2016-09-01 12:09:00

Flet atë Brian Kolodiejchuk: Nënë Tereza, shenjte e mrekullive


Qindra mijëra besimtarë priten në Vatikan për shenjtërimin e Nënë Terezës, të diel, më 4 shtator. Themeluesja e Misionareve të Dashurisë ia kushtoi jetën më të varfërve ndër të varfër, të sëmurëve, njerëzve në prag të vdekjes e atyre, që nuk i do më askush. E jo më larg se të hënën, më 5 shtator, do të kujtohet edhe kalimi i saj në Shtëpinë e Atit Qiellor, në vitin 1997, 19 vjet më parë. U shpall e Lume nga Papa i shenjtë Gjon Pali II në vitin 2003, vetëm pesë vjet pas vdekjes: një shenjt, në gjendje ta njihte shenjtërinë.

Në mikrofonin e Radio Vatikanit, postulatori i çështjes së shenjtërimit, atë Brian Kolodiejchuk, e përshkruan kështu:

“Ajo kishte shumë dhunti, nëse flasim nga pikpamja njerëzore. Ishte inteligjente, shumë praktike, mësuese e lindur, organizatore… këndonte, kishte zë të mrekullueshëm; u binte instrumenteve, shkruante poezi. Kishte shumë dhunti”.

Atë Kolodiejchuk nënvizon se Nënë Tereza i nxiste motrat, që sot arrijnë në rreth 4000 murgesha, të jenë të devotshme ndaj Krishtit dhe të jetojnë thjesht: “motrat, që u bashkuan me të, ishin doktoresha shumë të talentuara, infermiere e intelektuale – por ato duhej të jetonin thjesht, ashtu si murgeshat e tjera. E, edhe ajo, ashtu jetoi”.

 “Ajo e maskonte thellësinë e shenjtërisë së saj edhe me thjeshtësinë e jashtme të jetës dhe të fjalëve”.

“Nëse do të jem ndonjëherë shenjte, sigurisht do të jem e Errësirës”

“Nëse do të jem ndonjëherë shenjte, sigurisht do të jem e Errësirës”, pati thënë dikur Nënë Tereza. Ajo besonte se nuk do të shkonte në Parriz. I pyetur se ç’nënkuptonte me këtë, atë Brian shpjegon:

“Mendoj se ishte ‘deklarata e misionit’ të Nënë Terezës për gjithçka do të bënte kur, siç thoshte ajo, do të shkonte ‘në shtëpinë e Zotit’. Nga letrat që kemi zbuluar [pas vdekjes], kur filluam të mblidhnim dokumentet, që më vonë u botuan në librin ‘Nënë Tereza, eja, ji drita ime: shkrimet private të shenjtes së Kalkutës’, për çudinë e madje me tronditjen e të gjithëve, edhe të motrave më të afërta për Nënë Terezën, zbuluam se përvojën e saj të brendshme shpirtërore ajo e quante ‘Errësirë’ dhe se ishte një grua me dashuri plot pasion për Jezu Krishtin”.

Tronditja u ndje edhe më shumë, sepse energjia dhe aftësitë organizuese të Nënë Terezës, që dukej sikur nuk mbaronin kurrë, e kishin shtyrë gjithkënd të besonte se ajo jetonte me bindje të patundur në dashurinë e Jezusit për të. E megjithatë, letrat vunë në dukje “se ndjehej e padashur nga Jezu Krishti”, vëren atë Kolodiejchuk:

“Ajo e ndjente se nuk mund ta donte Jezusin, ashtu siç do të dëshironte: sikur atë nuk e kishte dashur askush më parë – gjë që është një përfundim tepër drastik, nëse e merr Krishtin seriozisht”.

Atë Brian kujton çastet kur u lexoi disa letra nga korrespondenca e saj motrave të shtëpisë nënë në Kalkutë të Indisë, murgesha që e njihnin mirë Nënë Terezën. “Ato qanë me lot për faqe – nënvizon – sepse ti lexon dhe e njeh Nënën, është Nëna jonë… e pastaj, dëgjon këto gjëra dhe e ndjen sa shumë vuante ajo”.

Disa nga letrat, që shfaqin më shumë botën e brendshme të Nënë Terezës, i drejtoheshin drejtpërdrejt Jezusit, të cilit ajo i përshkruante agoninë e saj, dyshimet për forcën e fesë në dashurinë e Krishtit për të. Shkruante: “Me plot dëshirë po e kaloj këtë gjendje përgjithmonë e jetës, nëse kjo të pëlqen ty, ose të tjerët nxjerrin të mira prej saj, për sa është e mundur”. “Shpirtmadhësia, zemra e madhe që tregohet këtu, të drithëron – vëren atë Brian, që citon Nënë Terezën: ‘Dua t’ua shuaj etjen me çdo pikë gjaku, që mund të gjeni në mua’. Ja pse kur lexon apo dëgjon këto gjëra, ti qan e motrat derdhnin lot në shtëpinë nënë. Nëse kjo s’ishte dashuri për Zotin, unë nuk e di se ç’mund të jetë tjetër”.

