2016-08-31 12:18:00

Papa themelon Dikasterin për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor


U botua sot Motu Proprio “Humanam progressionem”, me të cilën Papa Françesku themelon “Dikasterin në Shërbim të Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor”. Françesku emëroi prefekt të organizmit të ri, kardinalin Peter Kodwo Appiah Turkson, deri tani kryetar  i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes.

Në dikasterin e ri do të shkrihen, që nga 1 janari 2017, katër Këshilla Papnore: Drejtësi e Paqe, Cor Unum, Baritoria për Emigrantët dhe për Punonjësit e shëndetësisë. Në këtë datë, këto dikastere do të shfuqizohen.  Një seksion i Dikasterit të ri, që do të merret posaçërisht me refugjatët e emigrantët, do të kryesohet ad tempus(përkohësisht)drejtpërdrejt nga Papa.

“Në gjithë qenien dhe veprimin e saj  - shkruan Françesku në Motu Proprio -  Kisha është e thirrur të nxisë zhvillimin e gjithanshëm të njeriut në dritën e Ungjillit. Ky zhvillim vihet në jetë përmes kujdesit për pasuritë e pamasa të drejtësisë,  të paqes, të mbrojtjes së Krijimit”. Dikasteri i ri “do të jetë posaçërisht kompetent për çështje që kanë të bëjnë me mërgimtarët, me nevojtarët, të sëmurët e të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë, me viktimat e konflikteve të armatosura e katastrofave natyrore, me të burgosurit e të papunët si dhe me viktimat e të gjitha formave të skllavërisë moderne e të torturës”.

Motu Poprio dhe Statuti u miratuan nga Ati i Shenjtë më 17 gushtin e kaluar, me propozimin e Këshillit të Kardinajve.








All the contents on this site are copyrighted ©.