2016-08-29 07:00:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”: burri është i ndryshëm nga gruaja


Duke shfletuar librin “Njoha një shenjtore” e kardinalit Angelo Komastri, mësojmë si e vuri në krizë Nënë Tereza, edhe vetë OKB-në. Ja historia…

Në vitin 1975, në përkim me vitin ndërkombëtar kushtuar gruas, u mbajt në Meksikë, i organizuar nga OKB-ja, një simpozium botëror për gruan. U ftua të merrte pjesë në atë kongres botëror edhe një përfaqësi e Selisë së Shenjtë, ftesë ku përfshihej mundësia që ndonjëri nga anëtarët e delegacionit të shprehte para asaj asambleje të kualifikuar një këndvështrim me autoritet.

Papa Pali VI deshi t’ia besojë detyrën për të folur në një kongres femëror një njeriu me famë të njohur, me ide, gjeste e fakte, që vlerësoheshin nga të gjithë. Ngarkoi për këtë punë Nënë Terezën e Kalkutës.

As Papa nuk e priste e as oratorja nuk e kërkoi këtë rast. Thjesht, u kufizua të thoshte ç’mendonte, gjë që ishte rrjedhojë e interpretimit personal të Ungjillit dhe e opinionit që kishte për misionin e gruas në botën e sotme. Faktikisht, ndërhyrja e saj zhgënjeu të gjitha delegatet, që ishin mëse njëqind. Ato e kishin menduar asamblenë të bazuar mbi feminizmin. Ndërkaq, fjalët e rregulltares i zhgënjyen aspetativat e tyre. Vlerat mbi të cilat ajo e përqendroi fjalën iu dukën shumicës më shumë tradicionale, se sa revolucionare.

Por, po ta mendosh mirë, a s’është tradicional fakti se fëmija rritet në barkun e nënës? A s’është tradicional fakti që fëmija lind me kordonin e kërthizës, që e lidh me të ëmën? A s’është tradicional fakti që fëmija thith qumësht nga gjiri i nënës? Të jesh tradicional nuk është turp. Nganjëherë është thjesht ndershmëri e besnikëri ndaj fakteve të padeformuara nga ideologjia. E Nënë Tereza, që ishte e sinqertë, sillej kështu.

Në vitin 1995, pati një konferencë tjetër, e katërta, gjithnjë për gruan. U organizua gjithnjë nga OKB-ja dhe u mbajt në Pekin, kryeqyteti i Kinës. Morën pjesë, së bashku me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, 174 vende. Edhe një herë e me të drejtë, objektivi i konferencës dukej të ishte ai i ripohimit të barazisë ndërmjet burrit e gruas. Vatikani dërgoi sërish Nënë Terezën për të paraqitur pikpamjet e veta. Kur u mblodh konferenca e katërt botërore, ajo ishte në kushte tepër të këqia fizike për të përballuar udhëtimin. Prandaj, u detyrua ta dërgonte të shkruar fjalimin e saj, i cili duhej të lexohej nga Mercedes Wilson, kryetare e konfederatës “Family of Americas”, ku bëjnë pjesë lëvizjet Pro Vita e Pro Familia. E vetëdijshme se edhe për temat kryesore, si ajo e abortit, opionet e saj binin ndesh me ato të shumë njerëzve, frika se mos pikpamjet e saj nuk përkonin me ato të shumicës nuk e ndaloi Nënë Terezën të shprehte me guxim të përvujtë mendimin e vet. Nënë Tereza nuk kishte frikë të thoshte të vërtetën: konformizmi i “njerëzve pa shtyllë kurrizore” ishte krejtësisht i panjohur për të.

Mesazhi ishte ky: “Të dashura mike, i përgjërohem Zotit t’ju bekojë të gjitha juve, që merrni pjesë në Konferencën e katërt Botërore mbi gruan në Pekin. Shpresoj që kjo konferencë ta ndihmojë secilën për ta njohur, vlerësuar e respektuar vendin e veçantë që zë gruaja në planin e Zotit, në mënyrë që të gjitha gratë të arrijnë ta realizojnë këtë plan në jetën e tyre. Nuk arrij ta kuptoj pse disa thonë se gratë e burrat janë krejtësisht të barabartë, duke mohuar bukurinë e ndryshimeve ndërmjet burrave dhe grave. Të gjitha dhuratat e Zotit janë të mira, por nuk janë të gjitha njësoj. U përgjigjem shpesh njerëzve, që më thonë se do t’u pëlqente t’u shërbenin të varfërve, siç bëj unë: ‘Atë që bëj unë, s’mund ta bësh ti e unë s’mund ta bëj atë që bën ti. Por së bashku, mund të bëjmë diçka të bukur për Zotin’. Ndryshimet ndërmjet burrave e grave mund të shihen në këtë linjë. Zoti e ka krijuar secilin prej nesh, çdo qenie njerëzore, për diçka shumë të rëndësishme: për… të dashur e për t’u dashur. Pse Zoti na ka krijuar disa burra e disa gra? Sepse dashuria e gruas është njëri nga imazhet e dashurisë së Zotit e dashuria e burrit është imazhi tjetër i dashurisë së Zotit. Të dy janë krijuar për të dashur, por secili do në mënyrë të ndryshme nga tjetri”.

Sa të qarta janë arsyetimet e Nënë Terezës! I kupton edhe fëmija, ndërsa sot, të rriturit nuk i kuptojnë më.

Kishte të drejtë Leonardo Sciascia kur thoshte: “Mua më duket se është më e drejtë të flasim për involucionizëm më shumë se për evolucionizëm!”. Kishte të drejtë e sot, edhe më shumë.

Por, të ndjekim akoma Nënë Terezën: “Gruaja e burri plotësojnë njëri-tjetrin e, së bashku, përbëjnë provën e dashurisë së Zotit, në mënyrën më të plotë se ç’do të bënte secili, veç e veç. Kjo aftësi e veçantë, karakteristikë e gruas, shfaqet në mënyrë më të qartë kur bëhet nënë. Amësia është dhuratë e Zotit për gruan. Sa shumë duhet t’i jemi mirënjohës Zotit për këtë dhuratë të mrekullueshme, që zgjon kaq gëzim tek të gjithë, si gra ashtu edhe burra! Ne e kemi në dorë ta shkatërrojmë këtë dhuratë të mrekullueshme, sidomos me krimin e abortit, por edhe kur bindemi për gjëra të tjera: për shembull, se puna e pozita shoqërore janë më të rëndësishme se të duash e ta dhurosh veten për të tjerët. Asnjë punë, asnjë planifikim, asnjë pronë, asnjë koncept lirie nuk mund të zërë vendin e dashurisë. Prandaj, çdo gjë që e shkatërron dhuratën hyjnore të amësisë, shkatërron dhuratën më të madhe që Zoti u ka bërë grave, pra, aftësinë për të dashur si grua.

 I lutem Zotit që secila prej delegateve e secila prej grave, që dëshiron të ndihmojë konferenca e Pekinit, të jenë të përvujta e të pastra si Maria, me qëllim që të bëhemi të afta të jetojmë në dashuri e në paqe ndërmjet nesh e t’i shndërrojmë familjet tona e mbarë botën në diçka të bukur për Zotin. Të lutemi të gjitha për këtë”.

 Vështirë të imagjinohet një fjalim më i guximshëm se ky!

         E Provania Hyjnore deshi që Nënë Tereza të arrinte e të fliste para vetë Asamblesë së OKB-së.








All the contents on this site are copyrighted ©.