëse njerëzit qëndrojnë bashkë, ata do ta duan njëri-tjetrin, ashtu si Zoti e do secilin prej nesh”.

Në mikrofonin e Radio Vatikanit kemi kryeipeshvijtë e Tivarit të Malit të Zi, ordinarin Imzot Rrok Gjonlleshaj, ipeshkvin e nderit imzot Zef Gashi e priftin kosovar dom Lush Gjergji, që kanë ardhur në Vatikan për kanonizimin e Nënë Terezës, flasin për domethënien e kësaj ngjarje kulmore të Vitit Jubilar të Mëshirës, ti dëgjojmë .....








All the contents on this site are copyrighted ©.