2016-08-26 07:00:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”: aborti


Në përgatitje të shenjtërimit të rregulltares shqiptare, që do të kremtohet më 4 shtator në Vatikan, vijojmë me pjesë të shkëputura nga libri “Njoha një shenjtore” e kardinalit Angelo Komastri. Sot, emisioni radiofonik i 23-të.

Jemi në çastin kur Nënë Tereza merr Çmimin Nobel për Paqen, në vitin 1979. Para asamblesë elegante, murgesha shqiptare u paraqit me sarin e grave të varfëra të Kalkutës dhe u dha të pushtetshmëve të kësaj bote mësime për jetën. Salla e ndoqi me një farë bezdie, kur ajo foli për të varfërit, për fëmijët e braktisur.

Por e brishta Terezë e Kalkutës – shkruan kardinali Komastri - nxori nga goja, pa frikë, fjalë edhe më pështjelluese e tha: “Kam një bindje, të cilën dua t’ua komunikoj të gjithëve: armikja më e madhe e paqes është sot britma e fëmijës së pafajshëm, të palindur. Më i rëndë se krimi i nënës kur vret fëmijën që ka në bark, është vetëm ai, që kryejmë kur vrasim njëri-tjetrin. Madje në Shkrimin Shenjt thuhet: ‘Edhe nëse ka ndonjë nënë, që e harron birin e vet, unë nuk do të të harroj kurrë’. Ndërsa sot, miliona fëmijë të palindur vijojnë të vriten e ne nuk themi asgjë. Në gazeta lexojmë për këtë e atë, por askush nuk flet për miliona të vegjlit, që u zunë me po atë jetë si tonën e timen, me jetën e Zotit. E ne nuk themi asgjë, e qepim gojën.

Për mua, kombet që e kanë ligjëruar abortin janë vende për t’u mëshiruar më shumë se të tjerat. Ato kanë frikë nga të vegjlit, kanë frikë nga fëmijët e palindur akoma. E fëmija u dashka të vdesë, sepse ata nuk e duan më – as edhe një fëmijë më shumë – e fëmija duhet të vdesë…

Ne e luftojmë abortin përmes birësimit. Me hirin e Tënzot do t’ia dalim mbanësh. Zoti e bekon punën tonë. Kemi shpëtuar mijëra fëmijë, ata kanë gjetur shtëpi, ku i duan, ku i dëshirojnë, ku kanë sjellë gëzim.

Prandaj, sot ju kërkoj, madhëri, shkëlqesi, zonja e zotërinj ardhur nga të gjitha vendet e tokës: lutuni që ta kemi guximin për ta mbrojtur jetën e palindur. Këtu, në Norvegji, kemi rastin tani ta mbrojmë këtë kauzë…”.

Nënë Tereza e dinte se shkonte kundër rrymës, - vëren kardinali Komastri - e dinte se e vinte gishtin në plagën e egoizmit të pasanikëve, e dinte se mbrojtja e së drejtës për jetën e të sapozënit në barkun e nënës nuk ishte fort popullore. Megjithatë Nëna nuk kërkonte miratimin, por vetëm besnikërinë ndaj së vërtetës dhe mbrojtjen e jetës së të gjithëve. Përfundoi me disa kujtime, vërtet prekëse: “Nuk e harroj kurrë një fëmijë të vogël, një hinduist katër vjeç, i cili kishte dëgjuar të thoshin: ‘Nënë Tereza nuk ka më sheqer për fëmijët e saj’. Shkoi në shtëpi tek prindërit dhe u tha: ‘ Për tri ditë nuk do të ha sheqer, sepse dua t’ia dhuroj Nënë Terezës’. Pas tri ditësh, prindërve iu desh ta sillnin tek unë dhe ai më dhuroi gotën e tij të vogël plot sheqer. Sa shumë donte ai vogëlush! Deshi aq, sa kjo gjë i dhembi. Mos harroni se në këtë botë ka shumë fëmijë, shumë gra, shumë burra, të cilët nuk i kanë gjërat që keni ju; mendohuni si t’i doni edhe ata, deri sa t’ju dhembë.

Kohë më parë mora një fëmijë nga rruga. Nga fytyra e shihja se kishte uri. Nuk e di sa ditë kishte mbetur pa ngrënë.  I dhashë një copë bukë e i vogli u vu të hajë një dromcë pas tjetrës. Atëherë i thashë: “Tani, haje bukën!”. Më pa me sy të zgurdulluar me më tha: ‘Kam frikë ta ha bukën. Kam frikë se kur të mbaroj, do të kem praprë uri!’.

Madhështia e të varfërve është realitet. Një ditë, një zotëri erdhi tek unë e më tha: ‘ Atje, jeton një familje hinduiste me tetë fëmijë; vuajnë nga uria prej kohësh’. Mora oriz dhe ia çova. Në sytë e tyre lexohej uria! Ndërsa po rrija akoma aty, e zoja e shtëpisë e ndau orizin e u nis e shkoi diku me gjysmën e tij. Kur u kthye, e pyeta ç’bëri me të e m’u përgjigj: ‘Edhe ata kanë uri’. Ajo e dinte se edhe fqinjët, një familje myslimane, kishin uri. Gjëja që më habiti nuk ishte fakti se u dha diçka fqinjëve, por fakti se, megjithëse vuante, ishte e vetëdijshme për urinë e tyre, e vetëdijshme se edhe dikush tjetër kishte uri e pati guximin të ndante me ta pak gjë, të ndante dashurinë.

Këtë dëshiroj nga ju: t’i doni të varfërit e të mos u ktheni shpinën, sepse nëse u ktheni shpinën të varfërve, ia ktheni Krishtit… Zoti ju bekoftë!”.

Nënë Tereza u përkul para asamblesë, por në të vërtetë, ishte asambleja që duhej të përkulej para saj. Historia do ta gjykojë…

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.