2016-08-30 07:00:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”: Nënë Tereza është OKB-ja


Në librin “Njoha një shenjtore”,  kardinali Angelo Komastri përshkruan një çast të këndshëm të jetës së Nënë Terezës, kur ajo u gjet para asamblesë së OKB-së, e paraqitur nga Sekretari i atëhershëm si gruaja më e fuqishme e botës. Murgesha shqiptare u dha të kuptojnë mirë se për ç’lloj fuqie ishte fjala…

         Objektivat e OKB-së, në pjesën e tyre më të madhe, nëse jo të gjitha, janë politike. Siç dihet, Nënë Tereza u përpoq të qëndronte jashtë politikës së partive.

         Nuk rezulton gjëkundi se ka ndërmarrë ndonjë nismë për marrëdhënie të drejtpërdrejta ose jo të drejtpërdrejta me OKB-në. Ndërsa, nga dokumentet rezulton se OKB-ja, përmes Sekretarit të saj të Përgjithshëm, Javier Pérez de Cuéllar, mori inciativën ta ftonte në një akt publik, më 26 tetor 1985. Në atë rast, përveç përkujtimit të 40-vjetorit të themelimit të organizmit ndërkombëtar, OKB-ja deshi ta nderonte atë, duke projektur një dokumentar me titull “The World of Mother Teresa” (Bota e Nënë Terezës), xhiruar nga bashkëpunëtorja kanadeze e saj, Ann Petrie.

         Pérez de Cuéllar ua paraqiti Nënë Terezën të gjithë pjesëmarrësve në ceremoni, në të cilën ishte ftuar edhe kryeipeshkvi i atëhershëm i Nju Jorkut, kardinali John Joseph O’Connor. Ndoshta nga të gjitha mënyrat e përcaktimit të Nënë Terezës, si në jetë, ashtu edhe pas vdekjes – të gjitha, pak a shumë të lidhura me shenjtërinë e jetës së saj, me bujarinë në shërbimin për më të varfërit e të varfërve – ajo e Pérez de Cuéllar-it qe më e papritura e më paradoksalja. Pérez de Cuéllar tha se Nënë Tereza ishte gruaja më e pushtetshme e tokës. Ja fjalët e tij: “Ndodhemi në një sallë fjalimesh. Gjatë viteve, në këtë podium, kanë kaluar njerëz, që mbahen si më të pushtetshmit. Sot, na jepet rasti t’i shprehim mirëseardhjen gruas vërtet më të pushtetshme të tokës. Nuk besoj se ka nevojë ta paraqes, sepse ajo nuk ka nevojë për fjalë. Nënë Tereza kërkon fakte. Jam i bindur se gjëja më e mirë, që mund të bëjmë, është ta nderojmë dhe t’i themi se ajo është më e rëndësishme se unë e se të gjithë ne. Ajo është OKB-ja! Ajo është paqja në botë!” (J.L. Gonzàlez-Balado, “Madre Teresa. Ricordo e messaggio”, San Paolo, Cinisello Balsamo 2003, fq. 103-108).

         Para këtyre fjalëve pompoze, Nënë Tereza u bë edhe më e vogël, por feja e saj ishte e madhe e kështu, edhe guximi. Tregoi Rruzaren, që s’i mungonte kurrë, e tha: “Unë jam vetëm një murgeshë e varfër, që lutet. Kur lutem, Jezusi më dikon në zemër Dashurinë e vet e unë shkoj t’ua dhuroj të gjithë të varfërve, që takoj në rrugë”.

         Heshti për një çast, që u duk i përjetshëm. Pastaj shtoi: “Lutuni edhe ju! Lutuni e do t’i shihni të varfërit, që i keni pranë. Ndoshta, edhe në të njëjtin kat. Ndoshta edhe brenda shtëpisë… është dikush që pret dashurinë tuaj. Lutuni e do t’ju hapen sytë e zemra do t’ju mbushet me dashuri”.

         E më thoni tani nëse kjo grua s’kishte guxim prej luani – e përfundon kapitullin VII kardinali Komastri.








All the contents on this site are copyrighted ©.