2016-09-02 12:37:00

Shenjtërimi i Nënë Terezës, akt simbolik i Jubileut të Mëshirës


Në mbarë botën, e jo vetëm në Kishë, jetohet me gëzim pritja për shenjtërimin e Nënë Terezës, figurë që është përtej çdo dallimi ndërmjet besojmave. Shenjtërohet vetëm 19 vjet pas vdekjes. E në një çast vërtet të rëndësishëm për Kishën katolike: në kulmin e Vitit Shenjt të asaj Mëshire, të cilën murgesha shqiptare, sa e thjeshtë, aq e madhe, e njohur edhe si Çmim Nobel për Paqen, e dëshmoi me jetë, në mënyrë të jashtëzakonshme. Ishte Papa Françesku ai, që propozoi, e edhe ngulmoi, që ky shenjtërim të kremtohej para se të mbyllej ky vit kaq i rëndësishëm për mbarë botën katolike. Viti i Mëshirës, me Shenjten e Mëshirës. Shenjtërimi, tejet i shpejtë, po të kemi parasysh se në këtë lartësi disa nga shenjtorët, që njohim e lusim, arritën nganjëherë jo vetëm pas shumë vitesh, por edhe pas shumë shekujsh. Tereza Bojaxhiu, që shpejtoi gjithë jetën për t’i ndihmuar të mjerët, duke u bërë një rreze e dritës së Zotit për errësirën e botës, shpejtoi edhe tani, që të mund të ndërmjetësonte sa më shpejt, edhe nga qielli, për të varfërit e saj. Edhe pse nuk deshi kurrë të dukej. Ndoshta prandaj gjithë ky vlerësim! Shenjtërimi i saj po kremtohet nga mbarë bota si ngjarja më e madhe e Vitit të Mëshirës, që nisi më 8 dhjetor e do të përfundojë më 20 nëntorin e ardhshëm.

Duhet kujtuar se edhe Motrat e saj po organizojnë një sërë veprimtarish, ndërmjet të cilave, Mesha e sotme, kremtuar në një mori gjuhësh, në Bazilikën Romake të Shën Anastasisë, ku mund të nderohen edhe reliket e Shën Terezës.

E është në përgatitje e sipër edhe Mesha e Shenjtërimit, ajo që do të kremtohet të diel, në Sheshin e Shën Pjetrit, kryesuar nga Papa Françesku, kulm i Vitit Shenjt të Mëshirës, me praninë e qindra autoriteteve të të gjitha natyrave e, sidomos, të mijëra njerëzve të thjeshtë. Por këtë herë në krye të vendit nuk do të jenë të mëdhenjtë e botës: është kremtim, që vë në vendin e nderit, ata që deshi e të cilëve u shërbei Nënë Tereza: të varfërit e saj, pranë saj, sa ishte në jetë, e të lartuar me Të, tani që shpallet Shenjtore! I jashtëzakonshëm edhe për këtë, ky kremtim, në të cilin sundojnë të varfërit e Nënë Terezës! 

Kujtojmë se janë për udhë ose kanë arritur tashmë në Romë, një mori delegacionesh të rangut më të lartë, ardhur sidomos nga vendet që lidhen ngushtë me figurën madhore të Nënë Terezës. Kështu delegacionet nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, India e, doemos, nga viset ku vijojnë misionin bamirës motrat e dashurisë së krishterë. Pa llogaritur këtu, dekegacinet kishtare dhe dyndjen e shtegtarëve të thjeshtë, e jo vetëm të krishterë.e Natyrisht, shumë shumë shqiptarë, nga trojet e tyre e nga mbarë bota, ku janë shprishur.








All the contents on this site are copyrighted ©.