Vladimir Gjika, meshtar rumun, me origjinë shqiptare, u shpall i Lum më 31 gusht 2013. Kalendari liturgjik i Kishës e përkujton të Lumin Vladimir Gjika më 16 maj. Ai u lind në Stamboll më 1873 nga një familje shqiptaro-rumune dhe u kthye nga ortodoksia në katolicizëm, më 1902, në Romë, gjatë studimeve për filozofi dhe teologji. Deshi të shugurohej meshtar ose murg, por Papa Piu X e këshilloi t’i kushtohej apostullimit si laik.
Pas shumë shërbimesh të çmueshme për Kishën si besimtar laik, u shugurua meshtar në vitin 1923. Nga ky vit, u dërgua nga Selia e Shenjtë në Sidney, Budapest, Dublin, Buenos Aires, ku mori pjesë në kongreset eukaristike ndërkombëtare.
Kreu misione apostolike edhe në Japoni, Kinë e Ceylon. Vdiq ndër torturat e sigurimit, në një burg komunist në Rumani. Ndër provat e shumta, paraqitur nga dioqeza e Bukureshtit për lumnimin e tij, janë edhe dokumentet, që u gjetën në arkivat e ish policisë politike të regjimit dhe dëshmitë e shokëve të burgut.
Pra, me 31 gusht 2013, në Bukuresht, në pavionin qëndror të Romexpo, në orën 11.00, u kremtua një Meshë solemne me ritin e lumnimit të imzot Vladimir Gjikës. Më pas u nderuan edhe reliket e të Lumit të ri, Meshtar e Martir. Kremtimin e kryesoi i dërguari i Papës Françesku, kardinali Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.
Atë Gjika u arrestua në vitin 1952, vetëm e vetëm pse nuk pranoi t’i shkëpuste
lidhjet e Kishës katolike në Rumani me Selinë Apostolike të Vatikanit. Pastaj, erdhi
burgimi i gjatë e i mundimshëm. Pas një vit vuajtjesh e torturash, vdiq si martir
në burgun e Zhilavës, pranë Bukureshtit, më 16 maj 1954.
Për te Lumin imzot Vladimir Gjikën, që lidhet drejtpërdrejt me Kombin shqiptar,
sepse i Lumi i ri me gjak ishte shqiptar, pyetëm kardinalin Anxhelo Amato. Hirësi,
a mund të na thoni diçka për këtë të Lum, që i përket sa Rumanisë, aq edhe Shqipërisë...
Nga familje fisnike, me origjinë shqiptare, Vladimir Gjika i përdori talentet e shumta,
që i kishte dhuruar natyra e hiri i Zotit, gjithnjë në shërbim të të varfërve. I kthyer
në vitin 1902 në fenë katolike e i shuguruar meshtar në Paris, më 7 tetor 1923, në
moshën 50-vjeçare nisi apostullimin e përkushtuar në shërbim të më të vegjëlve, më
të varfërve. Në vitin 1939 vendosi të mbetej në Rumani, për të përballuar nevojat
e refugjatëve polakë, pas pushtimit nazist të Polonisë.
Besnik ndaj teologjisë së tij të nevojës (théologie du besoin) ai ndihmoi me të gjitha
forcat të sëmurët, të plagosurit e robërit e luftës. E vijoi këtë udhë edhe më 1948
kur, pas abdikimit dhe largimit të mbretit Mikel, regjimi komunist nisi sulmin sistematik
kundër katolikëve, me synim, asgjësimin e tyre.
Ç’mund të na thoni për martirizimin e tij?
Imzot Gjika, më 18 nëntor 1952, u burgos në Zhilavë, një nga kampet më të tmerrshme
të shfarosjens në Rumani. Dinjiteti, falja e persekutuesve, ndihma shpirtërore ndaj
të burgosurve, që vuanin përkrah tij, jeta e thellë e lutjes, e bënë shembull tepër
të lartë dëshmie ungjillore. Më 16 maj 1954 u shua, pas torturave mizore në kthetrat
e sigurimit të shtetit. Njeri me përshpirtëri të thellë, ithtar i ekumenizmit, dëshira
më e madhe tij ishte ta shikonte të bashkuar Kishën Katolike me atë Ortodokse.
Çfarë rëndësie ka Lumnimi i Vladimir Gjikës?
Janë tre, mesazhet e tij. I pari, dëshira ekumenike. Ëndërronte unitetin e Kishës.
Propozonte shenjtërinë, si mjet i domosdoshëm për të çuar përpara bashkimin e të krishterëve.
Në martirizimin e miliona të krishterëve ortodoksë të persekutuar posaçërisht në Rusi
e në Evropën e Lindjes nga regjimet komuniste, shikonte garancinë e një rilindjeje
të vërtetë që, në logjikën e misterit të Pashkëve, duhet të sillte bashkimin e dëshiruar.
Aspekti i dytë ka të bëjë me impenjimin konkret të dhimbsurisë ndaj refugjatëve, të
plagosurve të luftës, të sëmurëve, të cilët i mirëpriti, i vizitoi, i ndihmoi.
Aspetki i tretë lidhet me dëshminë e tij të martirizmit, nën regjimin çnjerëzor të
stalinizmit. U detyrua t’i nënshtrohej hetimeve torturuese, ditë-natë, shoqëruar me
rrahje pa pikë mëshire, aq sa t’i rrezikohej dëgjimi e shikimi, e me tipe të ndryshme
varjesh. I duroi të gjitha me fe e guxim e, sidomos, me ndihmën e lutjes.
