2016-08-30 16:13:00

Motër Prema: Nënë Tereza, shenjte, sepse e mori Jezusin seriozisht


Pritet me padurim në gjithë botën dita e shenjtërimit të Nënë Terezës, misionares shqiptare të bamirësisë e të dashurisë, të diel, më 4 shtator, në Sheshin e Shën Pjetrit, me një meshë të kremtuar nga Papa Françesku. Do të jetë një nga çastet kulmore të Jubileut të Mëshirës, për të cilin intervistuam Eproren aktuale të përgjithshme të Misionareve të Dashurisë, motër Mary Prema, eprorja e tretë pas Nënë Terezës e pas motër Nirmalës:

Shenjtërimi i Nënës sonë është për ne nder i madh. Na jep mundësinë për ta parë më nga afër jetën e saj, punën dhe kujdesin e madh të saj për të tjerët, por edhe të hedhim vështrimin mbi jetën tonë. Ky është vërtet çast i shqyrtimit të ndërgjegjes për të shqyrtuar më thellë si e jetojmë thirrjen, që kemi marrë prej Zotit si Misionare të Dashurisë e, mbi të gjitha, si e jetojmë bashkimin tonë me Zotin në lutje e në bashkimin me Jezusin, parë ndër më të varfërit.

Nënë Tereza ka marrë Çmimin Nobel për Paqen në vitin 1979. Në një botë, ku vijojnë të ndizen vatra lufte, si mund të rievokohet vlera e atij çmimi për ditët e sotme?

Çmimi Nobel për Paqen iu dha në sajë të përpjekjeve për të krijuar bashkim ndërmjet gjithë popujve, si bij të të njëjtit Atë Qiellor. Kjo është temë me aktualitet të madh. Paqja është dëshirë e secilit, por është rezultat i faljes dhe i impenjimit për t’i dëgjuar njerëzit, për t’i kuptuar ata. Nuk duhet të pretendojmë gjithmonë se kemi të drejtë.

Sipas jush, Kisha e sotme është ashtu si e donte Nënë Tereza?

Nëna nuk e humbte kohën për të bërë pyetje si kjo: a duhet apo s’duhet të jetë Kisha kështu… Nëna nuk analizonte, por e impenjonte kohën për ta transmetuar përgjegjësinë e saj, duke e marrë Jezusin seriozisht. Nëna thoshte: “Kisha jemi ti e unë. Nëse dëshiron që Kisha të jetë shenjte, është detyrë e jotja dhe e imja të jemi të shenjtë”. Kështu e përjetoi ajo!

Sipas jush, Nënë Tereza është kthyer në një lloj “fugure shenjtësh” e aq?

 Ne kemi jetuar si ajo dhe e kemi njohur. Të nderosh imazhin e saj, pa u përpjekur të shohësh në të modelin për t’u imituar do të ishte e padrejtë. Nëna është jetë dhe ka mbetur me ne. Ajo lutet për ne. Ka qenë aktive në jetën e shumë vetëve; e kam parë këtë sidomos në shtëpinë e saj në Kalkutë, ku varri i Nënë Terezës vizitohet nga mijëra e mijëra shtegtarë, njerëz të varfër. Luten e Nëna i dëgjon lutjet e tyre. Nëna nuk është fugure e aq! Nëna është e gjallë, vepron kudo. Ne kemi nevojë për të, për mësimet e saj, për ndërhyrjen e saj pranë Zotit.

Ajo ishte e aftë ta ngrinte zërin e të fliste qartë edhe para politikanëve të çdo lloji…

Nëna nuk shkonte andej e këndej për të predikuar, ose për t’u mësuar njerëzve ç’duhet të bëjnë. Kur fliste, fjalët i dilnin të qarta nga zemra. S’kishte rëndësi me kë fliste, fjalët e saj shprehnin bindjen në vlerat e jetës: përshpirtëria, lutja, familja, ku, nganjëherë, marrëdhëniet duhen ruajtur duke e pranuar vuajtjen e duke falur. Vlera e jetës rregulltare si vijim i jetës së Jezusit… Ajo mbartëte në vetvete vlerat e më të varfërve ndër të varfër, të cilët janë njerëz të mëdhenj, sepse na mësojnë shumë, na mësojnë ta pranojmë ç’na ofron jeta. Nënë Tereza nuk ka bërë kurrë asnjë hap mbrapa në mbrojtjen e dinjitetit të njerëzve.

Bota e ka akoma të fiksuar në zemër e në mendje imazhin e katër motrave të Nënë Terezës, masakruar marsin e kaluar në Jemen, nga njerëz të armatosur. “Martire të indiferencës”, komentoi Papa Françesku. Duke pasur parasysh persekutimin e pakicave fetare në disa vende të botës, shpresa që ky martirizim t’i ndryshojë zemrat e mendjet, ka rrezik të mos realizohet…

Nëse e shohim vdekjen e motrave me sytë e botës, ajo është vetëm një harxhim i kotë i jetës së katër të rejave. Nëse e shohim me sytë e fesë, është privilegj i madh të japësh jetën për ata, të cilëve u shërbejmë. Persekutimet kanë qenë pjesë e krishterimit që nga zanafilla. Persekutimet janë të nevojshme, që të arrijmë në kulmin e thirrjes sonë. Lirisht e me vetëdije, motrat tona mbetën në shërbim të të sëmurëve të Adenit, në Jemen. Është dhimbje e madhe, por njëkohësisht, edhe nder i madh, ta dimë se ato e arritën qëllimin e thirrjes së tyre, i cili është bashkimi me Zotin, duke e dashur Jezusin, ashtu si Ai na deshi, duke i falur ata, që nuk dinë çfarë bëjnë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.