A e dinte Nënë Tereza se do të bëhej shenjte?

I pyetur nëse Nënë Tereza ka thënë ndonjëherë se do të bëhej shenjte një ditë, atë Brian përgjigjet:

“Mendoj se ajo ishte e pafajshme dhe e pastër, por aspak e marrë dhe naive. Prandaj, kam përshtypjen se ajo e ndjente se… A e dini, në një konferencë për shtyp, një gazetar e pyeti: ‘Nënë Tereza, si mendoni ju, pse njerëzit ju quajnë shenjte e gjallë?’ E ajo u përgjigj: ‘Ju e ne të gjithë nuk kemi pse të habitemi nëse shihni Jezusin në mua, sepse është detyrë për ne të jemi shenjt’”.

 “Mendoj se ajo e ndjente njëfarësoj se do të shpallej shenjte, por virtyti tjetër i saj ishte pa dyshim përvuajtëria”, vazhdon postulatori i çështjes së shenjtërimit. “Ajo ishte një nga gratë më të admiruara të shekullit XX e jo vetëm në Kishë: që nga Shën Françesku i Asizit, askush nuk e ka pasur më atë jehonë jashtë Kishës. Natyrisht, kemi shenjtorë të tjerë, por kush e ka atë jehonë jashtë?... Edhe në kulturë – shihet nëpër filma e nëpër libra apo në gjëra të tjera – ndokush thotë ‘kush kujton ti se jam, Nënë Tereza?’. Bota e identifikon natyrshëm Nënë Terezën me mirësinë, dashamirësinë, bamirësinë…”.

Mrekullia

Shërimi i mrekullueshëm i Marcilio Haddad Andrino në Brazil, në vitin 2008, i atribuohet ndërhyrjes së Nënë Terezës pranë Zotit të Gjithpushtetshëm. Atë Brian vëren se Marcilios “iu diagnostikua një infeksion në tru, që shkaktoi absese të shumta, të cilat çuan në hidrocefali – pra në ujë në kokë… [Ai dhe] e shoqja, Fernanda, filluan nëntëshen e lutjes për shërimin e tij”.

Gruaja vazhdoi të lutej deri më 9 dhjetor, kur Marcilio “vuante kaq shumë nga presioni i ujit në tru, saqë kaloi në gjendje kome. Atë ditë, ai u nis rrugës për atë jetë. Të afërmit vazhduan të luteshin e njëri nga doktorët donte ta operonte për të drenuar ujin, por nuk mund ta bënte operacionin në formën e zakonshme, sepse kishte një problem tjetër në grykë dhe anestezisti kishte frikë. Rreth orës 6.00, Marcilio hyri në sallën e operacionit e rreth orës 6.10 të pasdites, doktori doli nga salla për të kërkuar, mendoj një endokrinolog apo dikë, që ta ndihmonte për ta bërë ndryshe operacionin”.

Kur doktori u kthye në sallë, rreth orës 6.40 pasdite, shpjegon atë Brian, “Marcilio, i cili gjendej në komë të thellë, në gradën 3 të shkallës së Glasgow-t - ku grada 15 do të thotë ‘i vetëdijshëm’, ndërsa grada 3 ‘afër vdekjes’ – papritur e pa kujtuar, u zgjua pa dhimbje, hodhi vështrimin rreth e rrotull në sallën e operacionit e tha: ‘ç’dua unë këtu?’ Në atë çast, e shoqja po lutej me gjithë shpirt”.

 Neurokirurgët në Brazil dhe në Romë, të cilët shqyrtuan skanerin e trurit të Marcilios para dhe pas zgjimit, mbetën pa gojë: ata “thanë se s’ishte e mundur të ndodhte kjo gjë”, shton atë Brian. Doktori, që e kishte marrë në dorë Marcilion, vuri në dukje se nga 30 pacientët e tij në të njëjtat kushte, vetëm Marcilio ishte ende gjallë. E kjo mrekulli pati edhe një efekt “dytësor”, siç e quan atë Kolodiejchuk. Mjekët u kishin thënë Marcilios dhe të shoqes se nuk mund të kishin fëmijë, por sa e madhe qe çudia e tyre kur zbuluan se Fernanda ishte shtatzënë dhe do të lindte dy binjakë!








All the contents on this site are copyrighted ©.