2016-08-26 12:13:00

Tërmeti: Papa lutet për viktimat bashkë me murgeshat


Papa Françesku vijon ta ndjekë nga afër situatën e të dëmtuarve nga tërmeti në qendër të Italisë, me lutje e me shenja konkrete solidariteti.

Pas zjarrfikësve vatikanas, që rendën menjëherë në zonat e tërmetit, Françesku dërgoi dje edhe një grup xhandarësh për të marrë pjesë në veprimtaritë në ndihmë të viktimave, në marrëveshje me Mbrojtjen Civile.

Dje Ati i Shenjtë kremtoi Meshën në Shtëpinë e Shën Martës, së bashku me Klariset e Shën Marisë së Vallegloria, bashkësi e Spellos, në Umbria, e dëmtuar rëndë nga tërmeti i vitit 1997, që i detyroi rregulltaret  të jetojnë katërmbëdhjetë vjet në kontejner. Papa u lut për të gjithë ata, që po vuajnë, të rrethuar nga gërmadhat e nga hija e vdekjes. I ftoi edhe motrat të hedhin, mbi këto gërmadha, farën e shpresës, duke ua çuar Krishtin njerëzve që vuajnë, me lutjet e me jetën e tyre. Jezusi - tha Françesku - është pasuria e vërtetë, edhe atëherë kur nuk na ka mbetur më asgjë mbas shpirtit. Ndërkaq zjarrfikësit vatikanas janë në kulmin e veprimtarisë: në Amatrice  shpëtuan një fëmijë tre vjeç, duke e nxjerrë të padëmtuar nga gërmadhat. Për fat të keq nuk arritën të shpëtonin edhe prindërit e motrën 10 vjeçe, që flinte në dhomën e saj, kur çatia ra, duke e varrosur nën trarë. Ata po merren edhe me shpërndarjen e rruzareve dhe të figureve, me bekimin e Papës. Edhe mjekët e infermierët e Vatikanit janë gati për t’u nisur në zonat e dëmtuara, për të qenë pranë njerëzve të përhumbur, duke u çuar fjalën e ndihmën konkrete të Françeskut.








All the contents on this site are copyrighted ©.