Si duhet shikuar ky Lumnim?
Lumnimi duhet parë si shenjë profetike pajtimi e paqeje, si kujtim i një të kaluare
të trishtuar, që nuk duhet të përsëritet në asnjë mënyrë, e si impenjim për të ndërtuar
ardhmërinë plot shpresë, bashkim vëllazëror, liri e gëzim.
******
Familja e Vladimir Gjikes, e mirënjohur në Shqipëri, e ka origjinën nga
Përmeti, nga ku është larguar në vitet 1500-1600 për t’u vendosur në lagjen
Fanar të Kostandinopojës. Gjatë sundimit të perandorisë osmane, të ndihmuar nga pashallarë
shqiptarë në oborrin e Sulltanit, anëtarët e kësaj familjeje qeverisën si princa,
për vite me radhë Moldavinë dhe Vllahinë. Por i dhanë botës edhe njerëz të kulturës,
si për shembull, Elena Gjikën, apo Dora d’Istria. Nga kjo familje rrjedh edhe mons.
Vladimir Gjika, i cili lindi si princ ortodoks, për t’u shuguruar meshtar katolik,
në moshën 50-vjeçare. Deri atëherë, ai mori pjesë aktive në jetën shoqërore e politike
të Rumanisë gjatë Luftës I Botërore e punoi shumë për bashkimin e vendit, në Paris,
Romë e Vatikan, si delegat i Këshillit Kombëtar Rumun.
Pas vitit 1923, kur u shugurua meshtar, Vladimir Gjika u dërgua nga Kisha Katolike
në Sidnej të Australisë, në Budapest, në Dublin e Buenos Aires, ku mori pjesë në kongrese
eukaristike ndërkombëtare. Gjithashtu, ndërmori misione kishtare në Japoni, Kinë e
në Cejlon. Bekonte gjithnjë me një nga gjembat e kurorës së Jezusit e ndër mrekullitë,
që i atribuohen ndërhyrjes së tij, është shërimi i shumë njerëzve dhe lindja e trashëgimtarit
të fronit japonez. U shua, në vitin 1954, në një burg komunist të Rumanisë, për shkak
të torturave të “Securitate”-s, dokumentuar nga vetë martirizuesit e regjimit, por
edhe nga dëshmitë e shokëve të burgut.
Është jashtëzakonisht i njohur dhe i marrë si shembull për frymën e tij ekumenike.
Thoshte se ishte bërë katolik, për të qenë ortodoks më i mirë. Dëshironte me gjithë
shpirt bashkimin e Kishës Katolike me Kishën Ortodokse. Papa Piu XI, pasi e pati emëruar
“protonotar apostolik” në vitin 1931, duke bërë shaka me të, por duke vënë në dukje
impenjimet e tij të shumta ungjillëzuese në të gjithë botën, e quante “vagabondi i
madh apostolik i shekullit XX”.
Fillimisht në Paris, ku ndenji në një barakë të vetmuar, në mes të të varfërve, duke
fituar shpirtra për Zotin e pastaj, në rektoratin për të huajt, që i ofroi kryeipeshkvi
i kryeqytetit francez, mons. Gjika dinte t’u fliste e të ndihmonte si më të ligështit
e shoqërisë, ashtu edhe më fatlumët e pasur, tek të cilët shihte nevojën që kishin
për t’i dhënë kuptim jetës. Zhak Mariten, Pol Klodel, Henri Bordò, Fransua Moriak,
njerëz të tjerë të kulturës e të artit qenë miqtë e tij, së bashku me refugjatët politikë,
të persekutuarit e të mënjanuarit. Shkruan e lexohet, flet e dëgjohet nga ata, që
mahniten me katolicizmin e tij, vërtet i madh, sublim, hyjnor; mrekullohen nga Jezusi,
që nuk u paraqitet si përrallë fëmijësh, por si e Vërteta Absolute dhe e amshuar.
Në vitin 1939 kthehet në Rumani për t’u takuar me të afërmit e vendos të qëndrojë
aty, pasi sheh sprovat, që i duhet të kalojë vendi, fillimisht për shkak të luftës
e pastaj, për shkak të komunistëve. Në vitin 1948, mbreti i ri Mihail dëshiron ta
marrë me vete, në Evropën e lirë, larg persekutimit, por ai nuk pranon, i bindur se
po shkonte nën kudhrën e hekurt të drapërit e çekanit. Policia e Çausheuskut i hoqi
së pari, të drejtën për t’u larguar nga shtëpia, sepse “ajo që bënte e predikonte,
ishte shumë e rrezikshme për revolucionin”, e pastaj e arrestoi më 19 nëntor 1952.
Gjykata e të pafeve, megjithëse ishte tashmë 80 vjeçar e dënoi me 30 vjet burgim.
Kështu, mbërriti ora e flijimit suprem: më 17 maj 1954, pas shumë torturash të tmerrshme,
siç mund të ishin të aftë vetëm komunistët, Imzot Vladimir Gjika u dha fund vuajtjeve
për të shkuar tek Ati Qiellor. Zhak Mariten pati thënë për të: “Princ në botë e për
një thirrje më të lartë, Meshtar i Krishtit”. Tani martir, në nderimet e elterit!
All the contents on this site are copyrighted ©. |