2016-08-26 13:55:00

Në Santiago del Estero të Argjentinës, nesër lumnohet Maria Antonia de San José


Në Santiago del Estero të Argjentinës, nesër lumnohet Maria Antonia de San José (në shekull Maria Antonia de Paz y Figueroa) e njohur edhe si “Mama Antula”, Themeluese e Shtëpisë së Ushtrimeve shpirtërore të Buenos Ajres. Përfaqësues i Papës në kremtim, kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.

Maria, laike e kushtuar, e kaloi gjithë jetën në një zonë të varfër të veri-lindjes së Argjentinës, duke i dhënë një shtytje të fuqishme zhvillimit të Ushtrimeve shpirtërore. Që e re, akoma 15 vjeçare, “Mama Antula”, iu afrua misionarëve të Shoqërisë së Jezusit, që gjindeshin Santiago del Estero e, me ta, iu kushtua organizimit të Ushtrimeve shpirtërore, sipas frymëzimit injacian. Mblodhi rreth vetes një grup me vasha, që jetonin bashkë, luteshin, realizonin vepra bamirësie e bashkëpunonin me meshtarët jezuitë. Në një kohë shumë të shkurtër Mama Antula organizoi tetë grupe, me 300 njerëz të gjymtyar secili, të cilët i mbante me lëmoshë.  Kur jezuitët u dëbuan nga Argjentina, në vitin 1767, ajo përshkoi gjithë veriun e Vendit, duke u kujdesur për veprat e tyre. Kishte me vete vetëm një kryq druri, simbol i thjeshtësisë dhe i dashurisë së Krishtit. Ia doli, brenda një viti të vetëm, të organizonte Ushtrime shpirtërore me pjesëmarrjen e më se 70 mijë vetëve. Prej këndej, ndjeu nevojën të kishte një shtëpi për predikim, ëndërr, që e realizoi kur i dhuruan tri copa toke, ku ngriti shtëpinë e parë për ushtrimet, që funksionon edhe sot e kësaj dite. Kronikat tregojnë se kishte devocion të posaçëm për Shën Gaetanin, Pajtor i punës e i bukës së përditshme, e edhe për Shën Jozefin. Vdiq më 7 mars 1799, në shtëpinë që e kishte krijuar gati nga hiçi.  Reliket e saj nderohen në Kishën e Nuestra Señora de la Piedad.  








All the contents on this site are copyrighted ©.