2016-08-28 07:00:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”: pika e ujit


Vijojmë me pjesë të shkëputura nga libri “Njoha një shenjtore” e kardinalit Angelo Komastri. Emisioni i sotëm, i 24-ti, titullohet “pika e ujit”.

Duke u kthyer nga Oslo, Nënë Tereza u ndal në Romë. Gazetarë të ndryshëm shtyheshin në oborrin e jashtëm të shtëpisë së varfër të Misionareve të Dashurisë, në Celio.

Nënë Tereza nuk u iku gazetarëve, por i priti si bij, duke lënë në dorën e secilit një medajë të vogël të Zojës së Papërlyer. Gazetarët e mbytën me fotografi e me pyetje. Një nga pyetjet qe pak me spec: “Nënë, ju jeni 70 vjeç! Kur të vdisni, bota do të jetë si më parë. Çfarë ka ndryshuar pas gjithë këtij mundimi? Nënë Tereza, pushoni pak. Nuk ia vlen të lodheni kaq shumë”.

Nënë Tereza mund edhe të mos e begeniste aspak, por u çel me një buzëqeshje të shndritshme, sikur t’i kishin dhënë ndonjë të puthur plot dashuri. E tha: “Shikoni, unë s’kam menduar kurrë të ndryshoj botën! Jam përpjekur të jem vetëm një pikë uji i pastër, në të cilën të pasqyrohej dashuria e Zotit. Ju duket pak kjo?”.

Gazetari nuk gjeti fjalët për t’iu përgjigjur, ndërsa përreth Nënës u krijua heshtja e dëgjimit dhe e emocionit. Nënë Tereza e mori sërish fjalën dhe i tha gazetarit “pak si të pacipë”: “Përpiquni edhe ju të jeni një pikë uji e pastër e kështu, do të bëhemi dy. A jeni i martuar?”.

“Po, nënë”.

“Ia thoni edhe gruas e kështu, bëhemi tre. A keni fëmijë?”

“Tre fëmijë, nënë”.

“Ua thoni edhe fëmijëve e kështu do të bëhemi gjashtë…”

S’kishte nevojë të shtonte tjetër: Nënë Tereza e kishte thënë qartë se secili prej nesh ka në dorë një kapital të vogël, por të domosdoshëm dashurie. Është për këtë kapital personal dashurie, që duhet të shqetësohemi si ta investojmë: të tjerat janë endje e kotë apo polemikë shterpe apo maskë mosangazhimi.








All the contents on this site are copyrighted ©.