2016-08-26 17:51:00

Papa Françesku: mospërdorimi i dhunës, stil i politikës për paqen


“Mospërdorimi i dhunës: stil i politikës për paqen”. Ky, titulli i Mesazhit për Ditën e 50-të Botërore të Paqes, e katërta për Papën Françesku. Njoftimin e  jep Salla vatikanase e Shtypit.

“Dhuna e paqja - lexohet në komunikatë - janë në zanafillë të dy mënyrave të ndërtimit të shoqërisë”. Nga shtimi i vatrave të dhunës, lindin pasoja të rënda dhe negative shoqërore. Ati i Shenjtë e përmbledh situatën në shprehjen: “Lufta e tretë botërore pjesë-pjesë”. Paqja, përkundrazi, ka pasoja  pozitive dhe krijon kushtet për realizmin e një progresi të vërtetë. Duhet, prandaj, të lëvizim në hapësirat e së mundshmes, duke kërkuar shtigje paqeje edhe atje, ku udhët duken të thepisura, madje fare të pa përshkueshme. Në këtë mënyrë mospranimi i dhunës mund të marrë një kuptim shumë më të gjërë, e sidomos, krejt të ri: jo vetëm atë të dëshirës, të frymëzimit, të kundërshtimit të dhunës, të mureve, të impulseve shkatrrimtare, por edhe të metodës politike realistike, që i hap udhën shpresës.

Është fjala - vijon komunikata - për të përdorur një metodë politike të themeluar mbi parinë e së drejtës. Në se e drejta dhe dinjiteti i çdo njeriu mbrohen pa asnjë diskriminim e dallim, si pasojë mospranimi i dhunës, i kuptuar si metodë politike, mund të hapë një udhë realistike për t’i kapërcyer konfliktet e armatosura. Në këtë perspektivë ka rëndësi të pranohet gjithnjë më shumë jo e drejta e forcës, por forca e së drejtës.

Me këtë Mesazh, Papa Françesku dëshiron të bëjë një hap të ri në udhën e shpresës, që i përshtatet rrethanave të sotme historike, të zgjidhë mosmarrëveshjet me bisedime, duke shmangur rrezikun që të degjenerojnë në konflikte të armatosuara. Pas kësaj perspektive është edhe respekti për kulturën dhe identitetin e popujve, pra, kapërcimi i idesë sipas së cilës një palë ka epërsi morale mbi tjetrën. Kjo nuk do të thotë se një komb mund të jetë indiferent ndaj tragjedive të tjetrit, por do të thotë se pranon parinë e diplomacisë mbi vringëllimen e armëve. Trafiku botëror i armëve është aq i përhapur, sa arrihet deri në nënvleftësimin e tij. Duke harruar se pikërisht trafiku ilegal i armëve është ai, që ndez më shumë konflikte në mbarë botën. Mospranimi i dhunës, si stil politik, mund e duhet të bëjë shumë për t’i vënë pritë kësaj mënxyre.

Dita Botëore e Paqes, që nisi me dëshirën e Palit VI, - përfundon komunikata - kremtohet çdo vit më 1 janar. Mesazhi i Papës u dërgohet kancelarive të mbarë botës, duke shënuar edhe vijën diplomatike të Selisë së Shenjtë për vitin, që fillon.








All the contents on this site are copyrighted ©.